Dikur Shqipëria ishte e preferuar vetëm nga kinezët, sot dominojnë italianët, por nuk mungojnë as indianët e filipinasit. Çdo vit ka mbi 3 mijë kërkesa nga të huajt për tu pajisur me leje pune, ndërsa gjithsej janë 13 mijë të huaj të pajisur me leje qëndrimi. Ka disa arsye se përse tregu shqiptar i punës josh të huajt, siç është kërkesa ende e lartë për profesionistë, për njerëz të kualifikuar në profesione të vjetra, në sektorët që janë nën zhvillimin e vrullshëm të teknologjisë, por edhe kostoja e ulët e jetës (krahasuar me vendet e origjinës), duke mos harruar edhe një taksim më të favorshëm për bizneset e huaja.


Luigi Triggiani e ka zbuluar Shqipërinë në ditët e para të marsit të vitit 1991, si shumë qytetarë të Barit, kur anijet e para të mëdha zbarkuan në Bari dhe Brindisi, me shumë shqiptarë në to. Në ato vite, kam njohur shumë njerëz, disa prej të cilëve kanë mbetur miqtë e mi përjetë- thotë Luigi, i cili prej 20 vitesh ka aktivitet në Tiranë dhe është Drejtor i Unioncamere Puglia-Tirana Branch.


Sipas tij, Shqipëria është një ndër dashuritë e tij të para, nga e cila nuk mund të ndahet. Libri i tij Albania, Latto B si një manual biznesi për investime në këtë vend, u përpoq që ti jepte Shqipërisë dinjitet, mes paragjykimesh të shumta.


Si Luigii ka edhe shumë të huaj të tjerë, që kanë zgjedhur këtë vend për të bërë biznes, për tu punësuar në kompani vendase apo ndërkombëtare apo për të qenë të vetëpunësuar në sektorë të ndryshëm. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, në Shqipëri janë aktualisht 13 mijë të huaj, të pajisur me leje qëndrimi.


Statistikat zyrtare nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit tregojnë se çdo vit në Shqipëri, të paktën në tre vitet e fundit janë dhënë mbi 3 mijë leje pune të reja. Sipas të dhënave të vitit 2016, u dhanë 3,326 leje për të huaj, ndërsa në 2017-n, numri i lejeve zbriti në 3,122.


Nga kinezët te italianët

Dikur Shqipërinë e preferonin kinezët, të cilët zaptuan tregtinë me pakicë dhe krijuan dhe një zonë në kryeqytet që quhej rëndom tregu kinez. Në vitin 2009, sipas të dhënave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, dominonin shtetasit kinezë në fushën e tregtisë. Në vitin 2010 dominuan shtetasit turk, kryesisht në ndërtim.


Në vitin 2013 dominuan shtetasit kanadez në industrinë e naftës dhe shtetasit e Kosovës në vepra industriale kryesisht hidrocentraleve. Në vitin 2013 ka sërish një rritje të numrit të turqve duke shkuar në 40% të totalit të lejeve, kryesisht në ndërtimin e veprave industriale kryesisht hidrocentraleve.


Ndërsa në vitin 2016, nga 3,326 leje pune që u dhanë në total, kryesojnë italianët, me 711 leje pune, ose 21% të totalit, të ndjekur nga turqit, me 657 leje, ose 20%. Kinezët janë në vend të tretë, me 197 leje, të ndjekur nga shtetasit nga Kosova, me 195 leje.


Pjesa më e madhe e të huajve, të cilët preferojnë të vijnë në Shqipëri, janë nga shtetet fqinje, me të cilët historia na ka lidhur gjithmonë. Ky është një fenomen që ekspertët shpesh përpiqen ta quajnë emigracion i ndërsjellë, për disa janë efekte të globalizimit e për të tjerë janë efekte krize. Gjeografia e të huajve që punojnë në Shqipëri është zgjeruar dukshëm. Nuk mungojnë as indianët, që po tërhiqen nga zhvillimi i bizneseve që kërkojnë teknologji informacioni, apo filipinasit që preferohen si punonjëse shtëpie apo për kujdesin ndaj fëmijëve.


Tirana strehon më shumë

Kryeqyteti shqiptar, Tirana, është streha e preferuar e të huajve që zgjedhin të krijojnë një jetë të re në vendin tonë apo të nxitur nga lehtësia për biznes.


