Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës Saimir Tahiri ka zhvilluar një takim me të rinjtë që votojnë për herë të parë në Kamëz. Duke ju referuar çadrës së opozitës, Tahiri deklaroi se ata nuk duan zgjedhje pasi duan destabilitet dhe kërkojnë të mbajnë peng Shqipërinë.


”Në 18 qershor, ose do shkojmë të futemi të gjithë bashkë në çadër, ose në 18 qershor do i tregojmë Shqipërisë që PS dhe Edi Rama vlen aq sa për ta çuar Shqipërinë përpara në rrugën që duhet”, nënvizoi kreu i PS-së Tiranë.


Tahiri i bëri thirrje të rinjve të Kamzës të marrin në dorë fatin e tyre në mënyrë që të bëjmë të gjithë bashkë Shqipërinë që duam. Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës u shpreh optimist se të gjithë bashkë do të kthejnë faqen e historisë për Kamzën.


”Kamza ka mbetur peng 20 e kusur vite, por unë kam bindjen që kjo skuadër fituese që jeni këtu, bashkë me Sadriun, në 18 qershor do ktheni faqen e historisë për Kamzën” theksoi ndër të tjera Tahiri.


Tahiri akuzoi opozitën se kërkon destabilitet dhe se kërkon ta mbajë vendin peng të së shkuarës. Ka ca që nuk duan zgjedhje, sepse duan destabilitet. Ka ca që nuk duan zgjedhje, sepse duan ta mbajnë peng Shqipërinë. Ka ca që nuk duan zgjedhje, sepse duan më shumë pushtetin e tyre. Në 18 qershor këto rrugë do ndahen. Kush është sot 25 vjeç, ka lindur duke pasur Saliun në qeveri. Ne na duhet që ju, pikërisht ju, të rinjtë, të merrni në dorë fatin e tuaj. Bindni këdo që realisht beson se ka fuqi mjaftueshëm për ta bërë Shqipërinë. Kamza ka mbetur peng 20 e kusur vite. Kjo skuadër në 18 qershor do kthejë faqen e historisë për Kamzën.


21 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)