Violeta Hyseni, Prishtinë


Shqiptarët e Kosovës, megjithëse shumicë, gjithmonë kanë pretenduar se u janë shtypur të drejtat e tyre në vazhdimësi.
Sipas udhëheqjes politike të Prishtinës, kjo ka qenë arsyeja kryesore që ka përcaktuar gjithë marrëdhëniet e shqiptarëve me Serbinë. Të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi kanë kaluar në periudha të ndryshme.

Kosova, pjesë e Serbisë

Në korrik të vitit 1945, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, organizoi një konferencë të komunistëve në Prizren, ku mori vendim që Kosova t'i bashkohej Serbisë. Kosova fitoi një lloj kushtetute më 1946, ndërsa shumica shqiptare fitoi statusin zyrtar të pakicës. Historianët thonë se terrori shtetëror serb mbi shqiptarët shënoi rritje në vitet 50-të dhe 60-të. Në vitin 1966, ndodhi regjimi i ashtuquajtur i grumbullimit të armëve, si pasojë e të cilit mijëra shqiptarë braktisën Kosovën.
Avokati Azem Vllasi, ish funksionar i lartë në Jugosllavi thotë se një periudhë më e ndritshme për shqiptarët e Kosovës, fillon pas vitit 1966. “Pas rënies së Rankoviçit, Kosova shënon një zhvillim të vrullshëm, më pak të penguar se deri atëherë, dukshëm më të lirshëm, ajo periudhë fillon pas vitit 1966 dhe zgjat deri në vitin 1981”, shprehet zoti Vllasi.
Politikani serb, Momçillo Trajkoviç, ish funksionar në Federatën Jugosllave, thotë se shqiptarët e Kosovës të pakënaqur që janë lënë jashtë kufijve të Shqipërisë, janë munduar që në Jugosllavinë Socialiste të realizojnë të drejtat e tyre nacionale. “Unë mendoj se shqiptarët kanë përfituar më shumë se sa për shembull serbët në Kosovë, të cilët pas vitit 1945 janë lënë anash. Gjithë politikën në Kosovë e kanë udhëhequr komunistët malazezë dhe shqiptarë, ndërsa serbët janë lënë jashtë lojës dhe këtu unë e shoh një problem të madh, i cili më pas ka marrë rrugën e tij”, thotë zoti Trajkoviç.
Nga fundi i viteve të 60-ta, shqiptarët filluan të bëhen më të zëshëm për të drejtat e tyre. Një grup studentësh dhe intelektualësh organizuan një demonstratë gjithëpopullore në vitin 1968. Zenun Çelaj ishte njëri nga gazetarët që ndoqi këtë demonstratë. “Lufta ishte për një barazi sikur të gjithë pjesëtarët tjerë të popujve që e përbënin Jugosllavinë. Policia që u soll nga pjesë tjera të Jugosllavisë u soll me shumë vrazhdësi ndaj demonstruesve, ndaj qytetarëve, u vendosën tanket para institucioneve kryesore, i ngjante vendosjes së një regjimi ushtarak që Kosova e kishte përjetuar praktikisht menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore”, deklaron zoti Çelaj.

Përmirësim statusi

Demonstratat e shqiptarëve në vitin 1968 çuan në përmirësimin e statusit të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Në vitin 1969 gjuha shqipe u sanksionua me ligj si gjuhë e dytë zyrtare, pas asaj serbo-kroate; u legalizua përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar, ndërsa në shkurt të vitit 1970 u themelua edhe Universiteti i Prishtinës. Në rrethana të vështira, pasuan aktivitetet e pareshtura politike të shqiptarëve për realizimin e të drejtave të tyre në ish Jugosllavi, të cilat filluan të përfillen me miratimin e Kushtetutës së vitit 1974.
Kjo kushtetutë e ngriti Kosovën në entitet të fortë juridik në federatën jugosllave. Kosova fitoi të drejtën e përfaqësimit në të gjithë organet e administratës dhe të pushtetit ekzekutiv dhe kishte të drejtën e vetos në federatën e atëhershme jugosllave, sikurse gjashtë njësitë tjera federale. Iljaz Kurteshi njëri prej funksionarëve më të lartë të Federatës Jugosllave, në vitin 1974 ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe i Komisionit Kushtetues.
“Kosova ka pasur anëtarin e Kryesisë në kuadër të sistemit ish-jugosllav, Kosova ka marrë pjesë në zgjidhjen e të gjitha çështjeve. Pa Kuvendin e Kosovës nuk ka mundur të aprovohet asnjë vendim që kishte me qenë i rëndësishëm për sistemin jugosllav në përgjithësi”, u shpreh zoti Kurteshi.

