Të ardhurat nga stadiumet janë një ndër burimet kryesore për klubet më në zë të Europës. Për sezonin 2017-18 në krye të listës me 10 ekipet që kanë arritur të arkëtojnë të ardhura të majme nga shitja e biletave janë Barcelona dhe Reali i Madridit.  Camp Nou me 144.8 milionë euro, ndërsa Santiago Bernabeu me 143.4 milionë euro.


Në vendin e 3-të është mitiku Old Trafford. Teatri i ëndrrave ka mundur të arkëtojë 119 milion euro, ndërsa pas tyre vjen një tjetër impiant anglez, Emirates Stadium i Arsenalit me 111 milionë euro. Gjermania përfaqësohet me Allianz Arenan, stadiumin e Bayernin të Mynihut. Bavarezët, të cilët në çdo ndeshje kanë të pranishëm një numër të madh tifozësh, kanë arkëtuar 103 milionë euro.


Parque des Princes i PSG-s, në vendin e 6-të me 100 milionë. Britanikët në 10 vendet e para përfaqësohen me një tjetër impiant historik, siç është Anfield me 91 milionë euro. Tre vendet e fundit të 10-shes mbahen sërish nga klubet angleze, Wembley me 85 milionë, Stamford Bridge me 83 milionë dhe Etihad i Manchester City-t me 63 milionë euro.


Stadiumet e Italisë janë shumë larg sa u përket të ardhurave krahasuar me impiantet e sipërpërmendura. Përjashtim, deri diku, mund të bëjë Juventusi që mban vendin e 13-të, ndërsa Milani në të 15-in dhe Interi në vendin e 17-të.