Tajlandë, protestuesit sfidojnë qeverinë

17/05/2010 21:25





Protestuesit anti-qeveritarë në Bangkok kanë sfiduar urdhërin për të braktisur kampin e tyre në kryeqytet.



Manifestuesit, shumica e të cilëve gra, vazhdojnë të qëndrojnë dhe të mbajnë fjalime në podiumin që ndodhet në qendër të kampit të tyre edhe pse ora e përcaktuar me ultimatum ka kaluar.



Ushtarët kanë qëlluar plumba të vërtetë për të mbajtur protestuesit larg, pasi një ministër deklaroi se operacioni për të izoluar zonën e tyre do të vazhdojë.



Dhuna që prej ditës së shtunë ka shkaktuar 36 të vdekur dhe rreth 250 të plagosur. Një nga viktimat ishte gjenerali renegat Khattiya Sawasdipol, i cili vdiq të hënën, 5 ditë pasi ishte qëlluar në kokë.



Gjenerali, i njohur ndryshe me nofkën "komandanti i kuq", u qëllua nga larg nga një atentator i paidentifikuar teksa u fliste gazetarëve për mbështetjen e tij ndaj protestës.