Trajneri i Barcelonës, Gerardo Martino, pret që Lionel Messi të japë më të mirën nga vetja në dy ndeshjet e mëdha – ndaj Milanit në Ligën e Kampionëve dhe ndaj Real Madridit në La Liga. Sulmuesi argjentinas u kthye nga lëndimi vetëm për të luajtur pak minuta në barazimin pa gola ndaj Osasunas, ashtu që ai pritet të jetë në formë maksimale në dy sfidat e rëndësishme.


“Të gjithë e duan më të mirën nga Messi kur ai është në fushë. Ai na ka bërë që ne të presim shumë nga ai. Është diçka me të cilën jemi mësuar që kur ka debutuar në futbollin kulminant. Messi është mirë dhe sapo t’i jepet leja nga ekipi mjekësor, ai rrezikon njësoj si të gjithë lojtarët tjerë”, tha Tata Martino para gazetarëve.


Tata Martino, është i vetëdijshëm për vështirësitë që ofron sfida e “San Siros”. Synimi i katalanasve, sipas Tatas, mbetet kontrolli i topit, por pa e lejuar kundërshtarin të jetë efektiv nëpërmjet kundërsulmeve.


Do jetë një sfidë shumë delikate. Vijmë pas një ndeshjeje të mirë, por pa fitore. Jemi të kënaqur me atë që po bëjmë. Duhet t’u lëmë pak hapësira prapa Milanit dhe të tentojmë kontrollin e lojës. Kur luan kundër ekipeve italiane është thelbësore të mos krijosh situata kundërsulmi në favor të kundërshtarëve.”


Për sfidën ndaj kuqezinjve arguentinasi ka grumbuluar një grup të madh futbollistësh për ta përballuar sa më mirë ndeshjen.


“Prania e 22 lojtarëve ka të bëjë me faktin që do të luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme sa i përket klasifikimit në grup. Nëse fitojmë thuasje do të sigurojmë kalimin e grupit. Mungesa e Balotelit? Kur yjet nuk luajnë, kjo është diçka e keqe për publikun por për kundërshtarin sigurisht që pozitive.”