ballaTaulant Balla, i cili ndodhet në Gjermani për Kongresin e Partisë Socialdemokrate Gjermane, SPD, ka folur edhe për aktualitetin politik në Shqipëri.


Duke folur për Deutsche Welle, akuzat e opozitës për korrupsion Balla i cilëson të pavërteta.


Njëkohësisht ai kujton se “rruga për të kërkuar hetimin e tyre dihet, është vajtja në prokurori dhe nëse kanë akuza t’i çojnë aty. Ajo që është e dëmshme është gjuha që ka përdorur kryetari i PD, nga kryetari de facto i PD, Sali Berisha, po sot edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD, një gjuhë fyese, e papranueshme për një vend që synon anëtarësimin në BE.”


Pyetjes se a kanë bazë kritikat e opozitës se në Shqipëri nuk janë ç’rrënjosur sa duhet simbolet e komunizmit, Taulant Balla i përgjigjet:


“Nuk besoj se PD i vuri flakën një bunkeri apo u theu xhamat ministrive, përfshirë Ministrinë e Brendshme, të Transporteve apo Ministrinë e Rregullimit të Territorit si një përpjekje për të dëmtuar simbolet e komunizmit.”


Balla sheh probleme të brendshme të PD si shkaktare të vërtetë të protestave të ditëve të fundit.


“E para, kjo është një përpjekje për të përshkallëzuar dhunën, me objektiv të qartë për të zhvendosur vëmendjen nga reforma që po zhvillohen shumë qartë në Shqipëri, ndër të cilat, ajo që është më e rëndësishme është reforma në drejtësi.


E dyta, kjo është një përpjekje e Lulzim Bashës personalisht, i cili, në kushtet kur pozicioni i tij në PD është gjithmonë e më i lëkundur, për shkak se shumë figura të rëndësishme në PD e kanë vënë në pikëpyetje lidershipin e tij, një lidership i falur dhe jo i fituar, mundohet që krizën e brendshme në PD, për shkak të mungesës së lidershipit dhe të nevojës që ka vendi për reformën në drejtësi, ta përcjellë në protesta me dhunë.”


Përmendja e reminishencave apo simboleve komuniste nga opozita është për PS “alibi për dhunën e ushtruar dhe për dëmet e shkaktuara gjatë protestës”.


Taulant Balla, njëri nga përfaqësuesit më të njohur të PS e cilëson së fundi në Berlin të dëmshme “që në këto kohë angazhimesh të rëndësishme të Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s dhe aspirant në BE, kemi një parti, që mundohet të përcjellë me imponim krizën brenda vetes në një krizë, e cila nuk ekziston në Shqipëri.”