Përballja e Alisë me Berishën: Ju kërkova të hiqnit dorë, ja çfarë ndodhi, 'u rrëzua komandanti legjendar'





Më 20 shkurt të vitit 1991, rreth orës 13 isha duke shkuar në selinë e Partisë Demokratike, e cila në atë kohë ishte tek Rruga e Kavajës. Rrugët ishin mbushur me protestues të shumtë në mbështetje të studentëve që ishin futur në grevën e urisë, për të hequr emrin e Enver Hoxhës nga Universiteti Shtetëror i Tiranës. Situata ishte e ndezur, policë me skafandra, qen policie e armë përpiqeshin të shpërndanin njerëzit. Protestuesit pasi demonstruan në shesh, u drejtuan nga monumenti i Enverit me thirrje për ta rrëzuar, ndërsa policia i pengonte me të gjitha forcat, ndërsa protestuesit shkulnin pllakat e trotuarit e qëllonin mbi policët. Unë u vendosa nën shkallët e gurta të ish-Ministrisë së Financave në anë të fillimrrugës së Kavajës, përballë monumentit duke parë veprimet e protestuesve që po përpiqeshin ta rrëzonin atë. Pas shumë përpjekjesh, ata mundën ta rrëzonin në orën 14 e 6 minuta. Sapo ra monumenti, mijëra protestues, ndoshta mbi 100 mijë thërrisnin të ekzaltuar: "E hodhëm, e hodhëm, e hodhëm qelbësirën" dhe përqafoheshin burra e gra, pleq e të rinj që nuk e njihnin fare njëri-tjetrin. U bashkova me gëzimin e njerëzve dhe pas disa minutash u sula drejt selisë së PD, e cila në atë kohë ishte në Rrugën e Kavajës përballë Kishës Ortodokse. Ngjita shkallët për tek zyra e z. Berisha, në katin e dytë dhe i thashë me një frymë se çfarë kishte ndodhur. Në atë kohë dëgjuam britma gëzimi në rrugë dhe dolëm në dritaren që shikonte nga Rruga e Kavajës. Po kalonte një grumbull i madh njerëzish të hipur mbi një zetor ku kishin vendosur kokën e monumentit, që ishte të paktën treçerek metër kub e madhe. Në atë kohë erdhën në zyrë zotërinjtë Eduard Selami dhe Edmond Trako.


Z. Berisha tha të shkonim në grevën e urisë në Qytetin e Studentëve. Hipën në një Fiat "Regata" të vjetër, që kryesisht e përdorte z. Berisha. Ata të tre u ulën në sediljen e dytë dhe unë në sediljen e parë. Tek ura e Rrugës së Elbasanit na bllokuan protestuesit, të cilët njohën z. Berisha. Ne zbritem dhe ata e ngritën në krahë duke thërritur "Berisha! Berisha!", "Liri-Demokraci!" dhe "E hoqëm qelbësirën". Ne vazhduam rrugën drejt e tek dera e grevistëve, të cilët nuk na lanë të futeshim brenda. Në atë kohë vjen një person, i cili i thotë z.Berisha se në orën 15 Presidenti Ramiz Alia inicionte një takim me partitë politike. Z. Berisha më thotë që do të shkonim së bashku meqenëse unë isha anëtar i kryesisë së PDSH dhe zotërinjtë Selami e Trako nuk ndodheshin aty në atë moment, sepse ishin bashkuar me protestuesit. Ne kishim vendosur në kryesi që në takimet me drejtuesit e lartë partiakë apo shtetërorë duhet të ishin të paktën 2 vetë nga pala jonë, prandaj u nisëm me një ARO 7-vendëshe të Televizionit, sepse makina jonë nuk dihej ku kishte ngelur nga rrëmuja.


Kur arritëm në sheshin para Universitetit (sot Nënë Tereza), pamë se vendi ishte rrethuar me ushtarakë të armatosur e me skafandra tamam si në një shtetrrethim. U futëm nga porta veriore e Presidencës drejt e në katin nëntokë, ku në një sallë mbledhjesh ishte një tavolinë e madhe vezake me mikrofona për folësit. Para se të uleshim u takuam me z. Spiro Dede, ish-sekretar i KQPPSH, i cili më pyeti se cili isha unë. I thashë emrin. Ai më tha se i vinte keq që ato ditë në gazetën "ZP" ishte shkruar një artikull i gabuar për mua, meqë kisha themeluar në Fabrikën e Tullave Durrës, një seksion të madh të PD. E falënderova dhe u ulëm në karriget që na caktuan.


2


Z. Berisha u ul në krahun e majtë të vendit kryesor, ku më vonë u ul ish-Presidenti Alia. Në krah të majtë të z. Berisha u ula unë, në të majtën time z. Agim Dardha, ish-sekretar i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimeve Profesionale, shoku im me të cilin kishim punuar disa vjet në H/Centralin e Komanit, pranë tij znj. Lumturi Rexha, kryetare e Bashkimit të Grave, në të majtë të saj ishte z. Marash Hajati, kryetar i Lidhjes së Gazetarëve e pranë tij z. Dritëro Agolli, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve.


Përballë zotit Berisha u ul ish-Kryeministri Adil çarçani, në krah të djathtë të tij z.Leka Shkurti i Frontit Demokratik, më në të djathtë z. Sabri Godo, kryetar i Partisë Republikane, që sapo ishte formuar, në krah të zotit Godo ishte z. Spiro Dede nga PPSH-ja.


Siç shihet, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve ishin organizata e shoqata që ne sot i quajmë organizata joqeveritare, pra nuk ishin parti apo subjekte politike, siç i quante në atë kohë PPSH-ja.


