Vetëm një ditë pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha se arsimi i lartë do të pësojë ndryshime, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj ka paraqitur përpara mediave ndryshimet e ligjit ekzistues të arsimit të lartë. Tashmë nuk do të ketë më diploma të nivelit të parë apo mastera të nivelit të dytë. Arsimi i lartë do të ndahet në 3 cikle , cikli i parë do të jetë Bachelori , cikli i dytë do të jetë masteri , që do të ketë dy tipe, master profesional që zgjatë 1 vit e gjysëm dhe ka 90 kredite , dhe master shkencor që zgjatë 2 vjet dhe ka 120 kredite. Ndërkohë cikli i tretë do të jetë cikli i doktoraturës , të cilin do të mund ta vazhdojnë vetëm ata student që përfundojnë masterin shkencor.





Ndërkohë ministri Tafaj ka deklaruar se të gjithë studentet që duan të vazhdojnë masterin , por edhe doktoraturën duhet ta kenë të mbrojtur gjuhën angleze me test internacional.





Ndërkohë mes ndryshimeve në ligjin e arsimit të lartë , ministri Tafaj ka deklaruar se do të jetë edhe decentralizimi i vendimmarrjes.