Takimi me Vladimir putin dhe më pas deklaratat si President i SHBA-ve duke mbrojtur Rusinë për pretendimet e ndërhyrjes në zgjedhjet e 2016-ës, e kanë vendosur Donald Tru,mp përballë një breshërie kritikash në Amerikë.


Nga Helsinki, Trump kundërshtoi agjensitë e inteligjencës amerikane, duke thënë se Rusia nuk kishte arsye për të ndërhyrë në zgjedhje.


“Presidenti Putin thotë se Rusia nuk ndërhyri. Unë nuk shoh ndonjë arsye pse kjo duhej të ndodhte”, tha Trump në deklaratën që ka bërë të shpërthejë zemërimi kundër tij. Ai gjithashtu fajësoi administratat e mëparshme amerikane, veçanërisht atë të Obamës, për nxitjen e marrëdhënieve të tensionuara me Rusinë.


Por kreu i republikanëve në Kongres, kryetari i dhomës Paul Ryan, tha se Trump duhet të hapë sytë e të kuptojë se “Rusia nuk është aleate” e SHBA-ve.


“Nuk ka ekuivalencë morale midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e cila mbetet armiqësore ndaj vlerave dhe idealeve tona më themelore. Nuk ka asnjë diskutim që Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, tha Ryan.


Edhe vetë shefi i inteligjencës së presidentit publikisht shpërtheu kundër deklaratës së tij. Rusia është përgjegjëse për përpjekjet e vazhdueshme dhe të përhapura për të minuar demokracinë amerikane, tha në një deklaratë Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës Dan Coats.


Ndërkohë senatori John Mçain, një anëtar kyç i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, tha se samiti Trump-Putin ishte një “shfaqje e turpshme”.


“Asnjë president i mëparshëm kurrë nuk e ka ulur veten kaq keq para një tirani”, tha Mçain në një deklaratë.


Në një seri postimesh, udhëheqësi Demokratik i Senatit, Chuck Schumer, tha se veprimet e  Trump kishin “forcuar kundërshtarët tanë duke dobësuar mbrojtjen tonë dhe ato të aleatëve tanë”.


Ish-drejtori i CIA-s John Brennan tha se konferenca e lajmeve e Trump ishte “tradhëti”. “Jo vetëm që komentet e Trump ishin imbecile, por ai është tërësisht në xhepin e Putinit. Patriotët republikanë: Ku jeni?”, shkroi ai.


Ndërkohë, Zëvendëspresidenti Mike Pence mbrojti samitin dhe vlerësoi Presidentin Trump.


17 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)