Sipas drejtorisë së Tatimeve rreth 18 mijë persona janë punësuar për herë të parë këtë sezon veror, dhe kryesisht në zonat turistike të Durrësit, Vlorës, Lezhës, Shkodrës dhe Sarandës.


Për periudhën 22 qershor 6 gusht 2018 numri i të punësuarve të rinj ishte 18,890, kjo referuar të dhënave të gjeneruara nga Deklarata e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtaz, si dhe të larguarve nga puna. Këto shifra i përkasin Drejtorive Rajonale Durrës, Vlorë, Shkodër, Lezhë, dhe Sarandë ku zhvillohet kryesisht aktiviteti i turizmit dhe reflektojnë punën e përditshme, që administrata tatimore po bën për të ndërgjegjësuar të gjitha subjektet që operojnë në to, në lidhje me detyrimet ligjore, thotë DPT.


Numrin më të lartë të të punësuarve e ka Durrësit me 7,657, e ndjekur nga Vlora me 4,200, Saranda me 2,641, Shkodra me 2,238 dhe Lezha me 2,154.


Gjithashtu, në kuadër të zbatimit të planit të masave për sezonin turistik, referuar të dhënave që disponon Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, rreth 370 tatimpagues janë konstatuar me punonjës të padeklaruar, të cilët u përfshinë në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si pasojë e kontrolleve të ushtruara gjatë kësaj periudhe nga strukturat përkatëse.


8 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)