Pas trajnerit Gian Piero Ventura, që u shkarkua pak ditë më parë pas dështimit për të kualifikuar Italinë në Botërorin e Rusi 2018, nesër mund të vijë dorëheqja e numrit 1 të futbollit italian, presidentit Carlo Tavecchio. Mediat bëjnë me dije se presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) është braktisur nga të gjithë dhe nesër, në mbledhjen e këshillit federal, mund të paraqesë dorëheqjen.


Në një intervistë televizive (do të transmetohet sot nga emisioni Hijenat), Tavecchio ia ka hedhur fajin për këtë dështim të kombëtares trajnerit Ventura, por duket se kjo nuk mjafton.


Tavecchio u zgjodh në krye të FIGC në gusht të 2014-ës dhe në mars të këtij viti u rikonfirmua në këtë detyrë, por dështimi i Italisë ka tronditur nga themelet futbollin italian. Janë të shumtë aktorët e sportit dhe futbollit italian që kanë deklaruar se presidenti duhet të japë dorëheqjen, duke e braktisur Tavecchio, që nuk ka zgjidhje tjetër veç dorëheqjes.


Duket se presidenti nuk ka më nën kontroll shumicën e këshillit federal të Federatës, pasi 11 nga 21 votuesit i ka kundër, ndaj largimi i tij nga detyra duket i pashmangshëm. Gjithçka pritet të zyrtarizohet nesër në mbledhjen e radhës së FIGC, që do të shënojë fundin e epokës Tavecchio.


Në një intervistë për Le Iene, Tavecchio ka treguar mes lotësh se ka 4 ditë që nuk fle gjumë nga dëshpërimi, ndërsa nuk ngurron të fajësojë zgjedhjet teknike dhe taktike të Venturës.


Kam 4 ditë që nuk vë gjumë në sy. Jam thellësisht i dëshpëruar, sepse isha thuajse i sigurt për kualifikimin. Është i gjithë faji i Venturës, sepse bëri zgjedhje teknike dhe taktike krejtësisht të gabuara, por përgjegjësia është edhe e imja, pasi unë e zgjodha trajnerin. Në të 2 takimet kemi luajtur keq, me topin në krah dhe krosime në zonë, kur dihej që suedezët ishin të gjithë nga 1.90 m të gjatë. Duhej të luanim më shumë në qendër dhe me lojtarë shtatshkurtër e teknikë, por që fatkeqësisht qëndronin në stol, tregoi mes lotësh Tavecchio.





Tavecchio a Le Iene


Questa è solo una piccola anticipazione della lunga intervista realizzata da Nicolò De Devitiis al Presidente della FIGC Carlo Tavecchio che rompe il silenzio e ci confida clamorose rivelazioni.


Publié par Le Iene sur samedi 18 novembre 2017



19 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)


19 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)