Jorida Tabaku i kërkoi Parlamentit dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë tu vënë në dispozicion deputetëve të opozitës raportin e publikuar për paratë e pista.


Raporti që ka bërë departamenti i mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë provon katërcipërisht atë që opozita ka theksuar gjatë një viti, pastrimin e parave, deklaroi Jorida Tabaku në Komisionin e Ekonomisë, duke vënë në dukje se afera korruptive e Teatrit është shembulli konkret i pastrimit të parave.


Fakti që asnjë zyrtar nuk është në gjendje të përgjigjet, na bën të dyshojmë se kjo kontratë nuk është prodhuar në zyrat e shtetit. Afera e teatrit është shembulli më i fortë, dëshmon se paratë e krimit dhe të drogës janë duke depërtuar në ekonomi, tha Tabaku.


Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë theksoi se është sektori i ndërtimit fusha ku po pastrohen paratë. Tabaku citoi raportin akoma konfidencial të Bankës së Shqipërisë që thoshte Në disa raste nuk disponohen dokumente që provojnë burimin e fondeve, të cilat kryesisht mbeten në nivel deklaratash për transaksione të kryera nga klientët me para fizike cash, në llogari individuale tregtare.


Tabaku citoi edhe një pjesë tjetër të publikuar në media, ku thuhet se Banka e Shqipërisë me inspektimet e saj me fokus rastet e pastrimit të parave ka gjetur transaksione të pajustifikuara të kryera në këto banka. Janë gjetur mangësi në plotësimin e të dhënave të klientëve në biznes në sistem si edhe klasifikimin e klientëve sipas rrezikut ku konstatohen mangësi në kundërshtim me ligjin e parandalimit të pastrimit të parave.


Sipas Raportit numri i institucioneve financiare jobankare është dyfishuar.


Janë institucione të cilat janë jashtë sistemit bankar dhe janë duke u përdorur për pastrim parash. Kërkoj informacion për pikat e këmbimit të parave. Sipas të dhënave tona, pikat e këmbimit të parave janë duke u rritur në mënyrë eksponenciale, Exchange të cilat po përdoren njëkohësisht për pastrim parash. Kërkojmë informacion edhe nga Ministria e drejtësisë për kontratat që janë duke u bërë tek noterët. Informacion që ky Raport i Bankës së Shqipërisë, i departamentit të mbikëqyrjes e përmend. Kontratat e dorëzanisë tek noterët janë duke angazhuar shurma fondesh të jashtëzakonshme duke i përdorur këto si burim i pastrimit të parave, u shpreh Tabaku.


17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)