Kryeministri Edi Rama tha se nuk u arrit të gjendet gjuha e përbashkët me opozitën parlamentare në takimin e sotëm, sa i takon diskutimeve për Reformën Zgjedhore.


Në një komunikim për mediat pas përfundimit të takimit, Rama tha se marrëveshja e arritur në Këshillin Politik është një bazë mbi të cilën mund të shtojmë, por nuk mund të heqim.


Ai tha se maxhoranca është e gatshme të konsiderojë një formulë të hapjes së listave, por shtoi se kjo duhet arritur me një konsensus trepalësh, “ku asnjëra nuk do fitojë gjithçka që dëshiron”.


rama


Jo sepse kemi një konflikt në themel që lidhet me marrëveshjen që kemi bërë me opozitën jashtëparlamentare dhe për mua ajo është një bazë mbi të cilën sigurisht që mund të zhvillojmë më tutje procesin dhe mund të shtojmë, por nuk mund të heqim. Ne jemi të gatshëm të konsiderojmë një formulë të hapjes së listave, të diskutojmë për ta formalizuar përgjatë procesit të diskutimeve dhe për të arritur në një konsensus tre palësh. Në një konsensus trepalësh askush nuk do marrë gjithçka që dëshiron, të treja palët do të duhet të pranojnë diçka që nuk dëshirojnë, por e rëndësishme është që të gjithë të kenë zë në proces.


E para kemi nevojë për një maxhorancë te gjerë në Kuvend, që është shumë përtej asaj që kemi. PS nuk do të angazhohet në procese kapje të një vote këtu e një atje për të bërë një ligj kaq të rëndësishëm dhe unë nuk kam ndonjë respekt më të madh për ata që janë jashtë se për këta që janë brenda, por askush nuk ka as monopol e privilegje.


Sot është e vërtetë që një shumicë dërmuese e qytetarëve duan të kenë më shumë zë në proces, kjo është më se e qartë dhe ne e kemi sfidë të jemi pasqyrë ku reflektohen dëshirat e njerëzve dhe në një proces ku ne jemi të vendosur të ecim kështu siç jemi, ka shumë rëndësi zgjerimi i aleancës me njerëzit, kjo bëhet duke i përfshirë më shumë në vendimmarrje, por marrëveshja është një pengesë e madhe për anën tjetër, për deputetë aktual të opozitës dhe ata duhet të pajtohen me idenë që duhet ta kapërcejnë.


Nuk mund ti kthehemi marrëveshjes, është një lëshim shumë i madh që i kemi bërë PD dhe këtë ne duhet ta mbajmë, ndërkohë që për të zgjeruar më tutje procesin, miqtë e opozitës parlamentare duhet të mirëkuptojnë ato joparlamenatre. Të gjitha palët duhet të bëjnë lëshime, tha Rama