meroNga Mero Baze


 


12 Dhjetori i parë si kryetar ka qenë i sikletshëm për Lulzim Bashën. Fjalimi i tij plot qoka dhe pa asnjë ide, nuk ngjiti. Ai ngacmoi sallën vetëm kur përmendte Berishën, Olldashin apo Azemin. Këta dy të fundit nuk jetojnë më dhe nuk e ndihmojnë dot ti japin diçka nga mbështetësit e tyre. I vetmi i gjallë i vdekur politikisht, është Sali Berisha, i cili u përpoq të qetësonte njerëzit në sallë, duke iu thënë se ata tani kanë një kryetar që e mbështet dhe ai.


Në të vërtetë me Lulzim Bashën po ndodh një fenomen interesant, i pazakontë me karrierën e çdo politikani tjetër në Shqipëri. Ndryshe nga kushdo tjetër në politikë, që është i pasigurt dhe vuan nga bërrylat e të tjerëve, Lulzim Basha është duke përjetuar problemin nga ana tjetër. Të gjithë duan që ai të bëhet kryetar i vërtetë i PD-së.


Kundërshtari i tij brenda partisë, i cili ka pak javë që nuk jeton më, ishte në prag të një lëvizje për të mbështetur Lulzim Bashën të bëhej kryetar i PD-së. Të tjerë kritikë të heshtur apo me zë të lartë brenda PD-së, po ashtu nuk kanë problem si është zgjedhur Lulzim Basha, por si të bëhet kryetar i PD-së. Edhe pse ata që duan ta legjitimojnë me zor thonë që ai ka marrë 80 përqind të votave, sërish duan të këmbëngulin që ai duhet të bëhet kryetar.


Të ftuarit që ishin në sallën e ftohtë të 12 dhjetorit, po ashtu e dëgjonin fjalimin me një bezdi militantësh dhe e ndërprisnin vetëm kur fjalimi nuk lidhej me të. Pa përmbajtje, pa ide, pa zjarr për të ushqyer flakën e luftës që pretendon, pa fuqinë e njeriut që dëshmon moral dhe pa tharmin e liderit që të krijon besim, ai nga rreshti i parë tek i fundit të forconte idenë e nevojës që ai njeri ka për tu ndihmuar të bëhet kryetar.


Edhe vetë Sali Berisha, i lodhur nga pritja e gjatë për të pasur një zëvendës në PD, dukej qartë që në fjalitë e tij donte dhe ai të kishte një kryetar pas vetes. Nuk e ka dhe ky është problemi i vetëm që mban gjallë debatin në PD.


Rasti Basha është një rast i pangjashëm në politikë, kur aleatë dhe kundërshtarë, ata pro dhe kundër tij në PD, duan që ai të bëhet kryetar. E kanë shpallur si të tillë më 22 korrik, e kanë duartrokitur, e kanë kurorëzuar si pasardhës, e kanë vënë në krye të partisë dhe pastaj e kanë kuptuar që nuk është kryetar. Të bezdisur dhe frikësuar nga mungesa e taktit të kryetarit të vërtetë, që herë- herë harron që ka ikur dhe sillet si kryetar, ata janë gati ta rifillojnë punën për ta bërë Bashën kryetar.


Janë gati të thonë se nuk ka probleme me të kaluarën, se nuk ka gisht në vjedhje, se nuk ka gisht në vrasjet e 21 Janarit, se nuk ia ka dorëzuar Bashkinë Kunatit, se nuk ka faj që nuk bën asgjë për Tiranën, se nuk është problem pse është i kapur si model pushtetari që më shumë ka prodhuar lajme për pallatin e vet se sa për partinë e tij… Ia kanë falur të gjitha, vetëm duan ta bëjnë kryetar.


I gjithë ky zell buron në fakt nga makthi se partia mban kokën mënjanë jo se nuk shikon dot Lulin, por shikon nga Berisha. I tërhequr faktikisht në hije dhe i pakontrollueshme në shpërthimet e tij, ai mban ndezur perceptimin e kryetarit të vërtetë. Është bërë kaq bezdisëse kjo gjë, sa dhe ai vetë do të shpëtojë prej kësaj. Nuk lë rast pa thënë që Luli është kryetar, nuk lë rast pa thënë se PD ka lidership të ri, nuk lë rast pa thënë se me të do fitojmë betejën e radhës, por prapë nuk ia quajnë.


Është kjo krye-arsyeja përse të gjithë duan që ta bëjnë Lulin kryetar. Jo se u duhet doemos ai, por nuk u duhet ky i vërteti. Dhe po përpiqen si Sizifi të ngjisin në krye të PD-së, Lulin.