Takim brezash është projekti i realizuar sot nga Fondacioni Tradita Popullore dhe Teatri Metropol i Tiranës, me mbështetjen e Bashkisë dhe Agjencisë së Zhvillimit Rajonal.


Aktiviteti përfshin një sfilatë me veshje tradicionale të viteve 800, veshje të reja të modeluara nga nxënësit e gjimnazeve të kryeqytetit, si dhe një koncert me valle nga Ansambli Tirana.


Qëllimi i këtij projekti është edukimi i të rinjve nëpërmjet elementeve të trashëgimisë kulturore dhe promovimi  i veshjeve, valleve dhe lojërave tradicionale të krahinës së Tiranës,  si  një vlerë e çmuar e  trashëgimisë kulturore shqiptare, shprehet koordinatorja e  Teatrit Metropol, Lorela Musta.


Takim brezash ka nisur punën, që në fillim të muajit qershor dhe është implementuar në 10 gjimnaze të Tiranës, mes tyre edhe dy institutet Instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë dhe Instituti i nxënësve me vështirësi në shikim (Ramazan Kabashi).


Përfaqësues të Ansamblit Tirana kanë realizuar workshope të veçanta mbi hulumtimin dhe realizimin e veshjeve tradicionale, nga të cilat më pas nxënësit e shkollave, u frymëzuan dhe realizuan modelet e tyre.


Sipas koordinatores Lorela Musta, e cila është marrë me implementimin e projektit nëpër shkolla, nga rreth 200 punime të nxënësve, u përzgjodhën 11 punime veshjesh,  të cilat më pas u realizuan në atelie nga artizanët.


Nxënësit pas skicimit të modeleve, kanë ndjekur nga afër në atelie, punimet e tyre, të cilat u përzgjodhën për tu realizuar, thotë Musta.


Takim brezash, u mbajt mesditën e sotme në  Sheshin Skënderbej, ku u ndanë edhe tri çmime për veshjet më të mira të realizuar nga nxënësit e shkollave.


Teatri Metropol është i vetmi teatër në Shqipëri, që punon me platformë të qartë edukative, i cili pas organizimit të Festivalit të Dramës Shqipe Metrofest, po realizon këtë projekt, që synon promovimin dhe edukimin e të rinjve me trashëgiminë kulturore.


18 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)