06/10/2009  Autoriteti portal presion të vazhdueshëm flotës. Ing Bunguri: Do të nxirret forcërisht jashtë


DURRES- Autoriteti Portual në Durrës ka ushtruar të gjitha presionet ndaj flotës së peshkimit për ta larguar nga vendi ku gjenden peshkatoret dhe anijet e gjuetisë. Nëndrejtori i portit, ing. Mentor Bunguri ka bërë të qartë se porti nuk mund të pranojë më situatën që krijon flota e peshkimit si në drejtim të pasigurisë edhe të ndotjes.


Përplasjet


Ka më shumë se 5 vjet që fondi për të ndërtuar një port të ri ëshjtë garantuar nga Banka Islamike, por shuma në 14 milionë euro rrezikon të digjet për shkak të zvarritjeve pa fund. Nëndrejtori i portit Mentor Bunguri është deklaruar se peshkimi duhet të largohet nga vendi ku sot është për të liruar kalatat, të cilat do të shërbejnë për të zgjeruar terminalin e trageteve. Në varësi të tonazhit dhe kapaciteteve, një anije transporti apo edhe traget i paguan qira portit për një metër linear deri në 10 euro në ditë, kurse peshkatarët dhe anijet nuk kanë paguar asnjë qindarkë deri më tani. 1 milion dollarë nga fondi i përgjithshëm për flotën e re të peshkimit është shpenzuar për të realizuar studimin e fizibilitetit. Ndërtimi i tij pritet të bëhet realitet në anë të kapitenerisë në pjesën e jashtme të rrethimit të portit. Porti është projektuar në formë të tillë që të shërbejë jo vetëm si mjedis pune, por edhe pushimi, argëtimi e tregu. Çështja ka ngecur tek vendimi i KRRT-së së Bashkisë së Durrësit, pasi bashkia brenda saj ka mendime pro dhe kundër. Ky port me një infrastrukturë moderne do të afrojë punësim e fitime, por deri tani gjërat kanë ngecur për shumë arsye. Ing. Mentor Bunguri pohon se “një situatë e tillë pritje nuk mund të shtyhet pasi flota dhe anijet e saj të peshkimit të rrënuara duhet të largohen që andej”. Thellësia e kalatave dhe basenit nuk do të jetë e nevojshme të kapërcejë 5-6 metër dhe me të përfunduar porti do të afrojë një volum pune në gërmimin e 340 mije m3. Bunguri ka bërë të qartë se për aq kohë sa peshkatoret qëndrojnë në kalatën pranë terminalit të trageteve përbëjnë rrezik dhe kërcënim. Autoriteti Portual në Durrës i ka lënë 3 vjet kohë afat peshkimit për të zgjidhur përfundimisht vendin e portit të ri në të kundërt Bunguri thotë se flota do të nxirret forcërisht jashtë. “Ne kemi bërë shumë investime për të fituar statusin e portit të sigurt në respektimin e standardeve të IMO-s ndaj peshkimi duhet të ikë një orë e më parë”,-ka thënë Bunguri. ICITAP ka finalizuar trajnimin dhe afrimin e pajisjeve për të rritur sigurinë në portin më të madh shqiptar, ndërsa më pas 17 milionë euro e kanë transformuar tërësisht infrastrukturën e portit. I këtij mendimi është edhe Organizata e Menaxhimit të Peshkimit, por zvarritja për të afruar lejen e ndërtimit dhe lejen e sheshit të ndërtimit ka kërcënuar sigurinë e ruajtjes së fondit në 14 milionë euro dhe transferimin e flotës.