Fakulteti i Histori-Filologjisë
 

 
Studentët që ndjekin këto programe do të paguajnë nga 850 lekë të reja për çdo kredit në rast riprovimi
 
 
Marsel LELA
TIRANë -  Fakulteti i Histori-Filologjisë i Universitetit të Tiranës ka përcaktuar tarifat për programet e studimit Master i Nivelit të Parë dhe Diplomë e Nivelit të Dytë, si dhe të sistemit me kohë të pjesshme apo part-time për të gjithë vitet. Gjithashtu, ky fakultet ka vendosur edhe një tarifë tjetër për sa u përket krediteve që duhet të marrin studentët që vazhdojnë në programet pasuniversitare, MND, DND dhe DNP.
Studentët që ndjekin këto programe studimi do të paguajnë nga 850 lekë të reja për çdo kredit në rast riprovimi. Për sa iu përket pagesave që do iu nënshtrohen studentët që ndjekin këto programe studimi, tarifat vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin një program të dytë studimi Diplomë e Nivelit të Dytë dhe Master i Nivelit të Parë, do të jenë: 200 mijë lekë të reja për degën e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore. Ndërsa tarifa për të gjithë programet e tjera të studimit do të jenë nga 80 mijë lekë të reja.
Tarifa për programin e studimit Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për program të dytë studimi, për arsim të mesëm dhe për të gjitha programet e tjera, do të jetë 100 mijë lekë të reja.
Gjithashtu, fakulteti i Histori-Filologjisë ka vendosur edhe tarifat për të gjithë vitet akademike, për studentët që do të vazhdojnë studimet në sistemin part-time. Përkatësisht, tarifa e studimit për sistemin me kohë të pjesshme për vitin akademik 2009-2010, për 180 kredite, është 153 mijë lekë të reja.
Ndërsa për këtë vit shkollor, studentët do të paguajnë 38 mijë e 250 lekë të reja. Sipas të dhënave nga ky fakultet, tarifa e shkollimit për çdo kredit në rast riprovimi është 850 lekë të reja.
Tarifa e studimit për vitin e dytë të sistemit part-time është 52 mijë lekë të reja. Tarifa e studimit për vitin e katërt akademik të sistemit part-time është 50 mijë lekë të reja. Ndërsa tarifa e studimit për programet e studimit Master i Nivelit të Dytë në vitin akademik 2009-2010 është 100 mijë lekë të reja.
Studentët duhet të derdhin tarifën e shkollimit për të gjithë sistemet: Diplomë e Nivelit të Dytë, Diplomë e Nivelit të Parë, Master dhe sistemi part-time deri në datën 31 janar 2010, që është edhe afati i fundit i pagesës së këtyre tarifave.
Pagesat e shkollimit për të gjithë ciklet e studimit të fakultetit Histori-Filologji do të jenë si më poshtë: tarifa vjetore e shkollimit për studentët që vazhdojnë në programet Diplomë e Nivelit të Parë, për vitin akademik 2009-2010 është 20 mijë lekë të reja.
Tarifa e studimit për studentët e ciklit të dytë të studimeve në programet Diplomë e Nivelit të Dytë është: Arkeologji 72 mijë lekë të reja, Trashëgimi Kulturore 72 mijë lekë të reja, ndërsa në të gjithë programet e tjera të studimit tarifa do të jetë 48 mijë lekë të reja.
Gjithashtu, tarifa për programet e studimit Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për arsimin e mesëm, për të gjithë programet do të jetë 45 mijë lekë të reja. Ndërsa për programet e tjera Master i Nivelit të Parë, tarifa e studimit do të jetë 60 mijë lekë të reja.
 
 
 
Tarifat për të gjithë programet e studimeve pasuniversitare dhe sistemin part-time
 
 
Fakulteti i Histori-Filologjisë
 
Dega arkeologji – 200 mijë lekë të reja
Dega Trashëgimi Kulturore – 200 mijë lekë të reja
Të gjitha programet e tjera të studimit – 80 mijë lekë të reja
 
Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për program të dytë studimi – 100 mijë lekë të reja
 
Tarifat për sistemin part-time
 
Për vitin akademik 2009-2010, për 180 kredite – 153 mijë lekë të reja
Për këtë vit akademik – 38 mijë e 250 lekë të reja
Për çdo kredit në rast riprovimi - 850 lekë të reja.
Për vitin e dytë - 52 mijë lekë të reja
Për vitin e katërt - 50 mijë lekë të reja
 
Master i Nivelit të Dytë
 
Për vitin akademik 2009-2010 - 100 mijë lekë të reja
Për ata që studiojnë në programet Diplomë e Nivelit të Parë, për vitin akademik 2009-2010 - 20 mijë lekë të reja
 