Kushtetuta e vitit 1974

Me kushtetutën e vitit 1974 shqiptarëve në Kosovë iu dha mundësia që të zhvillohen në pikëpamje politike, ekonomike, arsimore, sociale e shëndetësore. U formua Gjykata Supreme e Kosovës, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria dhe Avokati Shoqëror.
Pikërisht kur Kosova kishte shënuar shkallën më të lartë të të drejtave të veta juridike dhe politike në Federatën e atëhershme Jugosllave, ndodhën demonstratat e vitit 1981.
Për shumë analistë këto demonstrata nisën procesin e heqjes së të drejtave të shqiptarëve dhe të Kosovës si entitet, por organizatorët e tyre kishin shpjegime të tjera.

Demonstratat e vitit '81

Sipas tyre, pikërisht në fillim të viteve të 80-ta, Kosova ndodhej në një gjendje shumë të vështirë. Ata thonë se shfrytëzimi i gjithanshëm i Kosovës dhe pasurive të saj sa vinte e shtohej, e bashkë me të edhe diskriminimi i shqiptarëve në krahasim me popujt tjerë në ish Federatën Jugosllave.
Hydajet Hyseni ishte njëri prej organizatorëve të demonstratave të 81-shit. “Gjithë pakënaqësia e grumbulluar u shpreh në parullat që dolën në demonstratat e vitit '81: ‘Duam punë’, ‘Duam kushte’, ‘Stop çmimeve’, ‘Trepça punon, Beogradi ndërtohet’, ‘Të burgosurit politikë të kthehen në Kosovë’, deri të kërkesat edhe më të politizuara si ajo ‘Kosova Republikë’, ‘Republikë Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë’. Dhe parulla që më pastaj u manifestua si një orientim programatik, jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë”, shprehet zoti Hyseni. Sipas njohësve të rrethanave në vitet 80, sistemi legal i Kosovës po përmbysej përditë e më shumë. Në shumë institucione dhe organizata punuese të Kosovës, regjimi i Beogradit po vendoste masa të dhunshme. Në fakt pak vjet pas vitit 1981, gjithë zinxhiri komandues tërhiqej nga Beogradi dhe e vetmja pengesë për autoritetet në Serbi, ishte statusi kushtetues i Kosovës, i cili duhej ndryshuar. Azem Vllasi atë kohë ishte shefi i partisë komuniste në Kosovë. “Ne praktikisht me manovrime politike, me rezistencë politike, me një bashkëpunim me udhëheqësit politike të njësive tjera federale deri më vitet 1988-89 kemi rezistuar dhe kemi mbrojtur pozitën e atëhershme kushtetuese të Kosovës”, thotë zoti Vllasi. Ish-funksionari serb në federatën jugosllave, Momçillo Trajkoviç, thotë se Jugosllavia Socialiste me kushtetutën e vitit 1974 u kishte dhënë mjaft të drejta shqiptarëve të Kosovës. Ai ka vlerësim negativ për lëvizjen shqiptare të viteve të 80-ta në Kosovë. “Kur shqiptarët me kushtetutën e vitit 1974 kanë pasur pothuajse shtetin e tyre, pasi Kosova vetëm formalisht nuk ka qenë shtet, ata kanë dalë me kërkesën për Kosovën Republikë, domethënë nuk kanë qenë të kënaqur as me atë që u kishte dhënë Kushtetuta e vitit 1974. Prandaj unë them se lëvizjet separatiste në Jugosllavi janë shkaktarët kryesore të shkatërrimit të saj”, vlerëson zoti Trajkoviq.

Protesta masive të shqiptarëve

Në vitet 1988-89 filluan protesta masive të shqiptarëve kundër asaj që cilësohej politikë represive e Serbisë ndaj Kosovës.
E tëra kulmoi me grevën e minatorëve të kompleksit Trepça, të cilët në shkurt të vitit 1989 u ngujuan tetë ditë rresht në horizontet e minierës së Stan-Tërgut, në mbrojtje të pozitës kushtetutese të Kosovës. Grevës së minatorëve iu bashkuan studentët, nxënësit, punëtorët dhe pothuajse i gjithë populli. Gazetari Zenun Çelaj thotë se greva e minatorëve lëkundi themelet e ish Jugosllavisë. “Ajo grevë tetë ditëshe padyshim shkundi themelet e Jugosllavisë dhe alarmoi gjithë botën për ekzistimin e popullit shqiptar në Kosovë, që po i cenoheshin të drejtat, që i ishin cenuar edhe më pare”, thekson zoti Çelaj.

