Në ditën e katërt të hetimeve, Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur qasjen te shpella afër vendit të quajtur "Dardha" në afërsi të fshatit Baçisht të Kërçovës, ku ditë më parë, një ekip speleologësh italianë gjetën mbetje të shumta mortore dhe rreth 100 kafka njerëzish. Kërçovarët besojnë se bëhet fjalë për shqiptarët e ekzekutuar gjatë vitit 1945, tek vendi i quajtur "Gështenjat", e që më pas trupat të jenë bartur në brendi të shpellës "Dardha"

Hetues të Prokurorisë Themelore të Gostivarit të shoqëruar me ekspertë të mjekësisë ligjore nga Shkupi, Kërçova dhe Ohri - në ditën e katërt të hetimeve kanë mbyllur qasjen te shpella afër vendit të quajtur "Dardha" në afërsi të fshatit Baçisht të Kërçovës, ku ditë më parë, një ekip speleologësh italianë gjetën mbetje të shumta mortore dhe rreth 100 kafka njerëzish. Prokuroria e përgjithshme tashmë ka dhënë udhëzime për sigurimin e kontrollit operacional, ndërsa rastin e ka quajtur me emrin "Kafka". Ishte një ekip i speleologëve nga Italia, i cili me iniciativë të liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nisi hetimet në këtë shpellë, për të cilën prej vitesh flitej se ka mbetje mortore të shqiptarëve e që datojnë shumë vite përpara. "Momentalisht gjendemi në një shpellë të rrallë të pazbuluar, por që saktësisht nuk dimë se çfarë ka. Tani për tani kemi parë disa kafka njerëzish. Na duhet pak kohë për të eksploruar. Është një shpellë shumë e vjetër, shume e madhe, ka shumë kanale, galeri... Ka tre galeri të vogla dhe galeria kryesore ku i gjetëm kafkat e njerëzve. Mbetjet mortore dhe kafkat duhet të jenë të vjetra mbi 5 dekada", ka thënë për televizionin ART të Tetovës një speleolog italian që ka parë nga afër kafkat e njerëzve. "Ka më shumë se 100 kafka, janë të mbuluar me dhe, sa më shumë që gërmojmë - aq më shumë kafka zbulojmë. Kjo nuk është puna jonë, sepse këtu duhet të vijnë arkeologët. Dyshojmë që këto kafka vijnë nga ndonjë vend më i largët e që këtu i ka sjell uji. Nuk janë të këtij vendi. Ndoshta diku më larg ka pasur varrezë masive dhe këtu i ka sjell uji", u shpreh një speleolog. "Në shpellën e cila ka disa shkëmbinj janë gjetur disa kafka ashte të njeriut. Hetimet vazhdojnë në ditët në vijim, shpella me urdhër të prokurorit publik do të sigurohet pandërprerë", kanë thënë shkurt nga Prokuroria e Përgjithshme e Maqedonisë. Vendin ku u gjetën kafkat e sigurojnë edhe pjesëtarë të Njësiteve speciale të Maqedonisë, si dhe polic të uniformuar. Prokurori i Prokurorisë së Gostivarit, Ahmet Ahmeti ka konfirmuar rastin, megjithëse nuk ka dhënë detaje tjera, pasi siç është shprehur ai, për hir të hetimeve, informatat shtesë do të jepen pasi të përfundojë ekspertiza.