Për studentët e ciklit të dytë të studimeve në programet DND
 
Arkeologji - 72 mijë lekë të reja
Trashëgimi Kulturore - 72 mijë lekë të reja
Në të gjitha programet e tjera të studimit - 48 mijë lekë të reja
 
Master i Nivelit të Parë në Mësuesi
 
Të gjitha programet - 45 mijë lekë të reja
Programet e tjera Master i Nivelit të Parë - 60 mijë lekë të reja
 
Kuotat dhe tarifat e reja për studimet pasuniversitare
 
Kuotat e doktoraturave për fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës
1.Doktoratë në “Shkencat juridike civile” – 25 kuota
2.Doktoratë në “Shkencat penale” – 25 kuota
3.Doktoratë në “E drejta publike” – 25 kuota
 
Tarifa vjetore e studimit për këto programe – 200 mijë lekë
 
 
 
Katastrofa 
 
Bashkia, solidaritet në ndihmë të familjeve të përmbytura
 
Kutia ku çdo qytetar i kryeqytetit mund të japë kontributin e tij do të qëndrojë në dispozicion nga ora 08:00 deri në 16:00
 
 
Marsel LELA
TIRANë – Bashkia e Tiranës nisi dje mbledhjen e ndihmave për të ndihmuar të gjithë banorët e prekur nga përmbytja. Kreu i kësaj bashkie, Edi Rama, ftoi të gjithë qytetarët të kontribuojnë në ndihmë të atyre njerëzve që vazhdojnë të vuajnë pasojat e kësaj katastrofe.
“Në mënyrë që të jetë një shembull i shprehjes së solidaritetit me fatkeqët e përmbytur, edhe pse jo nga dora e Zotit, por nga dora e robit. Në mënyrë që ata të mos ndjehen vetëm, në mënyrë që askush nga ata të mos ndjehet ashtu sikundër askush nga ne nuk do të donte të ndjehej i gjendur në atë situatë katastrofike”, u shpreh Rama. Ndërkaq, këshilltarët socialistë të Tiranës do të kontribuojnë me një pagë mujore, ndërkohë që ambientet e njësive bashkiake në kryeqytet do të jenë të hapura për të mbledhur veshje, ushqime, lodra dhe gjithçka tjetër të nevojshme për të prekurit nga përmbytjet.
Kutia e kontributeve monetare do të vendoset para Bashkisë së Tiranës prej orës 8:00 deri në 16:00 të pasdites, për t’u tërhequr më pas nga banka ku është hapur llogaria bankare e për të rinisur në orën 8 të mëngjesit tjetër. Bashkia e Tiranës lançoi dje publikisht nismën më të fundit sensibilizuese për mbledhjen e çdo ndihme dhe kontributi financiar apo material, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura në Qarkun e Shkodrës, në veriperëndim të vendit, duke u bërë kështu një shembull i shprehjes së solidaritetit me ata banorë, të cilët tashmë gjenden në një situatë katastrofe humanitare. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se do të jetë së bashku me të zgjedhurit në Këshillin Bashkiak, si dhe të zgjedhurit në njësitë bashkiake për të hapur publikisht dhe për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me publikun e kryeqytetit, procesin e sensibilizimit për mbledhjen e çdo ndihme solidariteti dhe çdo kontributi sado të vogël financiar apo material. “Ne kemi vënë në dispozicion të kësaj lëvizjeje qytetare, të gjithë punonjësit dhe punonjëset e shërbimeve tona sociale. Njësitë bashkiake po ashtu janë të angazhuara me të gjitha mundësitë e tyre dhe jam i bindur se, edhe komuniteti, i cili ka filluar t’i përgjigjet shumë pozitivisht kësaj nisme, do të vazhdojë të shtojë kontributin në të gjithë format dhe në të gjitha rrugët, për të mbërritur te çdo familje në nevojë, në mes të asaj katastrofe humanitare, mesazhi i solidaritetit, mesazhi i shpresës, mesazhi i së nesërmes”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Kutia ku çdo qytetar i kryeqytetit mund të japë kontributin e tij do të qëndrojë në dispozicion nga ora 08:00 deri në 16:00, dhe më pas të ardhurat e mbledhura do të depozitohen në Bankën Kombëtare Tregtare, ku është hapur edhe një numër llogarie në ndihmë të zonave të përmbytura.
Gjithashtu, Ministria e Financave ka nisur edhe ajo një fushatë, që më së shumti i ngjan një “vullnetarizmi të detyruar”. Për t’u ardhur në ndihmë personave që gjenden në zonat e përmbytura të Shkodrës, kjo ministri iu ka bërë thirrje të gjitha ministrive të tjera që të japin kontributin e tyre.
 
