Derbi i Milanos mbetet një sfidë e veçantë për të gjithë futbollistët kuqezi, veçanërisht për spanjollin Suso. Mbetet një nga lojtarët me cilësi të jashtëzakonshme teknike, i cili gjithmonë i ka rezistuar tundimit për të veshur fanellën zikaltër. E tregon vetë 24-vjeçari për mediat italiane para derbit të së dielës.


Interi më kërkoi në vitin 2017, por edhe verën që sapo kaloi, por unë kurrë nuk ka menduar të ndryshoj fanellë. Jam shumë i kënaqur që qëndrova te Milani, tha ai.


Nuk është një mister që zikaltrit kërkonin një alternativë për Perisicin dhe Candrevan në krahët e sulmit. Suso kishte profilin e duhur, por në pamundësi për të blerë spanjollin, u afruan Politano dhe Keita.


Jam surprizuar kur Mirabelli (ish-drejtuesi kuqezi) u shpreh publikisht se nuk kishte dijeni për një ofertë zyrtare nga Interi, sepse ne kishim folur për këtë çështje. Gjithsesi, qëllimi im ishte të qëndroja, deklaroi Suso.


Edhe sot, zërat e merkatos nuk mungojnë për Suson.


Gëzohem kur dëgjoj të më afrojnë me Barcelonën apo me Manchester City-n, por Milani është skuadër e madhe. Nuk i dihet kurrë të ardhmes, por unë gjithmonë jam shprehur se jam i lumtur në Milano. Nuk mendoj të ndryshoj skuadër brenda kampionatit italian. Nëse Milani nuk do të më donte, atëherë do të ndryshonte puna, shtoi ai.


Spanjolli, kur pyetet për Gasttuson, shpërthen me fjalë të mëdha për ish-mesfushorin kuqezi.


Kur isha i vogël më bënte shumë përshtypje shpirti i tij luftarak. Mendoj se është njeriu i duhur në vendin e duhur. Pikat e referimit? Më pëlqen shumë Hazard, nuk lodhem duke e ndjekur. Kur isha fëmijë, çmendesha pas Kakasë, zgjidhte gjithmonë kohën dhe vendin e duhur për të pasuar ose goditur portën, tha ai.


19 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)