Duke filluar nga 7 janari 2014, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, është duke mbajtur takime me veteranët në mbarë vendin. Takimet po mbahen në bazë të vendimit të Këshillit Drejtues të datës 21 dhjetor 2013. Deri më tani janë mbajtur takimet në Besianë, Fushë Kosovë, Kastriot, Prishtinë, Lypjan, Artanë, Drenas, Klinë, Shtime dhe Pejë.




Sipas një komunikatë të OVL UÇK-së, takimet e radhës do të mbahen sipas këtij orari: 20 janar në Shtërpcë, 21 janar në Prizren, 22 janar në Gjakovë, 23 janar në Dardanë, 24 janar në Deçan dhe 25 janar në Viti.




Në takime po bisedohet për problemet me të cilat preokupohen veteranët, duke vënë theksin tek gjendja e rëndë ekonomike sociale dhe miratimi i ligjit për vlerat e luftës. Përveç njoftimit për së afërmi me problemet e veteranëve, po diskutohet dhe për gjetjen e mënyrave të zgjidhjes sa më të shpejtë të ketyre problemeve.




Veteranët me pjesëmarrje masive në këto tubime, po shprehin indinjatën për moszgjedhjen e problemeve të tyre deri më tani, si dhe po shprehin përkrahjen në hapat e ardhshëm që do ndërmarrin organet drejtuese të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thuhet në komunikatë. /Indeksonline/