Lorenc Jemini është bilbili që do të gjykojë kryesfidën e javës së 12-të, Tirana-Vllaznia, (njëherësh edhe java e parë e fazës së dytë), por caktimi i gjyqtarit tiranas, i cili ka gjykuar Vllazninë edhe në javën e nëntë të fazës së parë, është kontestuar nga stafi shkodran. Në takimin e fazës së parë të zhvilluar në “Loro Boriçi”, e që përfundoi 0-0, gjykoi tiranasi Kridens Meta.

NËNTË TIRANAS

Interesant është fakti se në 11 ndeshjet e fazës së parë, vetëm në dy takime të Vllaznisë, gjyqtarët nuk kanë qenë nga Tirana: Mentor Sopiani i kolegjiumit të Durrësit gjykoi në takimin Vllaznia-Apolonia dhe laçiani Sokol Çekaj në Vllaznia-Bylis.

MUNGESA E SINANIT

Vioresin Sinani, tri herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë dhe autori i pesë golave me fanellën kuqeblu për këtë sezon - i dyti pas Paulin Dhembit me gjashtë - do të mungojë në ndeshjen kundër Tiranës. Ish-sulmuesi i bardhebluve, i cili ka pësuar një tërheqje muskulore, nuk e fshehu dëshirën për të luajtur kundër ish-skuadrës së tij.

ROKADË VENDESH?

Vllaznia, pas 11 javësh ndodhet në vendin e dytë me një pikë më pak se Tirana (22). Për Vllazninë do të rikthehen Marko Bashiç e Edmond Doçi, teksa është mundësia që dhe Suad Lici të jetë në fushë. Shkodranët janë shprehur se dhe një barazim i kënaq në kryeqytet, por një fitore e mundshme e Vllaznisë do të sillte edhe rokadën e dy ekipeve në renditje, teksa Tirana do të vuajë mungesën e golashënuesit më të mirë të saj, Migen Memelli, ashtu si shkodranët të Vioresin Sinanit.



Kategoria Superiore

Java 12



E diel, 23.11.2008

Teuta-Dinamo

Bylis-Shkumbini

Flamurtari-Besa

Apolonia-Elbasani

Partizani-Lushnja

Tirana-Vllaznia





Apolonia: Në Elbasan morëm një pikë, në Fier duam tre



Apolonia e nisi me pikë rikthimin në Superligë, duke barazuar pa gola në javën e parë kundër Elbasanit. Tashmë, sërish të dielën do të jetë përballë verdhebluve, në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të, por kësaj radhe jo në “Ruzhdi Bizhuta”, por në “Loni Papuçiu”. Fierakët i bënë një mbyllje të bukur fazës së parë, teksa fituan 3-1 ndaj Besës së Kavajës. Trajneri boshnjako-serb Esad Karishik synon serish tri pikë të tjera në shtëpi, për të konfirmuar se fitorja ndaj formacionit të Ilir Dajës nuk ishte e rastësishme. “Kundër Elbasanit është një ndeshje e kalueshme. Kemi një grup të mirë lojtarësh. Synoj të ruhet i njëjti standard si me Besën. Kam besim se do t’ia dalim”, - është shprehur Karishik. Autori i dy golave me Apoloninë, sulmuesi i njohur Klodian Asllani, do të jetë edhe kapiteni i ri i skuadrës. Kuçovari, i cili ka luajtur më parë edhe për ekipe si Dinamo, Vllaznia, Elbasani, Bylis e Kastrioti ishte autori i golit kundër Partizanit, e vetmja fitore në transfertë e Apolonisë. Mbrojtësi i Apolonisë, Nerjon Spaho, thotë për “Panorama Sport”: “Duhet t’u dhurojmë tifozëve një tjetër lojë të bukur dhe një fitore mbresëlënëse pas asaj me Besën. Objektivi ynë kryesor është që të shfaqim sa më mirë vlerat në fushën e lojës. Ndaj Elbasanit nuk do të jetë e lehtë”. Në 11 ndeshjet e fazës së parë Apolonia grumbulloi 11 pikë dhe ndodhet në vendin e 10-të. Bardhejeshilët arritën 3 fitore, me Lushnjën e Besën (në shtëpi) dhe Partizanin (në transfertë). Vetëm dy barazime në 11 javë, një në shtëpi e një në transfertë. Fierakët regjistruan gjashtë humbje, dy prej të cilave në shtëpi. Nga 11 golat e shënuar, tre prej tyre mbajnë firmën e serbit Mladen Brkiç, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i Apolonisë.



