Grabitja ne Rinas pamjeKërkimet përreth Rinasit, paruka dërgohet në laborator për analizë ADN-je


Mariglen Mullai


Hapi më i rëndësishëm përgjatë hetimeve rreth zbulimit të autorëve të supergrabitjes në Rinas është gjetja e një paruke, 200 metra larg vendit ku u gjet i djegur mjeti i autorëve. Vetë policia e ka njoftuar këtë detaj për mediat, ndoshta si shenjën e parë reaguese ndaj ngjarjes që ka shokuar për ditë me radhë opinionin publik. Rreth identitetit të autorëve ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete, por kërkimet vijojnë intensivisht nga disa sektorë njëherësh në polici. Edhe drejtoritë e policisë, fqinje me atë të Tiranës, janë angazhuar maksimalisht në këtë operacion masiv, për identifikimin dhe arrestimin e grabitësve.


Për këdo që ka informacion: Në fuqi, shpërblimi 30 mijë euro


Edhe pse kanë kaluar 72 orë nga grabitja në Aeroportin e Rinasit ku tre persona të maskuar me paruke, të armatosur e jelek kamuflazh morën afro 1 milion euro, policia vijon të kërkojë ndihmën e qytetarëve për informacione në lidhje me autorët. Mbetet në fuqi shifra prej 30 mijë eurosh shpërblimi nga policia për këdo që jep informacion duke i siguruar ruajtjen e anonimatit, ndërsa ka vendosur një adresë email policiadurres@gmail.com dhe telefonin 0694110217.


Paruka dhe hetimet


Kjo paruke, që u gjet nga kërkimet e policisë, rreth 200 metra larg vendit ku ndodhej makina e djegur, është dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore ku po i nënshtrohet një ekzaminimi. Nga të njëjtat burime policore mësohet se janë gjetur disa fije floku në të, të cilat po ekzaminohen për të bërë identifikimin e autorëve të dyshuar. Analizat laboratorike të AND-së, do të mundësojnë edhe hapin e parë të përcaktimit të identitetit të personit që e mbajti paruken, përpara se ta hidhte. Policia, përpos faktit të gjetjes së parukes, nuk saktëson detajet e tjera, se në ç’vend u gjet saktësisht apo për çfarë paruke bëhet fjalë. Për shembull në rastin e “babagjyshave”, grabitësve të një qendre tregtare, u publikuan edhe parukat që ata përdorën. Nga ana tjetër janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së disa bizneseve në rrugën që autorët kanë ndjekur deri në vendin ku dogjën automjetin. Por edhe gjatë kësaj periudhe kohore ata nuk i kanë hequr maskat duke e bërë të vështirë identifikimin, apo ndërtimin e një identikiti. Momentin e djegies së makinës nuk e ka parë askush, gjë që tregon se autorët e kanë studiuar me detaje çdo lëvizje të tyre për të mos lënë pas asnjë gjurmë. Grupi hetimor ka dyshime që autorët e grabitjes spektakolare të fshihen dhe të jenë nga Kruja. Por asgjë nuk është e saktë, pasi ka dyshime se mund të jenë nga Tirana apo edhe nga Durrësi. Deri në identifikimin e tyre, policia po operon në bazë të një sistemi që grumbullon rekordet kriminale të personave të dyshuar. Disa dhjetëra numra telefonash janë vënë në përgjim nga prokuroria, por deri në këto momente nuk është përfituar asnjë e dhënë e vlefshme për zbardhjen e ngjarjes. Pjesë e hetimit është dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, të cilit i është kërkuar ndihmë për mbajtjen në vëzhgim të disa personave.


