Kryeministri Edi Rama priti ministrin e Jashtëm të Greqisë, Evangelos Venizelos, i cili viziton Tiranën në vijim të turit Ballkanik, në kuadër të Presidencës greke të Këshillit të Bashkimit Evropian.



Rama shprehu gatishmërinë e Qeverisë shqiptare, për t’i dhënë përmasa të reja bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në gjithë fushat, në kuadër të miqësisë e të fqinjësisë së mirë dhe të partneritetit strategjik. Në fokus të bisedës ishte perspektiva evropiane e Shqipërisë, për të cilën Kryeministri u shpreh besimplotë për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin Qershor, gjatë Presidencës greke. Sipas një njoftimi për shtyp të Kryeministrisë, Venizelos vlerësoi angazhimin e Qeverisë shqiptare dhe e siguroi Kryeministrin Rama, se marrja e statusit të Shqipërisë gjatë Presidencës greke të BE-së është një prioritet kyç i saj. Madje, zoti Venizelos i ofroi Kryeministrit Rama mbështetjen për bashkëpunim edhe në nivel teknik, me ekspertë të vendit të tij, për të përshpejtuar procesin e afrimit të Shqipërisë me BE-në. / Top Channel