Banorët: Janë trupat e gjyshërve tanë/Në Kërçovë, në të kaluarën është folur "nëpër dhëmbë" për varrezë masive në një shpellë afër Kërçovës. Madje, disa speleologëve maqedonas, shpella që tashmë është pagëzuar me emrin "Kafka", është zbuluar që përpara tetëmbëdhjetë vjetësh, por për çudi deri më tani institucionet kompetente nuk kanë ndërmarrë asgjë për të zbuluar misteret që po fsheh ajo. Mbase, një heshtje e këtillë mund të ketë qenë e qëllimshme, që me gjasë mund të jetë edhe e "porositur" që sa më shumë të heshtet, dhe që kjo të mbulohet sa më shumë të jetë e mundur me pluhur harrese dhe të ngërthehet me mister. Dhe përderisa opinioni po sorollatet duke kërkuar përgjigje se të kujt janë kafkat, nëpër kuloaret e bisedave në Kërçovë, po thuren biseda se ato mbetje skeletesh janë të kërçovarëve, të cilët dikur janë pushkatuar pa gjyq tek vendi i quajtur "Gështenjat", dhe më pas gjurmët e krimit të jenë hedhur në këtë shpellë misterioze. "Gjyshi më ka thënë se të vrarit tek 'Gështenjat' i kanë dërguar diku nëpër shpellat e Kërçovës, sepse ai vet diku nga vitet e pesëdhjeta, me ca shokë kanë gropuar tek vendi që i kanë pushkatuar njerëzit te 'Gështenjat' dhe s'kanë gjetur gjë. Dhe nga numri që thonë se janë aq eshtra, del se të vrarët tek 'Gështenjat' kanë qenë diku mbi 100 veta. Këtë ma ka treguar edhe gjyshi im, i cili ka qenë në burg atëherë, por edhe nëna ime dhe nëna e saj, sepse aty të vrarë kam babën e dajës, Xhaferr Xhaferri dhe vllaun e tij, Bedri Xhaferri. Kam informata se këtë dikush me qëllim do ta heshtë, duke i dhënë kahje tjetër. Edhe ne në vitin 2003 me shokë dhe me djalin e Mefail Shehut, të ndjerin xha Halitin, kemi gropuar, por nuk gjetëm gjë", thekson Xhemail Selimi nga Drogomishti i Madh. Kur jemi tek varrezat masive në rrethinën e Kërçovës, ndër më të njohura janë ato te vendi i quajtur "Gështenjat". Historiani Lulzim Sadiku, njëherësh profesor në gjimnazin "Drita" të Kërçovës, beson se bëhet fjalë për të ekzekutuarit shqiptarë të vitit 1945 te "Gështenjat". "Duhet të theksohet se ata njerëz thjesht janë ekzekutuar dhe ndaj tyre nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor, dhe vrasjet pa proces gjyqësor, edhe në kohë lufte - llogariten si krim. Ndaj, për të zbardhur misteret e këtij krimi, duhet të theksoj se sipas mendimit tim dhe sipas asaj që i japin ligjet e luftës, është bërë krim i dukshëm, dhe mendoj se kjo çështje meriton që të trajtohet edhe nga Gjyqi ndërkombëtar për krime lufte në Hagë", thotë historiani Lulzim Sadiku.

Takimi i rastësishëm me ekspertët italianë/Iniciativa e parë për të eksploruar shpellën në vendin e quajtur "Dardhë" ishte e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili në muajin gusht, rastësisht në Gostivar takoi grupin e speleologëve italianë që kishin nisur një ekspeditë hulumtuese në këtë qytet. Në rajonin e Gostivarit, speleologët italianë qëndruar për gati 10 ditë, ndërsa Ahmeti i takoi në fshatit Vërtok të Gostivarit. Ahmeti ndodhej në këtë fshat në shoqëri të nënkryetarit të partisë, Nevzat Bejta. Ky i fundit pasi i ka vërejtur speleologët nga Italia të pranishëm në fshat, ka njoftuar Ahmetin që ky ekip po qëndron në Maqedoni për një ekspeditë hulumtuese. Pasi i njoftoi, Ahmeti ua dha idenë se gjasat janë të mëdha që në rrethinën e Kërçovës të ketë në shpellë të panjohur deri tani. Kjo ngjalli kureshtjen e italianëve, të cilët shprehën gatishmëri të kryejnë hulumtimin e tyre. Ashtu dhe ndodhi. Ishte dita e shtunë e javës që lamë pas ku realizua vizita atje. Pasi locuan shpellën, ekspertët italianë gjetën mbetjet mortore dhe kafkat, të cilat tanimë po studiohen nga institucionet e Maqedonisë.

Marrë nga e përditshmja e Shkupit "Koha"