Polemikat dhe reagimet për ndryshimin e masës për ti hequr burgun përjetë Dritan Dajtit, kanë përfshirë edhe kryeministrin Rama.


Në lidhje me këtë çështje një komentues i ka shkruar kryeministrit në Facebook, duke i kujtuar çështjen dhe duke i thënë se kjo nuk është drejtësi.


Të fala Dritan Dajtit! Hahah del krimineli për vrasje të katërfishtë nga burgu dhe ti thua që skam timonin e drejtësisë. Hahahah për çfarë erdhe në pushtet apo për të bërë llaç edhe tulla?, shkruan komentuesi.


Pas kësaj Rama i përgjigjet: Mos u zgërdhi shumë se na këput ndonjë nerv e të mbetet goja kantato! Timonin e drejtësisë ky sistem ia jep pushtetit gjyqësor dhe ia ndalon me Kushtetutë e me ligj qeverisë, që ta marrësh vesh zotrote, ndërsa qeveria dhe unë kemi ndërmarrë reformën më të thellë të drejtësisë, pikërisht që të pastrohet sistemi nga fundërrinat që e morën peng 30 vjet. Ky proces ka nisur dhe do kërkojë mundimin e kohën e vet, kështu që fute gjuhën brenda dhe mblidhi buzët e shqyera vesh më vesh, se shtet bërja sështë llaf goje.


Ky është reagimi i parë, jo zyrtar i Ramës për çështjen Dajti, pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda.


Dajti është autor i vrasjes së 4 policëve në plazhin Iliria në vitin 2009 në Durrës, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Freskaj dhe Sajmir Duçkollari.


Dajti ishte dënuar me burgim të përjetshëm por së fundmi i është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar çka do të thotë se ai do të dënohet me vetëm 25 vite burg.


Gazeta Shqip