Kryeministri Sali Berisha ka pritur ditën e djeshme në një takim në zyrën e tij kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të Maqedonisë, Ali Ahmeti. Takimi i zgjeruar ka pasur si qendër të bisedimeve Samitin e ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në muajin prill në Bukuresht, ku pritet që Shqipëria dhe Maqedonia të marrin ftesën për të qenë anëtare. Liderët politikë mbështetën njëri-tjetrin në këtë mision si dhe vlerësuan politikat e ndjekura nga të dyja palët për procesin e anëtarësimit në NATO.

Kryeministri Berisha përshëndeti qëndrimin e forcave politike shqiptare në Maqedoni për qëndrimet e tyre në interes të integrimit të vendit në NATO. Gjithashtu, Berisha siguroi se qeveria shqiptare mbështet zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit në dobi të paqes dhe stabilitetit. “Unë përshëndes qëndrimin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të zotit Ahmeti, qëndrimin e Partisë Demokratike Shqiptare dhe forcave të tjera politike, të cilat kanë vendosur atlantizmin dhe integrimin e Maqedonisë në NATO si interesin më të mirë kombëtar, si interesin më të mirë të Maqedonisë e rajonit dhe kanë ndërtuar në këtë periudhë të gjitha qëndrimet politike në funksion dhe në kontribut të procesit të integrimit, duke luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Unë e përgëzova zotin Ahmeti, sikundër e sigurova se qeveria shqiptare mbështet dhe do të mbështesë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje paqeje dhe stabiliteti për vendin fqinj mik, Maqedoninë”, - tha Berisha. Kryetari i BDI-së, Ahmeti, e njohu Kryeministrin me zhvillimet politike në Maqedoni, veçanërisht në kuadër të përpjekjeve për anëtarësimin e vendit në NATO, në prag të Samitit të Bukureshtit. ”Të dy vendet presim ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, për të cilën kemi punuar në vazhdimësi. Gjithashtu, ne do të punojmë edhe në të ardhmen që në këtë Samit të bëhemi anëtarë të NATO-s. Tani do të hapim për zgjidhje çështje, të cilat kërkojnë tashmë zgjidhje në Maqedoni, siç jeni në dijeni të gjithë, zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe probleme të tjera që ne i kemi afirmuar edhe në marrëveshje me Kryeministrin e Maqedonisë dhe partitë në pushtet në këtë vend”, - tha Ahmeti. Gjithashtu, Ahmeti i shprehu Kryeministrit ngushëllimet dhe solidaritetin për ngjarjen tragjike të Gërdecit. Ai informoi Kryeministrin për gatishmërinë e shprehur nga shumë komuna në Maqedoni për të ndihmuar Bashkinë e Vorës. Kryetari i BDI-së, Ahmeti, është takuar gjatë pasdites edhe me liderin e opozitës, Edi Rama, si dhe me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në takimin me kryetarin e Partisë Socialiste, Ali Ahmeti e njohu kryetarin e PSSH-së, Rama, me zhvillimet e fundit politike në Maqedoni dhe me qëndrimin e tij për zgjedhje të parakohshme pas Samitit të Bukureshtit. Nga ana tjetër, Rama u shpreh se PSSH-ja ndjek me vëmendje zhvillimet në Republikën fqinje të Maqedonisë, si një vend që bashkë me Shqipërinë shpreson që në Samitin e NATO-s në Bukuresht të ftohet për t’u bërë pjesë e aleancës. “Ne inkurajojmë përfaqësuesit zyrtarë të Maqedonisë që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e emrit e të mos ketë asnjë pengesë për marrjen e ftesës në Bukuresht”, - u shpreh Rama. Gjatë takimit me kryetarin e LSI-së Ilir Meta u shkëmbyen mendime mbi zhvillimet politike në vendet respektive dhe mbi progresin e tyre në rrugën e reformave. “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë janë shumë të rëndësishme për stabilitetin, përparimin dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE”, - tha Meta.

Bllokimi i Krrabës vonon delegacionin e Ali Ahmetit



Delegacioni i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të Maqedonisë, i kryesuar nga Ali Ahmeti, është bllokuar ditën e djeshme në Qafën e Krrabës për shkak të reshjeve të dëborës. Takimi i lajmëruar mes dy personaliteteve pritej të ndodhte rreth orës 12.00 në mesditë, por moti i keq shtyu këtë takim. Delegacioni i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të Maqedonisë është detyruar të presë zhbllokimin e rrugës në Qafë Krrabë. Sipas raportimeve, dëbora ka vazhduar gjatë ditës në këtë zonë duke bërë që niveli i saj të arrijë 10 centimetra si dhe të shkaktojë ngrica si rezultat i temperaturave të ulëta.





26 Mars 2008