Arturo Vidal është pa dyshim njëri prej futbollistëve më të mirë në futbollin italian. Kjo ka bërë që gjigandët e futbollit evropian të shfaqin interesim të madh për mesfushorin kilian. E përditshmja spanjolle Sport ka shkruar se trajneri argjentinas i Barcelonës, Gerardo Martino, e ka veçuar yllin e klubit italian, të cilin dëshiron ta ketë në skuadër sezonin e ardhshëm.


“Martino ka zgjedhur: E do Vidalin në Barcelonë”, ka shkruar kjo e përditshme, e afërt me klubin katalanas. Por, për ta bindur ekipin bardhezi që të heq dorë nga ish futbollisti i Bayer Leverkusenit, Kampionia e Spanjës duhet të shpenzojë së paku 50 milionë euro.


Ndër të tjera, për futbollistin kilian interesim ka shprehur edhe Real Madridi. Pra, ka nisur një luftë spanjolle për njërin prej mesfushorëve më të mirë në Evropë. Nuk mungon as oferta nga PSG  e cila është e gatshme të ofrojë madje edhe mbi 50 milionë euro së bashku, por ekipi francez  duket se tashmë është më shumë e orientuar drejt mesfushorit tjetër të  bardhezinjve, Pol Pogba.


Vidal ka qenë lojtari kryesor i ‘Zonjës së Vjetër’ në tre sezonet e fundit, duke e udhëhequr ekipin bardh e zi drejt titullit të tretë rresht në Serie A, të cilin mund ta fitojë sërish sivjet. Kilieni gjatë këtij sezoni është aktivizuar në 29 ndeshje ku ka shënuar 16 gola, 11 prej tyre në  Serinë  A.