Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u pyet përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda nëse kishte pengje për periudhën kur ishte ministër i Brendshëm dhe tani ndodhet i pandehur zyrtar.


Përgjigja ka qenë emocionuese në dukje, teksa ish-ministri, tashmë sërish i pandehur në Shqipëri, tha se mbetet ministri kampion, nofka që i vendosi kryeministri Rama gjatë periudhës që drejtoi Ministrinë e Brendshme.


Nga sot e tutje që mbaron hetimi keni folur vetëm unë, unë nuk kam folur për mënyrën si janë zhvilluar ngjarjet, sot e tutje do të flas edhe unë në gjykatë dhe publikun, nuk mund të jetë më një proces i mbyllur, ku provat trafikohen nëpërmjet…Nuk bëj politikë deri në momentin kur kjo çështje që më hapi politika të mbyllet. Çdo kusur që po përjetoj deri tani do ja dal deri në fund, nuk është dhe aq e kollajtë që të jem ose jo unë kurbani, nuk më shqetëson shumë kjo. Unë jam prapë ministri kampion të jeni të bindur, atë që kam bërë për policinë nuk mund t’i ktheni kurrë mbrapa. “, – tha Tahiri para gazetarëve pasi doli nga seanca maratonë gjyqësore.


Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi sot kërkesën për pushim të çështjes dhe vendosi të dërgojë për gjykim Saimir Tahirin dhe tre ish-drejtuesit e policisë. Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela përmes avokatëve të tyre kanë kërkuar nga gjykata gjykim të shkurtuar pa pranim fajësie.


Ndërsa për të pandehurit e tjerë nuk është marrë parasysh nga gjykata kërkesa për gjykim të shkurtuar. Dosja tani kalon në short dhe përcaktohet një tjetër trupë gjykuese që do të merret me gjykimin e çështjes.


Pas seancës maratonë me dyer të mbyllura që zgjati rreth 8 orë, ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se ajo që vjen para është më e rëndësishme se ajo që kaloi.