Ndryshohet kushtetuta

Më 23 mars 1989 në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me debatin e qytetarëve shqiptarë dhe vullnetin e tyre, ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974. Suprimohet autonomia e Kosovës dhe ajo shpallet pjesë e Serbisë. Kosova vendoset në një regjim shtetrrethimi. Tre muaj më vonë, më 28 qershor të vitit 1989, kryetari i Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, Sllobodan Millosheviç mbledh rreth 1 milionë serbë në fushën e Gazimestanit afër Prishtinës. Fjalimi i tij nacionalist në Gazimestan në përvjetorin e 600-të të Betejës së Kosovës, do të shënojë përmbysjen e gjithë sistemit kushtetues dhe politik të Kosovës. “Kur u formua Jugosllavia Socialiste, kreu serb në atë shtet të ri mbeti i ndarë dhe i gatshëm për kompromise në dëm të popullit të vet. Kompromiset që bënë politikanët serbë në dëm të popullit të tyre nuk do të mund t'i pranonte asnjë shtet dhe asnjë popull në botë, posaçërisht për faktin se serbët kurrë nuk kanë qenë popull pushtues por gjithmonë kanë çliruar veten dhe kanë ndihmuar të tjerët. Fakti që serbët janë një populli i madh edhe në këto hapësira, nuk është mëkat apo turp, por është përparësi të cilën ata nuk e kanë shfrytëzuar në dëm të të tjerëve”, pati deklaruar Sllobodan Millosheviç, ish presidenti i Serbisë, i cili vdiq në mars të vitit 2006 në Hagë ku po gjykohej për krime lufte në Kosovë, Bosnjë e Kroaci. Dhe ndërsa Millosheviçi po shtrëngonte masat e regjimit të tij në Kosovë, shumica shqiptare filloi të organizojë një sistem paralel të pushtetit. Në fundin e vitit 1989, u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetar i së cilës u zgjodh disidenti i njohur Ibrahim Rugova, njeriu i cili me vite udhëhoqi rezistencën paqësore të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit serb. Milazim Krasniqi ishte njëri prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. “U mblodhëm për të krijuar një organizim, i cili në kushtet e represionit në rritje, në kushtet e protestave të vazhdueshme të shqiptarëve do të krijonte një projekt politik, i cili do ta orientonte këtë energji rezistence të shqiptarëve", deklaroi zoti Krasniqi. Në një atmosferë të tensionuar, më 2 korrik Kuvendi i Kosovës shpall deklaratën kushtetuese me të cilën Kosova definohej si njësi e barabartë në federatën ose konfederatën jugosllave. Nënkryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Iljaz Ramajli, thotë se deklarata kushtetuese ishte refleksion i masave ndëshkuese të Serbisë. “Ne ishim të vetëdijshëm që do të ketë një kundër-reaksion të Serbisë, meqenëse ajo nuk zgjidhte mjete për t’i realizuar qëllimet e veta. Shumë shpejt, më 5 korrik me një ligj anti-kushtetues dhe pa bazë kushtetuese e suspendoi Kuvendin e Kosovës, ndali punën e qeverisë së Kosovës, u larguan nga zyrat e tyre gjithë zyrtarët e organeve qendrore të Kosovë në atë kohë, domethënë u pastruan nga shqiptarët”, theksoi zoti Ramajli.
Veprimi krye në vete i subjektit politik shqiptar në Kosovë, solli masa akoma më ndëshkuese të regjimit të Millosheviçit.
Ai mbylli Kuvendin e Kosovës, mori komandën e policisë në Prishtinë, mbylli të gjitha mediumet në gjuhën shqipe dhe filloi të aplikojë masa të rënda politike e policore, duke nxjerrë nga puna mijëra punëtorë dhe duke mbyllur edhe shkollat shqipe dhe Universitetin. Shqiptarët, ndërkaq, vazhduan aktivitetin e tyre ilegal, duke miratuar edhe kushtetutën e re të Kosovës, që nuk u njoh nga askush, por sipas të cilës, Kosova shpallej republikë.
Iljaz Ramajli ishte njëri prej hartuesve të kësaj kushtetute.
“Komisioni Kushtetues e kreu atë punë dhe kur drafti ishte gati mbetej vetëm të caktohej mbledhja e Kuvendit dhe të shpallej Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kjo u bë në Kaçanik më 7 shtator”, thotë z. Ramajli. Në fakt, akti i njëanshëm i Serbisë për suspendimin e autonomisë politike të Kosovës, nxori një akt të ngjashëm shqiptar. Këta të fundit e shpallën Kosovën të pavarur dhe prej kësaj kohe, Serbia dhe shqiptarët e Kosovës, hyjnë në atë që është cilësuar epokë e një lufte të pashpallur, e cila u përshkallëzua me konflikt të armatosur në vitin 1997.




19 Shkurt 2008