Parti politike të vërteta ishim ne të PD-së, PR e z. Godo dhe PPSH-ja në pushtet. Në atë kohë vegjetonte edhe një parti e ashtuquajtur ekologjike, një patericë e PPSH-së, por nuk mbaj mend që në atë takim të ishte dhe kryetari i saj.


Pasi hyri ish-Presidenti Alia, që zuri vendin në krye të tavolinës dhe ish-Kryeministri çarçani përballë zotit Berisha, e hapi mbledhjen me një ton të egër. Ai tha: "Kam tre ditë që i lutem Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane që të mos kërkojnë heqjen e emrit të shokut Enver Hoxha nga universiteti dhe ja se ç'ndodhi, u rrëzua monumenti i komandantit legjendar të Luftës Nacional-çlirimtare…''. Z. Godo e ndërpreu duke i thënë: "Jo Partia Republikane shoku Ramiz". Z. Alia u përgjigj: "Jo, jo Partia Republikane" dhe vazhdoi: "Nëse në lajmet e orës 16 do të jepet rrëzimi i monumentit, do të bëhet katrahurë në të gjithë Shqipërinë. Dikush nga të pranishmit tha se lajmi nuk duhej dhënë, por z. Alia tha se drejtor i Përgjithshëm i RTVSH ishte Sefedin çela, një oportunist që mund ta jepte atë lajm.


Për t'i dalë të keqes përpara, vazhdoi z. Alia, të gjithë ne të bëjmë një deklaratë të përbashkët, në të cilën të dënojmë aktin vandal të rrëzimit të monumentit, ndryshe do të shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Zoti Berisha iu përgjigj flakë për flakë: "Nuk kemi pse bëjmë deklaratë të përbashkët, secila parti ta bëjë për vete deklaratën sipas ideve të saj dhe nuk ka pse të shpallet gjendja e jashtëzakonshme". Atëherë z. Alia tha që secila parti të bëjë deklaratën e vet në TV.


E mori fjalën z. Dede, i cili i thotë: "Shoku Ramiz, me që ju jeni President i Republikës, më takon mua të dal në TV për të dhënë deklaratën në emër të PPSH-së. Unë do ta kritikoj Enver Hoxhën për ato të këqia që i ndodhën Shqipërisë për 50 vjet, ndryshe dërgo njeri tjetër. E merr fjalën z. Dritëro Agolli, i cili tha se familja Hoxha duhet të dalë në TV e të bëjë autokritikë për diktaturën e luftën e klasave. Heshtje! E merr fjalën z. Agim Dardha, një njeri i ndershëm dhe i drejtë, duke thënë: "Shoku Ramiz, kudo që shkojmë na shajnë aq sa na vjen turp ta quajmë veten komunistë, nuk na do njeri". "Mbylle more gojën!", i thotë z. Alia.


3


Zoti Godo në fjalën e tij tha që shoku Ramiz të krijonte Këshillin Presidencial dhe të mos e shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Pothuajse të njëjtat fjalë tha dhe z. Marash Hajati.


Ish-Presidenti Alia akuzoi z. Berisha për grevën e urisë, e cila tha ai, çoi në rrëzimin e monumentit të komandantit. Në atë kohë i vjen një letër dhe ai e lexon me zë të lartë se njëfarë Blendi Gonxhe me protestuesit kërcënon të zhvarrosë shokun Enver nga varrezat e dëshmorëve. Zoti Berisha iu përgjigj se monumentin e Enver Hoxhës e rrëzoi urrejtja popullore dhe studentët nuk janë përgjegjës për këtë. Emri i Enver Hoxhës, vazhdoi ai, duhej hequr me kohë nga universiteti se ai nuk e meritonte atë. Përsa i takon zhvarrimeve, vazhdoi: "Në trojet e mia në Tropojë, ka varre turqish e serbësh, por nuk i ka shkuar mendja askujt që t'i zhvarrosin. çdo gjë bëhet në kohën e vet".


Në atë kohë e merr fjalën ish-Kryeministri Adil çarçani: "Ju të Partisë Demokratike organizuat grevën e urisë dhe u keni çuar studentëve sheqer të helmuar. Ju jeni shkaktarët e kësaj gjendjeje të rëndë". Iu përgjigja unë duke i thënë se ju, shoku Adil, nga njëra anë na akuzoni si organizatorë të grevës së urisë dhe nga ana tjetër, u paskemi çuar sheqer të helmuar studentëve tanë. Kjo nuk ka asnjë kuptim. Studentët e organizuan vetë grevën e urisë dhe po vetë gjetën batanijet, ujin dhe sheqerin. Ne nuk na kanë lejuar as të futemi brenda e jo të kryenim ato veprime që thoni ju".


Pati dhe diskutime të tjera, por jo të kësaj rëndësie që përmenda. Të gjithë ishin kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Pasi dolëm jashtë më thotë z. Berisha: "More Blerim, unë e dija të urtë këtë TAO-TAO-n, por ai qenka shumë i egër". Në atë kohë TAO-TAO quhej në popull Adil çarçani. Tek vetura që sapo hipëm erdhi një burrë i gjatë me një çantë me gjuhën jashtë duke i rënë gjithë inat xhamit të makinës, duke sharë z. Berisha për rrëzimin e monumentit. Z. Berisha nuk reagoi, por i tha shoferit të nisej.


Kam afro 20 vjet që i ruaj këto shënime për një ngjarje të rëndësishme të asaj kohe që nuk është përmendur asnjëherë nga ndonjëri prej pjesëmarrësve në atë takim. Po i botoj, duke menduar se mund të vlejnë në kontekstin e ngjarjeve të asaj dite, që u regjistrua njëherë e përgjithmonë në memorien e popullit tonë.


Ish-pjesëmarrës në takim


Tiranë, më 19 shkurt 2010