 
Lorik Cana, 10 000 euro për familjet në zonën e katastrofës
                    
TIRANë - Përmbytjet e mëdha në zonat e Shkodrës kanë sensibilizuar edhe sportistët që të japin kontributin e tyre në ndihmë të familjeve të këtyre zonave. Lojtari i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka dhuruar në ndihmë të këtyre familjeve 10 mijë euro. Në deklaratën e tij, futbollisti i famshëm shqiptar, dikur idhull i skuadrës së futbollit të Marsejës, tani i asaj të Sanderlendit u shpreh: “Me shqetësimin më të madh po e ndjek situatën në veri të vendit, e cila si pasojë reshjeve dhe prurjeve të shumta ka shkaktuar përmbytje të sipërfaqeve të mëdha territoresh. Duke i ndjerë në vetvete këto pasoja, në shenjë solidarizimi me banorët e këtyre territoreve të përmbytura dhuroj shumën prej 10,000 eurosh, me destinacion për ndihmë të familjeve të këtij rajoni. Me këtë rast inkurajoj të gjitha përpjekjet që shteti shqiptar, individë, organizatat dhe vendet mike, të cilët po bëjnë të pamundurën për t'iu gjetur sa më afër popullatës së këtyre zonave të afektuara nga kjo tragjedi. Në këtë drejtim, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë sado pak mundësi, të ndihmojnë dhe t’u gjenden në çdo formë pranë familjeve të përmbytura, duke i ndihmuar ata, për ta kapërcyer këtë situatë”.
 
 
 
Medikamenti kundër A/H1N1
 
Nuk ka interes për vaksinën, pacientët kanë frikë nga efektet anësore
 
TIRANë – Qytetarët e Tiranës vazhdojnë të mos tregojnë interes për të mos u vaksinuar kundër virusit të gripit të derrit. Sipas mjekëve, janë një numër i vogël qytetarësh që janë vaksinuar kundër këtij virusi. Mjekët shpjegojnë se kjo situatë nuk ka qenë e parashikueshme nga ana e tyre. Sipas tyre, ajo që vihet re është fakti se pacientët kanë frikë nga ndikimet anësore që mund të ketë kjo vaksinë. Në njërën prej qendrave shëndetësore në kryeqytet vetëm dy pacientë janë paraqitur për të marrë vaksinën kundër gripit A/H1N1 deri më tani. Por kjo situatë paraqitet edhe në qendrat e tjera shëndetësore në kryeqytet. Kategoria e vetme që i është nënshtruar vaksinimit kundër virusit vdekjeprurës janë mjekët, megjithëse vetëm pak prej tyre kanë pranuar ta marrin vaksinën. Mjekët specialistë të sëmundjeve infektive bëjnë të ditur se, nga 10 mijë vaksinat e ardhura për kontingjentin e parë, as 10 për qind e tyre nuk kanë arritur të merren. Sipas tyre, në shumicën e rasteve edhe personeli mjekësor nuk është vaksinuar, megjithëse ata janë një prej kategorive që duhet të vaksinohen të parët. Nga ana tjetër, mjekët kanë bërë apel që të gjithë personat, të cilët kanë temperaturë të lartë dhe vuajnë nga sëmundje kronike, të paraqiten menjëherë në spital, në mënyrë që të marrin trajtimin në kohën e duhur. Deri në javën e fundit të dhjetorit, numri i personave zyrtarisht të infektuar në vendin tonë kap shifrën e mbi 400 personave, ndërsa shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë. Duke iu referuar të dhënave më të fundit të ISHP-së, numri i të infektuarve ka shkuar mbi 418 persona. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 15 deri 24 vjeç, ku vihet re edhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se survejanca në të gjithë vendin është plotësuar me informacionin mbi shtrimet në të gjithë spitalet e vendit, si dhe është përforcuar për zbulimin dhe monitorimin e rasteve me sëmundje të rëndë respiratore.
Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve që janë pjesë e këtyre kategorive të riskuara dhe prindërve, të vaksinojnë fëmijët e tyre, sepse vaksina nuk ka efekte të mëdha anësore. Por edhe pas apeleve të përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe qendrave shëndetësore të vendit për marrjen e vaksinës kundër gripit të derrit, shqiptarët refuzojnë të vaksinohen. Madje kanë qenë edhe personat e përcaktuar si grupe risku, të cilët nuk kanë pranuar ta marrin vaksinën kundër virusit A/H1N1. Specialistët e Shëndetit Publik deklarojnë se viroza që po qarkullon në këtë periudhë është A/H1N1. Për fat të mirë, në shumicën e rasteve ajo ka kaluar lehtë si gripi i zakonshëm dhe vetëm në pak persona, kryesisht tek të sëmurët kronikë apo gratë shtatzëna, ka dhënë komplikacione të rënda, deri në humbjen e jetës.