Presidenti Ilir Meta i dorëzoi sot Flamurin Kombëtar ekipit shqiptar, pjesëmarrës në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018, që do të mbahen në Spanjë. Flamuri ju dorëzua kampionit të Ballkanit dhe Evropës në kërcimin së gjati, atletit Izmir Smajlaj.


Në fjalën e tij, Presidenti vlerësoi rëndësinë që ka prezantimi sa më dinjitoz i Shqipërisë në aktivitet ndërkombëtare.


Ju shpreh mirënjohjen time për angazhimin serioz në përgatitjen e delegacionit sportiv, për këtë event kaq të rëndësishëm. Uroj të jepni më të mirën, energjinë tuaj dhe aftësitë tuaja në garat dhe ndeshjet ku ju do të garoni. Sporti është një element i çmuar që na ndihmon në rritjen e identitetit kombëtar, për të qenë sportistë të mirë dhe qytetarë të devotshëm,- tha Presidenti Meta.


Kreu i shtetit theksoi se është e rëndësishme që Shqipëria të arrijë rezultate të larta në përfaqësimet ndërkombëtare.


Suksese dhe përfaqësim sa më dinjitoz të ngjyrave kuq e zi e flamurit kombëtar në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018 në Spanjë. Uroj që portistët që përfaqësojnë ekipin e Shqipërisë të arrijnë rezultate të larta e sa më shumë medalje në këtë Vit Mbarëkombëtar të Skënderbeut,- u shpreh kreu i shtetit.



18 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)