Partizani: Me Lushnjën, fitoren e parë në shtëpi



Partizani ende nuk ka fituar asnjë nga pesë takimet e zhvilluara në Tiranë, ku ka një bilanc negativ: 2 barazime dhe 3 humbje



Partizani do të luajë në javën e 12-të të Superligës jo vetëm ndaj skuadrës me të cilën ndan dy vendet e fundit me pikë të barabarta, Lushnjën, por edhe ndaj skuadrës së vetme që ka mundur të fitojë në fazën e parë të Kampionatit të 70-të Kombëtar të futbollit, me rezultatin 1-0, falë një kryevepre të realizuar nga goditja e lirë nga Artan Karapici, i cili është dhe golashënuesi më i mirë i skuadrës (3 gola). Partizani ende nuk ka fituar asnjë nga pesë takimet e zhvilluara në Tiranë, ku ka një bilanc negativ: 2 barazime e 3 humbje. Për trajnerin e dytë sezonal të Partizanit, Shpëtim Duro, dy barazimet rresht me Besën (0-0) në Kavajë dhe Elbasanin (2-2) në kryeqytet, skuadra e ka rigjetur veten dhe fitorja e pritshme me Lushnjën do të thoshte shumë për 15-herë kampionët e Shqipërisë, tashmë jo vetëm në aspektin psikologjik, ku skuadra ndihet plotësisht e çliruar, por dhe në atë pikëve, pavarësisht se edhe me fitoren Partizani sërish do të ishte i 11-ti në renditje, pasi diferenca aktuale me vendin e dhjetë është 4 pikë (Apolonia). “Të fitojmë edhe me një lojë të keqe,- është shprehur Duro për gazetën prestigjioze “Panorama Sport”. “Na duhet patjetër fitorja”. Kapiteni i Partizanit, portieri 31-vjeçar Orges Shehi, në disa raste ka qenë edhe “protagonist” i gabimeve, që i kanë kushtuar jo pak skuadrës së kuqe. Por në lidhje me “derbin e mbijetesës”, durrsaku mendon se skuadra që ai udhëheq në fushë i ka të gjitha mundësitë për ta fituar takimin. “Na iku fitorja nga duart me Elbasanin, - është shprehur Shehi, - por loja na jep siguri për të ardhmen. Lushnja? Vërtet që jemi në fund me pikë të barabarta me Lushnjën, por nuk mund të konsiderohet kështu. Është një moment i keq për skuadrën tonë, por ndaj lushnjarëve do të luajmë vetëm për fitore”.



Teuta: Në “Niko Dovana” duhet filluar me fitore”



Me dy golat e realizuar në fitoren 3-0 të Kombëtares U-21 të Shqipërisë kundër homologes së saj, Maqedonisë, të mërkurën në Ohër, dy futbollistët e Teutës, Vilfor Hysa e Emiljano Vila, i lëshuan nga një “silur në distancë nëndetëses Dinamo”, katër ditë përpara përballjes së tyre në “Niko Dovana”, në takimin e parë që do të luhet këtë sezon në “shtëpinë e vërtetë”.

NJË PIKË

Në fazën e parë, Teuta ia doli të rrëmbejë një pikë të çmuar në “Selman Stërmasi”, pas atij barazimi 0-0 me Dinamom, në debutimin e parë të kroatit Zlatko Daliç në bankinën e kampionëve në fuqi. Tashmë, trajneri Sulejman Starova, pas atij fillimi të zbehtë të Teutës e me krizë të dukshme për të realizuar golin, ka krijuar një skuadër me profil shumë më ofensiv, dhe diferenca me 17-herë kampionët e Shqipërisë është vetëm një pikë: 17 Dinamo; 16 Teuta.

FAT I NJËJTË

Durrsakët humbën në javën e fundit të fazës së parë me Vllazninë (2-1) në Shkodër, me një gol të minutës shtesë së realizuar nga mbrojtësi Elvin Beqiri. Edhe Dinamo pësoi të njëjtin fat në Ballsh (humbi 1-0), teksa u “gjunjëzua” para golit të jashtëzakonshëm të fantazistit të Bylisit, Roland Nënaj. Rikthimin te fitorja e kanë synim të dy formacionet, por dhe një barazim i mundshëm, ashtu si në fazën e parë, nuk do të përbënte një dramë, përveç ndonjë deklarate nervoze të Zllatko Daliçit.

GJONDEDA

Kapiteni i Teutës, Genti Gjondeda shpreson se përmirësimi i terrenit – fusha u inaugurua nga vetë presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, gjatë vizitë së tij zyrtare në Shqipëri – dhe shtimi i tifozëve do të ndikojë në edhe në motivimin më të madh të lojtarëve. “Po punojmë shumë për Dinamon, sepse është një ndeshje shumë e vështirë dhe delikate, - tha Gjondeda. “Kemi një peshë shumë të madhe në këtë takim, pasi është ndeshja e parë në ‘Niko Dovana. Duhet filluar me fitore”.















22 Nentor 2008