Nga Përfundimet





Marksizmi si fe laike





...Duke mbajtur parasysh karakterin propagandistik të artit të realizimit socialist në shërbim të pushtetit totalitar në Shqipëri, u përpoqëm të hetojmë arsyet e përmbajtjes surrealiste të realizmit socialist në ideologjinë mbizotëruese përgjatë një gjysmë shekulli në Shqipëri, marksizëm-leninizmin. Metoda jonë është mbështetur mbi zbulimin e analogjive midis marksizëm-leninizmit dhe fesë monoteiste.





U nisëm prej mundësisë për të ngritur një diskurs të përbashkët midis marksizmit dhe fesë, duke u përqendruar mbi paralelet të nxjerra nga eskatologjia [vizioni i fundit të një bote dhe hyrjes në një botë tjetër] dhe mesianizmi i tyre, laik ose fetar.





Këtu qëndron dhe risia e kësaj teze në raport me kritikën e mëparshme të realizmit socialist në Shqipëri që i sheh si të trashëguara temat dhe subjektet fetare, të marra nga ana e tyre prej librave të shenjtë dhe meta-tregimet, të cilat shihen si armiket ideologjike të marksizëm-leninizmit.





...Historia e lidhjeve midis marksizëm-leninizmit dhe fesë na jep me mijëra shembuj të luftës së egër midis tyre. Pamundësia që marksizmi të mund të klasifikohet në regjistrin e një feje shekullare përforcohet nga armiqësia midis besimtarëve fetarë dhe komunistëve të bindur.





Kjo na shpuri në pyetje të ngjashme në fushën e artit...

Një sistem ideologjik totalitar sikurse marksizëm-leninizmi nuk shqetësohet fort nga simetria mes asaj që thotë dhe asaj që paraqet realisht. Ky delir ideologjik zbulohet lehtë në artin zyrtar të realizmit socialist, ku dimensioni utopik sigurohet nga orientimi ideologjik, vullneti për pushtet i grupit shoqëror në fuqi dhe kontrolli i rreptë i prodhimit artistik.





Realizmi Socialist ushqehet nga ambicia për ta bërë të kapshëm realisht motorin më të fuqishëm të Historisë: ëndrrën mesianike. Nuk është e vështirë të zbulosh nën sipërfaqen e trashë të realizmit të artit zyrtar bërthamën irreale të eskatologjisë së komunizmit.





Në këtë situatë përmbajtja estetike e doktrinës dhe emërtimi i metodës si "realiste" janë në fund të fundit dytësore: thelbi i realizmit socialist nuk gjendet në recetat e tij formale por në statusin e ortodoksisë që ka, tek e vendos artin nën juridiksionin e shtetit-parti totalitar.





Treguam përgjatë këtij punimi se si pushteti komunist ndoqi të njëjtën strategji legjitimimi, duke përdorur njëkohësisht ëndrrën mesianike dhe pretendimin shkencor të marksizmit.





U përpoqëm të problematizojmë, nga kënde të ndryshme vështrimi, marrëdhënien midis Arsyes dhe Mitit të Parajsës, një qasje që na ndihmon të hulumtojmë kompleksitetin e kësaj marrëdhënieje.





Besojmë se dhamë arsye të mjaftueshme në të mirë të idesë që marksizëm-leninizmi është një fe laike. Kjo ide përbën një moment të rëndësishëm në qasjen tonë analitike, pasi na ndihmon të zbulojmë një pjesë të ideologjisë zyrtare të regjimit komunist shqiptar, të lidhur me meta-tregimet, të cilat pasqyrohen drejtpërdrejt në artin e realizmit socialist, duke i dhënë atij atë brerore irrealizmi që është objekti kryesor i studimit tonë.





Armiqësia tradicionale midis shtetit komunist dhe fesë nuk mund të të fshehë faktin që ka gjithashtu tipare të një ngjashmërie gati-simetrike, të cilat shkaktojnë për mendimin tonë përmbajtjen surreale të një pjese të trashëgimisë së realizmit socialist shqiptar.





E treguam këtë kushërini midis marksizmit dhe fesë në mënyrë më të thelluar gjatë analizës së veprave. Përmes veprave të realizmit socialist mund të zbulohet se marksizëm-leninizmi është gjithashtu një fe, pasi ai ofron një sistem qëllimesh finale, ku fshihen edhe arsyet që drejtojnë sjelljet dhe marrëdhëniet midis subjekteve të artit RS, qoftë kur bëhet fjalë për personazhe historike si Enver Hoxha ose Hamit Shijaku, qoftë për personazhe anonime që mbajnë emërtimet e përgjithshme klasë punëtore ose fshatarësi kooperativiste.





Ai përbën gjithashtu etalonet për preferencat absolute, për të vlerësuar ngjarjet dhe veprimet, një udhërrëfyes që ngërthen një plan shpëtimi. Prandaj, për të rimarrë këtu fjalët e Schumpeterit, socializmi marksist bën pjesë në grupin e feve që premtojnë parajsën mbi dhe.



Çfarë mungonte në veprat e Realizmit Socialist

Substanca irreale e artit të realizmit socialist shihet gjithashtu në faktin që përgjatë një gjysmë shekulli në peizazhe ishte e ndaluar të binte qoftë dhe një pikë shiu. Në parajsë nuk bie asnjëherë shi, po kështu edhe në artin e realizmit socialist.





