Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi thotë se nuk ka dijeni për sulmin me bojë ndaj Ralf Gjonit, i cili pranoi mandatin e deputetit duke dalë kundër vendimit të partisë së drejtuar prej saj.


Ajo tha se lexoi diçka për sulmin e mëngjesit të sotëm, por tha se Regjisori Edi Rama për të larguar vëmendjen nga protesta pasi mori deputetët, po i kthen në kloun. Ne po të ishte për të sulmuar, do i kishim sulmuar me kohë.


Kryemadhi deklaroi se shpreson që viktimat e radhës të Edi Ramës, mos jenë deputetët e rinj.


Po ashtu kërkoi që të denoncohet përgjegjësit për ngjarjen nëse ka, duke nënvizuar se tashmë legjitimiteti i parlamentit nuk është më.


Sakaq teksa po hynte në Parlament për tu betuar, Ralf Gjoni tha se, Ai ose ajo që e ka porositur këtë sjellje rrugaçërore, i them se nuk frikësohem dhe se jam këtu të përfaqësoj gjithë ata të rinj dhe të reja pozitiv, të cilët kanë shpresë se ky vend mund të bëhet. Mund ta merrni me mend se kush e ka bërë.


Lidhur me sulmin ai tha se policia po bën verifikimet, por nënvizoi se nuk frikësohet nga kushdo që synon të sjellë destabilizimin e vendit.


Po ashtu ai shtoi se ka pranuar të bëhet deputet, jo që të marr një rrogë të qelbur shteti, por të përfaqësojë atë pjesë të shoqërisë që nuk është e përfaqësuar nga kjo klasë e papërgjegjshme politike.