Komedia goteske Trashëgimtari, me regji nga Milto Kutalit dhe autor Arben Iliazi do të ngjitet së shpejti në skenën e Teatrit Eksperimental. Aktorët që intepretojnë janë Dajan Nenaj, Donald Shehu dhe Xhuliano Brisku. Vepra mbart një mesazh të qartë: Me para mund të blesh gjithçka, por jo të ardhmen dhe moralin, apo të shpëtosh nga ndërgjegjja. Fatiku dhe Suzi, që bashkëjetojnë prej 7 vitesh si burrë e grua, janë dy karaktere kontravers, pa asgjë të përbashkët. Fatiku, një zyrtar i lartë , i katapultuar në politikë pa asnjë meritë dhe që jeton me ambicien pa kufij për pushtet e para , përfaqëson individin instinktiv të zhveshur nga ndjeshmëria.


Befas shefi i madh i kërkon të ngjizi një fëmijë, pasi pas 7 vjetësh martesë, po bie në sy për keq para opinionit publik, që ende beson në vlerat e familjes. Bashkëshortja Suzi, një grua e thjeshtë dhe e bukur me origjinë nga fshati, e cila përfaqëson brezin e garve që duan të bëhen moderne, duke u martuar me burra të pushtetshëm në kryeqytet, e penduar për martesën me leverdi që ka bërë, jeton dhimbshëm me tragjizmin e saj dhe po mendon divorcin, duke e përjetuar si gjëmë faktin që i shoqi nguron të bëjë fëmijë me të.


Kur Fatiku i jep lajmin e madh se më në fund erdhi çasti për të ngjizur krijesën e tyre, Suzi për një moment i beson vërtet dhe i kërkon shpjegime përse u vonua kaq vjet. Por Fatiku e gjen përgjigjen: Me një kompleks inferioriteti për origjinën e tij të dyshimtë, ai i rrëfehet se e mundonte frika se mos fëmija nuk do të ishte në lartësinë që e kërkonte nderi dhe prestigji i familjes, se mund të bëhej një plangprishës që ndoshta nuk do i ngjante fare të atit, që të bënte rrush e kumbulla gjith pasurinë.


Përderisa kemi para, pse të mos blejmë një fëmijë të gatshëm nga një njeri fisnik dhe i zgjuar, i propozon të shoqes. Suzi në fillim nuk kupton, por ai i propozon troç: të blejmë lëndën e parë për ngjizjen e fëmijës! Kërkon vetëm bashkëpunim dhe konspiracion, pasi dhuruesi do të ishte doktori i familjes, me të cilin kishte biseduar paraprakisht! Suzi, e shokuar, por dhe e etur për hakmarrje dhe aventurë, i vë në lojë të dy, të shoqin dhe doktorin. Bën pazar me doktorin, i cili kërkon plot 2 milion euro për të qenë dhurues i lëndës së parë, duke i propozuar kontakt seksual, me kusht që ta ndajnë shumën në mes.


Doktori, i cili nuk e ka haberin nga seksi, pasi nuk ka njohur kurrë ndonjë femër, i dehur nga çajrat që përgatit vetë, as nuk e merr vesh se si gjendet papritur në një krevat me Suzin, e cila befason me një shatzani të papritur, që ia atribuon doktorit. Fatiku shpërthen në xhelozi, ndërsa doktori merr zemër dhe kërkon autorësinë e fëmijës. Sherrin e zgjidh Suzi që vendosë ti japë fund martesës, duke zbuluar trukun e shtatzanisë dhe fytyrën e vërtetë të të shoqit dhe doktorit.


14 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)