Lacio është shndërruar në sinonim të futbollit të bukur dhe golave. E konfirmojnë edhe shifrat pas pesë rrjetave të realizuara në portën e Kievos.


Sulmi i skuadrës së Inzaghit është vërtet i shkëlqyer: më i miri në Serinë A dhe i treti në Europë. Me 53 gola të realizuar deri në këtë pjesë të sezonit, ku 20 prej tyre mbajnë firmën e Çiro Imobiles, bardhekaltërit kanë lënë pas edhe disa prej skuadrave më të mëdha në kontinent: nga Barcelona e Reali i Madridit, për të vazhduar me Manchester United dhe Bayern Munchen.


Në Itali, Lazio ka realizuar 4 gola më tepër se Juventusi, 8 më shumë se Napoli kryesues, ndërsa diferenca rritet përballë Romës, 13, dhe 18 gola më tepër se Interi.


Në skuadrën e ndërtuar nga gjeniu Igli Tare shënojnë të gjithë. 14 lojtarë kanë gjetur rrugën e rrjetës. 10 gola janë realizuar nga mbrojtësit, duke vendosur një rekord. Lazio është në podium në renditjen e skuadrave që shënojnë më tepër në kontinent.


Në krye të klasifikimit special qëndron Manchester City i Pep Guardiolës me 70 gola në 24 javë të luajtura në Premier League, ndërsa në vendin e dytë është Paris Saint Germain me 67 gola në 21 ndeshje.


22 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)