31-vjeçari është arrestuar në kryeqytet. Ai fshihej prej disa kohësh tek disa miq të tij


Kërkohej prej tre vitesh nga policia e Vlorës për një tentativë vrasjeje, arrestohet në Tiranë një 31-vjeçar nga Selenica. Burimet zyrtare të policisë së qytetit bregdetar deklaruan se mbrëmjen e djeshme është arrestuar Mikel Harizaj, 31 vjeç, lindur dhe banues në Selenicë Vlorë. I njëjti burim ka saktësuar se në prill të vitit 2009, ky shtetas ka tentuar të vrasë me një granatë tre persona, pas një grindjeje për motive të dobëta.


Më datë 10.04.2009 rreth orës 23:00 në Selenicë ky shtetas për motive të dobëta është konfliktuar me 3 shtetasit E A., G. A., dhe A. S. Menjëherë mbasi është konfliktuar, shtetasi Mikel Harizaj ka dalë nga lokali dhe ka shkuar në makinën e tij të cilën e kishte të parkuar afër lokalit nga ku ka marrë një granatë dore, me të cilën ka sulmuar shtetasit e mësipërm. Nga shpërthimi i granatës është plagosur rëndë shtetasi G. A., dhe më lehtë 2 të tjerët, sqarohej një njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë.


Arrestimi i 31-vjeçarit është bërë në kryeqytet, Mikel Harizaj, ndodhej i fshehur te disa persona më të cilët kishte lidhje shoqërore. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme për veprën penale Vrasje në rrethana të cilësuara e mbetur në tentativë, dhe Mbajtje pa leje armëve luftarake dhe municionit.


2 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)


Sulmoi me granatë tre persona, kapet pas tre vitesh nga policia burimi: Gazeta Shqip