Statistikat e 2016-s të Shërbimit Kombëtar të Punësimit (SHKP) tregojnë se tre janë rajonet me numrin më të madh të shtetasve të huaj Tirana, Durrësi dhe Fieri.


Një vit më parë, qarku i tretë që strehonte më tepër të huaj ishte Lezha. Nëse i referohemi në mënyrë më të detajuar të dhënave të vitit 2016, sipas të njëjtit burim, Tirana me 1,447 shtetas të huaj aplikues zinte vendin e parë sa i përket shtrirjes gjeografike, ndër të cilët 1213 janë të pajisur me leje pune apo vërtetim punësimi. Përkatësisht 495 janë të pajisur me leje pune, 492 me vërtetim për punësim dhe 226 si të vetëpunësuar.


E ndjekur nga Durrësi, me 281 shtetas të huaj, nga të cilët 131 leje pune dhe 150 vërtetim deklarimi për punësim. Në vendin e tretë, sipas të dhënave të SHKP-së, renditet Fieri me 175 shtetas të huaj, nga të cilët 75 leje pune dhe 100 vërtetim deklarimi për punësim.


Pjesa tjetër e të dhënave u takojnë rajoneve të tjera të vendit. Sipas raportit, dominojnë punëmarrësit, që punojnë në sipërmarrjet private me pronësi të huaj. Sektorë të veçantë të ekonomisë preferojnë të marrin punonjës të huaj për kategori pune të ndryshme. Një pjesë i preferon për nivelin e aftësive të munguara të punonjësve shqiptarë, kryesisht në fushën e industrisë nxjerrëse dhe energjetikës, ndërsa pjesa tjetër për krahun më të lirë të punës.


Si është të punosh në Shqipëri?

Padyshim, ka sfida. Megjithatë, për disa nga të huajt që jetojnë e punojnë në Shqipëri prej më shumë se 5 viteve, Shqipëria ofron mundësi.


Për Yigit Arman, përfaqësues i AYEN Energy në Shqipëri, të jetuarit dhe punuarit në këtë vend, ka lehtësi. Nga aspekti ekonomik, pasi kemi ardhur nga Turqia, kemi parë lehtësi në këtë drejtim. Në Shqipëri mendoj se është një jetese e përshtatshme. Një ndër gjërat që ndikojnë në këtë drejtim, është trafiku më i lehtë se sa në Stamboll, që do të thotë nuk humbasim kohë për takime apo të ngjashme. Kjo, duke marrë në konsideratë se për punën time, si inxhinier ndërtimi, gjithmonë më duhet të lëviz jashtë qendrës së qyteteve. Që kur nisa të punoj këtu, u ndjeva mirë dhe është si një shtëpi e dytë për mua- thotë ai.


Për Luigi Triggiani, drejtues i Union Camere Puglia Shqipëria ka ndryshuar shumë 10 vitet e fundit, si dhe mundësitë janë rritur në aspektin e biznesit. Megjithatë, sipas tij, vështirësitë e ditëve të sotme janë të ndryshme nga ato që ishin dikur.


Sot shumë italianë të gjeneratës së fundit, sipërmarrës të vegjël , arritën në Shqipëri pa një plan konkret, por pothuajse vetëm për shkak se shqiptarët flasin italisht. Kjo ka sjellë konfuzion. Kanë mbetur ende disa vështirësi, edhe nëse është bërë shumë në këtë vend: drejtësia, mbi të gjitha, ka nevojë për një reformë të rëndësishme- shton z. Triggiani.


Fotografja profesioniste Alla Simacheva, duke punuar në studion e saj fotografike kuptoi që tregu i shërbimit fotografik, sidomos shërbimit artistik, vlerësohet shumë pak në vendin tonë dhe të gjithë klientët kanë përshtypjet e gabuara.


Kjo ndodh për shkak se nuk ekzistojnë kriteret e qarta dhe transparente për fushën tonë. Shpeshherë mendohet që suksesi në realizimin e setit fotografik varet vetëm nga pajisjet të cilat disponon një fotograf dhe jo nga përvoja, aftësitë dhe profesionalizmi i vetë fotografit. Vetëm së fundmi kanë filluar fotografët të mblidhen në një komunitet dhe të ndryshojnë për mirë situatën. Kjo më bëri të ndryshoja fokusin dhe të ktheja punën time online dhe tani jam e kënaqur duke punuar për tregun e jashtëm dhe duke vazhduar jetesën në Tiranë.- thotë znj. Simacheva.


