Java e parë e Kategorisë Superiore do të kompletohet sot me dy takimet e fundit, të planifikuara për tu luajtur në Durrës dhe në Elbasan. Kështu në orën 16:45, Kukësi do të presë Laçin në Elbasan Arena, në një sfidë që pritet të jetë tejet interesante.


Të dy skuadrat kanë pasur një rivalitet mjaft të bukur në vitet e fundit dhe për më tepër, vijnë në një formë mjaft të mirë në këtë fillim kampionati, për shkak të angazhimeve në eliminatoret e Europës.


Kukësi vjen me petkun e pretendentit kryesor për të fituar titullin kampion dhe pas eliminimit nga Liga e Europës, nuk mund ti lejojë vetes një hap fals në javën e parë të kampionatit.


Nga ana tjetër, edhe Laçi ka pretendimet e tij që të mos dalë pa pikë nga ndeshja e parë e kampionatit dhe do të synojë të shfrytëzojë lodhjen te rivalët, që të enjten zhvilluan ndeshjen e fundit në Europë.


Në orën 19:45 vëmendja do të zhvendoset në Niko Dovana ku do të zhvillohet derbi i Adriatikut, mes Teutës dhe Flamurtarit. Të dy skuadrat vijnë me ndryshime të shumta në organikë, por edhe me emra të rinj në pankinë.


Teuta ia ka besuar drejtimin Bledi Shkëmbit, i cili vjen pas një eksperience pozitive në Superligën e Kosovës, ku drejtoi Lirinë e Prizrenit, por në Shqipëri do të debutojë për herë të parë si trajner. Nga ana tjetër, Flamurtari ka marrë trajnerin kampion nga Skënderbeu, Ilir Dajën dhe do të synojë që bashkë me të , të sjellë titullin në Vlorë, në fund të sezonit.


Si Teuta, ashtu edhe Flamurtari, kanë bërë lëvizje mjaft interesante në merkato, duke afruar lojtarë me eksperiencë, përveç të rinjve të talentuar, ndërsa arritja e kupave europiane është synimi minimal për të sy ekipet.


19 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)