Ndërkaq, për arsye thjesht ideologjike, rojtarët e ekspozitave ishin më tolerantë ndaj një tjetër vizitori të qiejve: dëborës, e cila autorizohej të mbulonte peizazhet e realizmit socialist.

Paraja gjithashtu është dëbuar nga parajsa komuniste.





Ky fakt na sjell parasysh mungesën, gjatë thuajse një gjysmë-shekulli të të hollave, të tregut, të jetës së përditshme të shqiptarëve në artin e realizmit socialist. Vetëm pas vitit 1990 piktori mund të paraqiste një treg me qytetarë të kthyer në blerës të mundshëm. Ose thjesht shëtitjen në rrugët e një tregu, bisedën me një mik ose bërjen e pazareve.





Në parajsë Vdekja nuk lejohet. Edhe në parajsën e realizmit socialist asaj i ndalohej të hynte. Megjithatë ajo e gjeti mënyrën për të lënë kartëvizitën e vet në parajsën arkadiene të realizmit socialist, si njëfarë Et in Albania Ego, nën trajtat e një tabloje të realizuar në fund të viteve '80, vetëm një vit para se të binte regjimi, tablo e cila paraqet vajtimin e nënës së vdekur të piktorit Besim Tula.





Banorëve të parajsës komuniste, ku sundon kulti i punës, u ndalohet ta kalojnë kohën duke luajtur; kështu i ndodhte edhe njeriut socialist, banor i botës irreale të realizmit socialist.





Nuk ka qoftë dhe një tablo të vetme që të tregojë shqiptarët thjesht duke u zbavitur me lojëra të ndryshme. Edhe fëmijët, në mënyrë që të hynin në parajsën socialiste, duhej të hiqnin dorë nga larmia e lojërave të tyre, për t'u kënaqur me një numër të kufizuar syresh.





Censura kishte lojërat e veta të preferuara, të tjerat gjykoheshin si jo-kompatibël për të hyrë në botën e parrizit të realizmit socialist. Në krye të listës ishin pushka dhe kazma, veglat e punës.





Jeta e përditshme, si një dimension human i përjetshëm, duket të jetë imunizuar nga bacili i një ideologjie çfarëdo totalitare dhe ngjan se rreziku që fshihet prapa këtij dimensioni, në dukje i padëmshëm e i rëndomtë, është kuptuar më së miri nga estetët dhe ideologët e regjimit.





Nga qëndrimi i dy drejtuesve të Shqipërisë komuniste Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, mund të konstatojmë që nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga triumfalizmi dhe konfidenca e tyre. Ecja e tyre në kërkim të Tokës së Premtuar, larg teatralitetit të sjelljes së tyre të dikurshme, i ngjan shëtitjes së dy burrave të zakonshëm në një peizazh anonim.





Janë vetëm. Janë zhdukur turmat entuziaste, peizazhi që dukej si një vitrinë e arritjeve të socializmit. Atmosfera bëhet edhe më irreale kur konstaton se, ashtu si në legjendat e shqiptare, sikurse ajo e Konstandinit dhe Doruntinës, i vdekuri dhe i gjalli ecin së bashku...





...U përpoqëm të parashtrojmë, përmes një leximi krahasimor, një paradigmë reflektimi që shkon përtej ideve të vjetra të antagonizmit dhe mospërputhjes ideologjike të marksizmit me fenë, ide që përjashton çdo ngjashmëri midis tyre.





Duke ndjekur rrugën e konkordancave dhe jo të ndryshimeve, jemi përpjekur të tregojmë se si realizmi socialist është më shumë refleksion i Idesë sesa i realitetit të Shqipërisë, një qasje estetike që shkon në të mirë të numenit dhe jo të fenomenit.





U përpoqëm të zbulojmë, me gjithë jo-kompatibilitetin e marksizmit me fenë pikat e konvergimit të diskurseve, ku takohen mesianizmat e tyre përkatëse, të cilat kanë prodhuar, për pasojë, vepra të artit totalitar që reflektojnë, me gjithë pretendimin realist dhe ateist që kanë, një përmbajtje me karakter surreal dhe fetar të mbizotëruar nga mesianizmi utopik marksist. Ky ishte qëllimi ynë dhe prurja e vërtetë e kësaj teze.





Përktheu nga origjinali frëngjisht: Ardian Klosi

*nëntitujt janë të përkthyesit





Historia





Historia e lidhjeve midis marksizëm-leninizmit dhe fesë na jep me mijëra shembuj të luftës së egër midis tyre.



Utopia





Realizmi Socialist ushqehet nga ambicia për ta bërë të kapshëm realisht motorin më të fuqishëm të Historisë: ëndrrën mesianike.



Ortodoksia





Thelbi i realizmit socialist nuk gjendet në recetat e tij formale por në statusin e ortodoksisë që ka, tek e vendos artin nën juridiksionin e shtetit-parti totalitar.



Koha





Përgjatë një gjysmë shekulli në peizazhe ishte e ndaluar të binte qoftë dhe një pikë shiu. Në parajsë nuk bie asnjëherë shi, po kështu edhe në artin e realizmit socialist.





Shokët





Nga qëndrimi i dy drejtuesve të Shqipërisë komuniste Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, konstatojmë që nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga triumfalizmi dhe konfidenca e tyre.





Estetika





Jemi përpjekur të tregojmë se si realizmi socialist është refleksion i Idesë sesa i realitetit të Shqipërisë, një qasje estetike që shkon në të mirë të numenit dhe jo të fenomenit.