Operacioni


Autorët, që vepruan si zakonisht, në trekëndëshin famëkeq Tiranë-Durrës-Krujë, aty ku kryqëzohen rrugët e drogës dhe kanë ndodhur vrasjet makabër dhe që mendohet se gjithashtu janë banorë të këtyre zonave apo vendeve përreth, vijojnë të mbeten misteriozë. As qentë gjurmues, as helikopteri, as 500 policët dhe as repartet speciale të RENEA-s, nuk kanë ndikuar në realizimin me sukses të arrestimit të autorëve. Përpos shoqërimit të punonjësve të kompanisë private dhe rreth 30 të dyshuarve të tjerë, asnjë e dhënë tjetër nuk rezulton të çojë në prangosjen e grabitësve. Nga deklarimet publike të krerëve policorë, është mësuar vetëm fakti i planit operacional të kërkimit, i cili u hartua në moment, pas marrjes së njoftimit për grabitjen me armë. Sipas këtyre deklarimeve, në ndjekje të autorëve janë vënë forcat RENEA, FNSH, forcat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, Komisariatit të Krujës dhe specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit. Gjithashtu është ngritur në fluturim me efektiva të policisë RENEA helikopteri i Policisë për krehjen e zonës nga ajri. Nga automjeti tip “Mercedez Benz” që u gjet i djegur në Fushë-Prezë, nuk është përftuar asnjë gjurmë. Nga këqyrja paraprake e këtij mjeti, që ishte vjedhur në muajin mars në Pogradec, ka të dhëna ndihmuese që të çojnë drejt dyshimit se makina është lyer me benzinë para se t’i vihej flaka. Pra, autorët kanë pasur kohë për të vepruar me qetësi dhe jo nxitimthi, ndonëse nga deklarimet zyrtare rezulton se në kohën kur ata kanë mbërritur në Fushë-Prezë, policia kishte nisur aksionin e kërkimit. Megjithatë, do të jetë ekspertiza e plotë që do të kryhet në Laboratorin Shkencor, ajo që do të vërtetojë apo do të rrëzojë dyshimet e lartpërmendura. Qindra efektivët e policisë që mësynë në terren, nëpër zona të pyllëzuara, në parcelat me drurë frutorë apo në arat e këtij trekëndëshi, pasi nuk arritën të binin në gjurmët e “të paprekshmëve”, shkuan në disa banesa, ku kryen kontrolle. Objektet e këtyre kontrolleve ishin disa persona me prirje të theksuar kriminale në fushën e grabitjeve të dhunshme dhe që më parë ishin skeduar për ngjarje të rënda. Mes 30 të dyshuarve, banorë të Mamurrasit dhe Fushë-Krujës apo Laçit, ndodheshin edhe persona të dënuar më parë për grabitje me armë dhe vjedhje apo që janë hetuar për të njëjtat vepra penale. Por nga deklarimet paraprake të këtyre personave, gjatë marrjes së tyre në pyetje, nuk është arritur të mësohet asnjë e dhënë rreth autorëve. Pothuajse të gjithë e kishin një alibi, por policia ka insistuar në ballafaqimin e këtyre dëshmive. Nga të njëjtat burime të policisë mësohet se pjesa më e madhe e të shoqëruarve janë lënë të lirë sërish, ndonëse do të mbahen nën survejim.


Lëvizjet në grabitje


Në portën rrethuese të aeroportit nuk ndodhej asnjë roje, as civil dhe as i armatosur dhe për pak sekonda u shkatërrua dryni i portës. Prej andej hyri një automjet tip Benz i modelit 250, me ngjyrë vishnje, i cili eci përgjatë perimetrit të aeroportit, duke u ndalur në vendin ku automjeti i kompanisë Nazeri 2000 po shkarkonte thasët me para. Pasi rrëmbyen paratë, pa qëlluar në ajër, automjeti u largua drejt fundit të pistës, u rikthye te porta nga ku dhe doli. Ky automjet u gjet më pas nga policia dy kilometra larg vendit të ngjarjes, i djegur. Policia e Shtetit sqaron se autorët e dyshuar janë tre persona të cilët kanë përdorur si kamuflazh jelekët e kompanisë ICTS, e cila është kompania që kujdeset për sigurinë e brendshme të terminalit të avionëve. Distanca nga dera në të cilën janë futur grabitësit e njohur si porta e karburantit, deri në vendin ku ndodhej avioni është rreth 500 metra. Ajo që mbetet mister dhe bën me përgjegjësi kompaninë ICTS është fakti se si porta është hapur pa u pikasur nga rojet e tyre nga persona që nuk kishin as çelësin e saj, por dyshohet se kanë ndërhyrë me forcë për të çmontuar bravën e për t’u futur deri në pistë. Kjo portë shërben për futjen e eskortave të transportit të parave dhe mallrave kargo nga ku dhe një ditë më parë janë futur dy kompani private për të transportuar paratë.


 


Gent Strazimiri


“Të dyshuarit bredhin lirshëm me Benz- me fenelina policie” 


Deputeti demokrat, Gent Strazimiri, në një status në faqen e tij në Facebook, ka lëshuar akuza të tërthorta për sistemin e sigurisë gjatë transportimit të parave. “Grabitja në Rinas jo vetëm paska qenë e studiuar, por e provuar më parë deri në detaje me ‘provë gjenerale’.


Më tej, brenda 37 ditëve qenka realizuar besnikërisht sipas skenarit të suksesshëm të zyrtarëve të sigurisë që paguheshin njëkohësisht edhe nga ne edhe nga koncesionari për të ruajtur paprekshmërinë e aeroportit…”-shkruan ai. Më tej, Strazimiri shton se “Në një shtet normal kjo nuk quhet ‘alibi’, por ‘indicia kryesore’ për të kapur dhe për të vënë para përgjegjësisë autorët… …në një shtet normal ama, jo te ne… Këtu, të dyshuarit kryesorë bredhin lirshëm me Benz-a me fenelina policie dhe japin intervista me temën “nuk kam frikë nga drejtësia”…