FATOS LUBONJA


Një argument që sillet shpesh për të shpjeguar pse nuk funksionojnë vende si Shqipëria, që jo rrallë përkufizohen si failed state (shtet i dështuar), është ai që, duke iu referuar krahasimit me përvojën e vendeve demokratike, sjell në vëmendje faktin se në këto vende është vendosur më së pari ai që në anglisht i thonë the rule of law (sundimi i ligjit) dhe pastaj është ndërtuar demokracia; kurse në vende si i yni, pas 90-s është vendosur më së pari demokracia (në kuptimin formal të fjalës) dhe tani duam të vendosim the rule of law – me dështime spektakolare. Në mënyrë të veçantë ky argument i referohet procesit që u zhvillua në Britani pas Revolucionit të quajtur të lavdishëm të vitit 1688, i cili imponoi kalimin nga një sistem absolutist, ku Mbreti kontrollonte ligjin dhe drejtësinë në sistemin e sundimit të ligjit. Shkaku i këtij transformimi ishte pluralizmi i krijuar me daljen e shtresave borgjeze e të tregtarëve që nuk e pranuan më drejtësinë e sunduar nga Stuartët dhe kërkuan e fituan barazi përpara ligjit. Kësisoj, ligji reshti së qeni instrument i sundimit të palës në pushtet. Sipas Daron Acemoglu dhe James Robinson, autorë të librit Why nations faile: The origins of Power. Prosperity, and Poverty (Pse dështojnë kombet; origjinat e pushtetit, begatisë dhe varfërisë), vendosja e sundimit të ligjit krijoi kështu në Britani një rreth virtuoz institucionesh përfshirëse që e zhvilluan më tej demokracinë duke rritur gjithnjë e më shumë grupimet sociale që fituan të drejta të barabarta me të tjerët. Ndërkaq, gjithë sipas këtyre autorëve, ka mjaft vende të tjera ku elitat që kanë përmbysur një klasë që kontrollonte ligjin, kur kanë ardhur në pushtet kanë përsëritur paraardhësit duke shkaktuar rënien e këtyre vendeve në një rreth vicioz institucionesh përjashtuese pa krijuar dot as pluralizëm të vërtetë, as ekonomi tregu të lirë, por monopole politike dhe ekonomike me pasoja si për zhvillimin e demokracisë, ashtu dhe të ekonomisë. Sipas tyre, diferencat që vëmë re sot në vende të ndryshme të botës, si përsa i përket nivelit të demokracisë, edhe përsa i përket nivelit të begatisë apo varfërisë, burojnë nga ky ndryshim thelbësor.

Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se mund të vendosësh pluralizmin partiak, siç ndodhi në Shqipëri pas viteve 90, por, kur elitat përmbysëse nuk vendosin sundimin e ligjit, por sundimin e tyre, kjo nuk sjell as demokraci, as begati, sepse një pluralizëm i vërtetë ka si kusht të ekzistencës dhe zhvillimit të vet sundimin e ligjit që i trajton palët si të barabarta përpara tij. Për rrjedhojë, një pluralizëm që sështë në gjendje të vendosë sundimin e ligjit, degjeneron në regjim, çka do të thotë edhe varfërim për shumicën.

Kemi qenë dëshmitarë se si Partia Demokratike, që erdhi në pushtet më 1992-shin, nuk u soll ndryshe, në thelb, nga elita e mëparshme në raport me sundimin e ligjit. Ajo kërkoi të kontrollojë Drejtësinë dhe ligjin për interesat e veta. Të njëjtën gjë bëri edhe Partia Socialiste nga 1997-a deri më 2005-n dhe përsëri e njëjta gjë ndodhi dhe po vazhdon të ndodhë me rikthimin e PD-së në pushet. Për rrjedhojë, kemi mbi njëzet vjet që jemi i vetmi vend të Europë që nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme, sepse ato i dhunon pala që, sipas radhës, është në pushtet. Pasojat në nivelin ekonomik janë po ashtu të dukshme; kemi një grusht të pasurish më një anë dhe një shumicë që jeton nën nivelin e varfërisë në anën tjetër.

Pyetja megjithatë shtrohet: si të bëjmë që nga kjo lloj gjendjeje, që kurrsesi nuk mund të quhet demokraci dhe as liri – kujtoj me këtë rast thënien e Lockut, sipas së cilës, nuk mund të jemi të lirë atje ku nuk ka ligje – të kalojmë në sundim të ligjit? A mjafton të ndërtojmë ligje që përputhen me standarde demokratike,   apo duhet edhe diçka më shumë, dhe çfarë do të ishte kjo diçka më shumë?

