Varfëria në familjen e Enver Mollës në fshatin Gurishte të Maliqit është ulur këmbëkryq.


Kjo familje përbëhet nga pesë anëtarë, dy kryefamiljarë dhe tre fëmijë. Prej 8 vitesh ata  janë pa shtëpi dhe jetojnë në një dhomë e cila ka shërbyër si lavazho.


Enver Molla tregon për mikrofonin e BOOM se ka pasur një shtëpi më parë, por i është shembur dhe qysh prej asaj kohe ai jeton në këtë dhomë që ia ka dhënë nipi i tij.


Kushtet në të cilën 5 pjesëtarët e kësaj familje jetojnë janë ekstreme. Ata nuk kanë kushtet më minimale që i nevojitet një familje, nuk kanë as drita dhe as ujë. Për ta shteti ka dhënë vetëm 55 mijë lekë ndihmë ekonomike, që janë shumë pak për të mbajtur një familje me 5 pjesëtarë.


Enveri thotë se punon, kur i jepet një mundësi për punë, por kushtet janë tepër të vështira.


Boom, iu drejtua bashkisë së Maliqit, ku kryetari Gëzim Topçiu premtoi se do ta trajtojë më seriozitet këtë rast.




Denoncimi


Gazetarja: Ku ka qenë banesa e mëparshm?


Enver Molla: Ka qenë në fshat, por edhe ajo më ra dhe u detyrova të vija këtu se po rrija rrugëve. Kjo këtu është lavazho, por as kjo nuk është e imja është e nipit. Në këtë dhomë unë po bëj 8 vjet.


Gazetarja: Si ia del që mban familjen?


Enver Molla: Po kur nuk të ndihmojnë të tjerët ça do bëjmë.


Gazetarja: Punon?


Enver Molla: Punoj, kur del puna



Gazetarja: Po nga bashkia trajtohesh me ndihmë ekonomike?


Enver Molla: Po, 55 mijë. Kam dy çuna dhe një gocë, gruan dhe unë. 5 veta në familje


Gazetarja: Po si ia del që të shtysh muajin?


Enver Molla: Po me të keq


Gazetarja: Sa e vështirë është për ju, 5 persona në një shtëpi të vetme ?


Esma Molla: Po 5 persona në një dhomë të vetme.



Gazetarja: Këtu hani, këtu pini?


Esma Molla: Po këtu, as banjë, as drita, as ujë asgjë skemi.


Gëzim Topçiu, kryetar i bashkisë Maliq: Problematika të këtij lloj rasti ka disa. Po të marrim në konsideratë që bashkia jonë ka rreth 82 mijë fshatra me rreth 70 mijë banorë. Brenda këtij komuniteti ka probleme edhe me strehimin.  Po të marrim në konsideratë politikat e qeverisë për strehimin ne po mundohemi që të listojmë dhe këtë lloj kategorie.  Ajo që unë dua të përfitoj është që këto familje të përfitojnë nga këto skema që bën qeveria për të pastrehët, do të thotë të ketë një të ardhur që të mbulojë pagesat. Për rastin konkret unë jam në dijeni, është një rast për tu parë në konsideratë dhe për të marrë masat e duhura, pavarësisht problematikave të lindura nga shitja e tokës, apo probleme të tjera që vetë familja ka krijuar ne do të shikojmë që kjo situatë mos vazhdojë më tej, mos krijohen probleme të tjera dhe që familja Molla të ketë mundësitë minimale për të jetuar. Do të bëj të pamundurën që të ndikoj në përmirësimin e jetës së kësaj familje.



/Oranews.tv/


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter