Në një ceremoni të zhvilluar në Tiranë, u finalizua sot negocimi për Marrëveshjen e Mirëmbajtjes midis TAP-it dhe shoqërisë së përbashkët të krijuar nga Albgaz Sh.a e Snam S.p.a. me qëllim ofrimin e shërbimit të mirëmbajtjes për Gazsjellësin Trans Adriatik në territorin e Shqipërisë. Të pranishëm ishin Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri; Drejtori Menaxhues i TAP-it Luca Schieppatti; drejtuesi i Albgaz Arbër Avrami; përfaqësuesi i kompanisë italiane SNAM Sergio Busatto, drejtori i BERZH-it dhe ambasadorët e Zvicrës e Italisë në Tiranë.


Gjatë procesit të negociatave, qeveria shqiptare u ndihmua nga konsulentët e kompanisë Roland Berger falë mbështetjes financiare që qeveria e Konfederatës Zvicerane ka dhënë përmes SECO-s me qëllim asistencën teknike për rritjen e kapaciteteve të infrastrukturës së gazit në Shqipëri.


Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri e vlerësoi si mjaft të rëndësishme marrëveshjen për të ardhmen e infrastrukturës së gazit në Shqipëri.


Do ta quaja një gur kilometrik në suksesin e këtij projekti kaq kompleks si gazsjellësi TAP. Për herë të parë, një kompani shqiptare si Albgaz, me ndihmën e asaj italiane SNAM do mund të marrë përsipër kryerjen e një shërbimi për një projekt kaq të madh e të rëndëssihëm si gazsjellësi TAP. Krijohet një vlerë e shtuar jo vetëm nga pikëpamja ekonomike por mbi të gjitha nga ajo që Shqipëria ka nevojë, mbajtjen e njerëzve të kualifikuar brenda vendit, theksoi ministri Gjiknuri.


Sipas tij, suksesi i projektit të gazsjellësit TAP do të bëjë të mundur shumë shpejt edhe gazifikimin e Shqipërisë por edhe ndërlidhjen me projektin tjetër të gazsjellësit Jonian-Adriatik (IAP).


Po ka provë të vërtetë sesi funksionon administrata shqiptare karshi investimeve të mëdha TAP-i është shembulli i vërtetë. Shqipëria doli vendi më i suksesshëm që ky projekt të implementohej në kohë. Kjo realisht është një dekoratë krenarie që ne e themi kudo sepse bëmë këtë të mundur karshi shumë dyshimeve që kishin të tjerët në momentet kur filloi ky projekt, insistoi ministri Gjiknuri.


14 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)