Nuk pretendoj ti jap përgjigje shteruese kësaj pyetjeje që përfshin shumë çështje, por, sikurse e kam shprehur edhe herë tjetër, ngulmoj se shoqëria shqiptare ka si problem kryesor ndarjen e thellë që ekziston midis fasadës së demokracisë formale më një  anë, dhe institucioneve informale që veprojnë prapa kësaj fasade (si ai i mikut, tarafit, klanit, ryshfetit, krimit, korrupsionit, mediave të kontrolluara prej tyre etj.), më anë tjetër – dhe se ka nevojë urgjente të reflektojë mbi këtë. E, në këtë reflektim, një gjë duhet ta kemi si nord: se kjo ndarje vjen nga mungesa e sundimit të ligjit, e cila, në rreth vicioz, e thellon këtë ndarje.

Një pyetje e rëndësishme që vlen të shtrohet në kontekstin e kërkimit të zgjidhjes është: a ia vlen të vazhdojmë të aprovojmë ligje që u përshtaten standardeve demokratike ndërkohë që këto nuk funksionojnë? A mos vallë duhet të kthehemi mbrapsht, në një sistem më autoritar disa p.sh. kërkojnë një juntë ushtarake, disa, duke iu referuar përvojave të shek XIX në Britani, do të kërkonin që e drejta e votës të kufizohej vetëm në ata individë që paguajnë taksa dhe zbatojnë detyrimet apo duhet të kërkojmë rrugët tona specifike? Sipas meje, është një pyetje që ka kundërthëniet e veta, por ngulmoj se nuk mund të kthehemi prapa dhe se prandaj reflektimi do të duhej të bëhej mbi atë se si të vendosim sundimin e ligjin në kushtet e vendosjes formalisht të demokracisë në vend.


***

Për ta ilustruar po marr një debat të fundit të këtyre ditëve: atë lidhur me draftin për heqjen e imuniteteve. Që deputetët të heqin dorë nga imuniteti nuk ka dyshim se formalisht është një hap demokratik, sepse nëpërmjet një akti të tillë çohet më tej parimi i madh i barazisë së qytetarëve përpara ligjit. Ndonëse opozita duket se do ta votojë, kryesisht për shkak të ndërkombëtarëve, ka argumente tejet të rëndësishme për ta kundërshtuar atë. Argumenti kryesor është se, në kushtet e mungesës së sundimit të ligjit, heqja e imunitetit mund ta dëmtojë edhe më rëndë demokracinë nëpërmjet (keq)përdorimit të këtij ligji nga maxhoranca. Pra, duke qenë se jemi në një vend ku nuk sundon ligji, por ku maxhoranca sundon nëpërmjet ligjit, procedurave, vendimeve të marra nga një drejtësi e kontrolluar prej saj, ky ligj mund të kthehet në bumerang për demokracinë.

Dikush me të drejtë mund të pyesë: po pse të kenë frikë deputetët opozitarë? Nëse një deputet merr një rrogë që është krahasimisht e lartë në raport me popullsinë, ka tërë ato lehtësira dhe respekton ligjin, siç duhet ta respektojë një deputet, ai ska pse trembet, pasi, gjithsesi, jetojmë në një vend dhe sistem ku asnjë gjyqtar, sado vegël e maxhorancës të jetë, nuk guxon të dënojë një të pafajshëm.

Nuk ka pikë dyshimi se një pjesë i tremben fatit të bizneseve që kanë krijuar sajë atij sistemi përfitimi me rrugë të paligjshme që është ngritur gjatë këtyre njëzet vjetëve në mungesë së sundimit të ligjit. Por, ama, kur drejtësia vepron në mënyrë selektive, dëmi i ndëshkimit selektiv të fajtorëve është më i madh se sa përfitimi që vjen nga dënimi i tyre, pasi, në këtë mënyrë, rritet ndjenja e padrejtësisë në vend, ashtu sikurse edhe servilizmi dhe nënshtrimi ndaj më të fortit. Por ka edhe argumente të tjera kundër heqjes së imunitetit: Imagjinoni një deputet, i cili është i ndershëm dhe e kryen me bindje detyrën e tij të denoncimit të akteve të korrupsionit, abuzimeve etj., etj. Kur më i forti ka nën kontroll ligjin e gjykatat, atij shumë lehtë mund ti hapen procese civile që tia nxijnë jetën duke trembur njëherësh të tjerët. Këto argumente na bëjnë të kujtojmë se në parim imuniteti i deputetëve është vendosur për ti mbrojtur ata në luftën që bëjnë për mbrojtjen e interesave të atyre që përfaqësojnë dhe të ngremë pyetjen: A jemi pjekur për tua hequr imunitetin ndërkohë që jetojmë në një vend ku nuk sundon ligji, por ku sundohet nëpërmjet ligjit? Fakti që deputetët e maxhorancës, shumica e të