Autori i Lajmit: red.
Tafaj: “Studentët do të pajisen me diploma të sistemit 4 vjeçar”



Nëpërmjet një shkrese dërguar Rektorit të Universitetit “Ismail Qemali”në Vlorë, Ministria e Arsimit i ka kërkuar këtij të fundit të pajisë studentët me diploma të sistemit 4 vjecar. Kjo pasi, ata e kanë filluar ciklin e studimeve përpara hyrjes në fuqi të Kartës së Bolonjës. E ndërsa gjendja shëndetësore e studentëve të cilët prej katër ditësh ndodhen në grevë urie për shkak të diplomave, është përkeqësuar ditën e djeshme, ministri i Arsimit ka lëshuar një urdhër që pritet të nxjerrë nga greva 11 studentët e degës së Juridikut në Vlorë. Prej katër ditësh, 11 studentë të degës së Juridikut ndodhen në ambientet e fakultetit për të protestuar me grevë urine ndaj vendimit të rektoratit që vendosi që studentët të mos pajisen me diploma me titullin “Jurist”, por me një diplomë të thjeshtë. Ndërkohë që pikërisht për këtë problem, ka reaguar ministri i Arsimit, Tafaj i cili iu referua ligjit 9741 datë 21. 05. 2007 për arsimin e lartë në Shqipëri i ndryshuar, studentët e regjistruar në një program studimi do të vazhdojnë dhe përfundojnë studimet me të njëjtin program që kanë filluar. “Studimet katër vjeçare të përfunduara në vitin akademik 2008-2009 janë programe të papërshtatura me standardet e Bolonjës dhe diplomat e tyre njihen si diplomat e sistemit të vjetër në bazë të nenit 89 të ligjit të mësipërm këto diploma janë ekuivalente me “diplomat e integruara të nivelit të dytë” thuhej në urdhrin e Tafajt.



Shamku për diplomat

Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku, e cila mbulon çështjet e arsimit, ka vizituar dje në qytetin e Vlorës studentët grevistë. Shamku i ka mbështetur studentët në të drejtën e tyre legjitime, për të patur një diplomë si gjithë të tjerët, ku cilësohet qartë titulli “Jurist”. Deputetja socialiste është shprehur se të drejtat e këtyre studentëve nuk duhet të shkelen me këmbë nga ana e shtetit. “ Po ky problem ka qenë në Tiranë, para 8 muajsh, edhe një tallje shumë e madhe po para 8 muajsh. Para 8 muajsh studentët e Tiranës ishin në grevë po për diplomat, për diplomat që nuk ofrojnë asgjë,” tha Shamku

Ky lajm është publikuar: 02/10/2009