Një gafë e portierit Ilion Lika në minutën e 66 të takimit i dha fitoren 1-0 Tiranës ndaj Flamurtarit në kryendeshjen e javës së dytë të Superligës.



Takimi i zhvilluar në një terren të rënduar të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” nisi me të dyja skuadrat të kujdesshme në fushë. Tirana mori më shumë iniciativën, por pa u hedhur shumë përpara për të mos lënë hapësira pas.

Pjesa e dytë nisi me të njëjtën pamje me një lojë të balancuar. Kalimi i minutave dhe mungesa e golit tensionoi lojtarët në fushë, aq sa pak pas minutës së 60-të, Ndikumana për Tiranën dhe Veliu për Flamurtarin largohen që të dy me të kuq pas një zënke të nisur në fushë për një ndërhyrje të parregullt të lojtarit bardheblu.

Pak çaste pas këtij episodi të pakëndshëm, një kros pa shumë pretendime nga e djathta e sulmit të Tiranës çorodit ish-portierin bardheblu që këtë sezon mbron ngjyrat e Flamurtari. Topi përplaset përpara dhe Ilion Lika mashtrohet dhe topi i devijuar prej tij përfundon në rrjetë.

Minutat e mbetura të takimit nuk ndryshuan rezultatin, përveç një rasti flagrant të humbur në minutën e 85 nga Abilaliaj për vlonjatët.

Në dy takimet e tjera të luajtura këtë të shtunë, Skënderbeu mposhti 2-0 në Korçë skuadrën e Laçit, ndërsa në Fier Apollonia bëri surprizën duke mposhtur 1-0 skuadrën e Partizanit që vlerësohet si një ndër pretendentet për fitimin e titullit këtë sezon.

Dy takimet e mbetura të javës së dytë, Kukësi-Elbasani dhe Teuta-Vllaznia luhen të dielën në orën 17:00.

/ Top Channel