Sonila Merolli

Gjithmonë ka dashur të bëj 100 gjëra njëherësh dhe ashtu ka ndodhur. Një adet që Suzana Guxholli e ruan edhe sot. Madje në vegjëli e kapte një “lakmi” për të përpirë gjithçka që i dilte para syve. “Kur diçka më pëlqente, më kapte një lloj ankthi se do më ikte mundësia dhe i thosha vetes shfrytëzoje sa e ke në dorë. Një gjë e tillë më ndodhte edhe kur shihja një film të bukur, mendoja bobo do të më mbarojë”, tregon ajo. Nuk është fort e lehtë të puqesh me zonjën Guxholli, edhe në momentin që më në fund vjen takimi, teksa të mirëpret me një buzëqeshje dashamirëse, nxiton t’i përgjigjet një punonjësi. Në ato pak çaste nuk mund të mos përhumbesh në ambientin, që gjendet në katin e dytë në godinën e Kryeministrisë. Parafytyrimi i një zyre mes shkresurinave dhe shifrave bie poshtë, teksa sheh një mini-galeri, ku ekspozohen piktura të zgjedhura me tepër sqimë si dhe buqeta pa fund lulesh. Pa as më të voglin kompleks “alla-femëror” mbi moshën, na rrëfen se disa ditë më parë ka festuar 53-vjetorin e lindjes. “Nuk druhem të them moshën pasi jam kaq vjet sa jam se kam jetuar”, shprehet ajo. Edhe pse lindur dhe rritur në Tiranë, thekson se origjina e saj është nga Pogradeci, dhe se pjesën më të madhe të pushimeve i ka kaluar pranë liqenit. Ndërsa kujton këtë të fundit sytë e kaltër përhumben në kujtime. Me gjithë nostalgjinë që i shkakton biseda Suzana i kthehet rrëfimit nga rinia e hershme...
* * *
Mania për të mbajtur “dy kunguj në një sqetull”, në rastin e saj edhe më shumë, do të përsëritej edhe kur nisi studimet e larta në dy degë njëkohësisht, edhe pse këmbëngul që kësaj here arsyet ishin të forta. Prapëseprapë nuk la gur pa lëvizur që të arrinte synimet. “Nuk besoj se kishte ndonjë në brezin tim që dëshironte të bëhej ekonomist, pasi asokohe ishte një profesion racional, pa asnjë nga hapësirat që të ofrohen sot. Edhe pse nuk lejoheshin dy fakultete, ishin bërë lëshime për një kolegun tim. Unë mora shtysë nga ai, dhe në mënyrë miqësore takova dekanin. çuditërisht, m’u dha e drejta dhe kështu paraqita shkoja në Fakultetin Ekonomik, pasdite tre herë në javë ndiqja leksionet në degën e Inxhinierisë Mekanike”, sqaron Guxholli. Krahas peshës së dy fakulteteve, një tjetër angazhim ishte familja e saj e re, me djalin e vogël, kur ishte akoma studente. “Me të njëjtin vrull që më karakterizonte, u dashurova herët që në maturë, për t’u martuar në moshën 20 vjeçe, pasi ngela shtatzënë me djalin”. Me gjithë angazhimet dhe përgjegjësitë e reja që i shtoheshin, kur flet për këtë periudhë nuk e përkufizon si pjesë të vështirë të jetës, përkundrazi. Kujtimet “më të zeza” i ruan në kohën kur përfundoi dy fakultetet, dhe pritshmëria nga ana e saj ishte për një pozicion të denjë. Por pikërisht këtu pësoi zhgënjimin e parë. “Përfundova te fabrika e qelqit, përgjatë një viti. Aty ishte një tmerr i vërtetë. Isha 21 vjeçe. Gjithë ato ëndrra dhe investimi që kisha bërë më dukej i pavlerë. Një kontabiliste e thjeshtë që mbushte ca fatura dhe çonte e merrte dokumentet në bankë. U zhgënjeva pa masë, aq më tepër që në fabrikën e qelqit ato kohë punonin kush kishte biografi te keqe apo ata që sapo kishin dalë nga burgu”. Por edhe këtë periudhë e hodhi pas krahëve kur mori vesh lajmin e emërimit si lektore në Fakultetin Ekonomik. Sa për diplomën e dytë, edhe pse nuk i shërbeu asnjëherë, ajo e përkufizon si një fizkulturë trajnimi të mendjes, dhe kurrsesi vite të humbura, aq më tepër pas përmbysjes së sistemit.
* * *
Natyra energjike iu shpërblye më së miri, gruas që prej vitesh mban postin e këshilltares së Kryeministrit për çështjet ekonomike. E konsideron veten me fat, por sigurisht nuk është rastësisht në atë pozicion. Vijon ta shohë si sfidë të madhe, por gjithmonë nuk i mungon pasioni, pasi siç thekson edhe vetë; “Nuk mund ta bësh dot si duhet, nëse nuk e do atë çka bën”...
* * *
Në një tjetër kënd të zyrës, pranë tavolinës së saj të punës Suzana mban fotografitë e dy fëmijëve të saj, djali 31-vjeç dhe vajza 27- vjeçe. Teksa i kthehet kujtimeve të tyre në vegjëli, na flet për pengun me fëmijërinë e humbur të djalit: “Ngarkesa me dy fakultetet, bënë që ta çoja djalin te prindërit e mi, unë e merrja në fundjavë. Me djalin kam një lloj dhimbjeje për çastet e humbura, ndaj ju them nënave të reja gëzojini se nuk vinë më ajo kohë. Asokohe kam qenë shume e re dhe nuk e kam kuptuar. Duke dashur të bëjë shumë në të njëjtën kohë, kuptohet që koha fizike është e kufizuar”. Megjithatë, kohën e humbur po e zëvendëson më së miri tani që djali është rikthyer në Tiranë, së bashku me nusen e amerikane. Ndërsa, kur lindi vajzën leja e zakonshme u shty deri në katër muaj. Tanimë që ata janë rritur, thotë se raport mes tyre nuk është aspak tradicional, përkundrazi. Me gjithë arritjet e mëdha në karrierë, pohon se kënaqësia më madhe e jetës, janë ditët kur fëmijët e saj janë diplomuar me rezultate maksimale.
* * *
Në fazën që po jeton, relaksi dhe pushimet e zgjatura janë fjalë të huaja. Por si çdo gjë dhe kjo e ka një shpjegim. “Nuk po relaksohem shumë pasi i kam kaluar kënaqësitë kulturore, turistike me intensitet, kur jetoja në Hungari. Kurse tani periudha e përkushtimin më jep kënaqësi. është një fazë që i kam mbaruar detyrimet. Kam një lloj paqeje, punën e bëj me qejf për më tepër kam oraret e mia kam ndërtuar një jetesë siç ma ka qejfi”, pohon ajo. Gjatë viteve në Hungari na rrëfen se ndiqte kurse kërcimi latine, të cilat mbeten pasioni i saj, bënte joga rregullisht, shkonte në palestër etj. Përpos këtyre aktiviteteve primare, lista e pasioneve dhe dëshirave është aq e gjatë sa do duheshin faqe të tëra për t’u përshkruar, por gjithsesi filmat, opera, teatri, udhëtimet dhe kafetë kur janë me kohë të limituar, vijon t’i frekuentojë hera-herës.