TIRANE- Universiteti i Tiranës ka nisur rregjistrimin e kandidatëve që do t'ui nënshtrohen testit të TOEFL-it. Është ngritur zyra e UT-ETS e cila ndodhet në godinën e ish-Kinoklubit të Qytetit Studenti, e cila qëndron e hapur nga e hëna deri të premten dhe i ofron të gjithë studentëve informacion mbi testet e anglishtes të ofruara nga UT, procedurat e regjistrimit në secilin prej tyre si dhe detaje të mëtejshme mbi datat e provimeve të gjuhës angleze. Testi i TOEFL ITP shërben për të matur nivelin e zotërimit të gjuhës angleze nga ai mesatari deri tek i avancuari për kompetencat e të dëgjuarit, të shkruarit dhe të lexuarit. Ai është i përdorshëm për qëllime akademike në drejtime si: pranimi në institucione të ndryshme; përfundimi i një kursi studimi, përmbushja e detyrimit të diplomimit, vlerësimin e progresit etj. Testi i TOEFL ITP përbëhet nga testet e TOEFL-it (paper-based) të administruara më parë. Në anën tjetër, testi i TOEIC vlerëson zotërimin e gjuhës angleze në biznesin ndërkombëtar në nivelet mesatare dhe të avancuara. Ai teston kompetencat e të dëgjuarit, të lexuarit dhe ato gramatikore të kandidatit. Të dyja këto teste ndërkombëtare të gjuhës angleze janë të vlefshme për marrjen e diplomës Master ose Doktoraturë. Studentët mund të regjistrohen në secilin prej tyre dhe t'i japin ato disa herë deri sa të marrin pikët e duhura për t'u kualifikuar në nivelet e përcaktuara nga MASH. Testi i TOEFL ITP vlen për një periudhë dy-vjeçare, ndërsa ai i TOEIC është i vlefshëm gjatë gjithë jetës.
(s.g/balkanWeb)