Turizmi në spektrin e të huajve

Yigit Arman thotë se Shqipëria ka një klimë të këndshme dhe natyrë të gjelbëruar. Ka një strukturë natyrore që ende është e mrojtur. Ka bukuri të shumta natyrore, si deti, ashtu edhe kodrat, malet etj. Shqipëria ka një pozicion interesant, është e lehtë që të udhëtohet për pak orë në shtetet fqinje; kjo gjë na ka pëlqyer gjithashtu.


Në këtë aspekt dua të bëj edhe një vërejtje: mundësitë natyrore janë të shumta, por investimi në infrastrukturë dhe investime në zona turistike lë për të dëshiruar. Edhe shërbimi nuk është në nivele të mira, sepse investimi para së gjithash, duhet bërë me njerëz të ditur dhe njerëz profesionistë- thotë z. Arman. Ai shton se Shqipërisë i mungojnë resortet me pesë yje, infrastruktura të tilla që të ofrojnë një shërbim gjithëpërfshirës në një vend, shërbime të tilla cilësore si kudo në botë.


Teksa kërkonte që ti largohej rutinës dhe një jetë formale, një pune të mërzitshme sipas tij nga mbledhjet e takimet, Tobi Gessler, zvicerian, erdhi në Shqipëri që të përmbushte një pasion të tijin: turizmi rural. Ai drejton, si një guidë profesioniste, një agjenci për cciklizmin në mal, që sipas tij, ofron adrenalinë dhe kënaqësi në relievin aq të bukur të Shqipërisë. Tobi thotë për Monitor që Shqipëria ka potenciale të mëdha në fushën e turizmit, por që kërcënohet nga turizmi masiv i pakontrolluar dhe shkatërrimi i mëtejshëm i bregdetit.


Për Alla Simacheva, një ruse-japoneze që prej 12 vitesh jeton në Shqipëri, vendi ynë është shumë i bukur dhe ofron mundësi ende në sektorin e turizmit, ku sipas saj, duhet punuar më tepër. Ndaj, dhe pamjet më të bukura të Tiranës dhe më gjerë, gjenden në lupën profesionale të fotografes, e cila promovon ngjyra e Shqipërisë.


Menaxheri aktual i TAP Albania, Karl Roberts , thotë se turizmi është sektori me rritje të menjëhershme në këtë vend. Karl ka vendosur të jetojë më familjen në vendin tonë, edhe pas përfundimit të projektit në 2019, ndaj dhe ka blerë së fundmi, edhe një banesë në kryeqytet, Shqipëria ka shumë më shumë për të ofruar për sa i përket zhvillimit të turizmit, duke përfshirë edhe turizmin industrial. Gjithashtu, mendoj se Shqipëria ka mundësi të mira të tërheqë disa industri prodhuese falë vendndodhjes gjeografike, aksesit në det dhe burimeve njerëzore.- thotë më tej ai.


Ligji

Ligji Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.108/2013, Për të huajt, i rishikuar, pati në fokus rregullimin e legjislacionit lidhur me punësimin e të huajve në vendin tonë. Sipas ndryshimeve të bëra, u rregullua leja e punës për Të transferuarit brenda ndërmarrjes, sipas së cilës korporatat shumëkombëshe mund të lëvizin punëtorët e tyre të transferuar, me kualifikim të lartë.


Leja e punës do të jetë e vlefshme për një maksimum prej 5 vjetësh në rastin e menaxherëve dhe specialistëve dhe 1 vit për praktikantët. Ligji specifikon edhe rregullat për të huajt që mund të ofrojnë shërbime në Shqipëri, të cilët pajisen me një leje pune për shërbime kontraktuese, për një periudhë totale jo më shumë se 1 vit.


Ligji Për të huajt bazuar në legjislacionin europian, rregullon edhe nocionin e punonjësve stinorë, aktivitetin që ushtrohet për profesione të rregulluara, të personit të huaj do ti duhet të plotësojë kushtet e përcaktuara në përputhje me të drejtën kombëtare të ushtrimit të profesioneve të rregulluara.


16 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com) Monitor