Talenti
Barcelona, PSG e Arsenali monitorojnë 15-vjeçarin Edon Zhegrova
Zhegrova - Në moshën 11-vjeçare u shpall futbollisti më i mirë i Milan Junior Camp
Edon Zhegrova mund të jetë talenti i madh i radhës që del nga futbolli kosovar. Mesfushori ofensiv 15-vjeçar i ekipit të Prishtinës është bërë që tani një emër i njohur në arenën ndërkombëtare, duke zgjuar interesimin e disa prej klubeve më të njohura të kontinentit, si Barcelona, Arsenal e PSG.
Në fakt, futbollisti, i cili ka marrë që tani nofkën Mesi i Kosovës, gjendet që prej ditës së djeshme në Belgjikë, ku do të bëjë një vizitë tek ekipi i Standard Liezhit. Mediat belge kanë bërë të ditur se një javë më parë, përgjegjësi i skautëve të talenteve të ekipit belg, Mark Van Oselaer, ka udhëtuar drejt Kosovës për të kërkuar lojtarë që mund të afrojë në akademinë e klubit. Në këtë vizitë janë hedhur hapat e parë të afrimit të Zhegrovës, bashkë me dy vëllezërit Amir (15 vjeç) dhe Suad (18 vjeç) Sahiti. Këta dy të fundit kanë filluar prej ditësh testimet e tyre dhe me sa duket, Standard Liezh është gati tu sigurojë qëndrimin në akademinë e tyre. Por objektivi i klubit belg është kryesisht Zhegrova, i cili që në moshën 15-vjeçare ka mahnitur të gjithë specialistët e futbollit me aftësinë për tu përshtatur në çdo pozicion në repartin e avancuar, nga ka marrë edhe nofkën Mesi i Kosovës. Kur ishte 11-vjeçar ai u shpall lojtari më i mirë i Milan Junior Camp, duke marrë vlerësime të larta, që gjithsesi nuk u konkretizuan me kalimin e tij në akademinë e këtij klubi të njohur europian. Megjithatë, që nga ai moment, progresi i tij është monitoruar nga skautët e Barcelonës, Arsenalit e PSG. Kjo ka shtyrë Standard Liezhin që ti ofrojë lojtarit një guidë të mirëfilltë, duke e ftuar atë dhe babanë e tij për një vizitë në Belgjikë, për ti treguar ambientet e akademisë dhe klubit e për ta bindur që të qëndrojë disa ditë për provë. Presidenti i Standard Liezh, Roland Dyshatelet, ka nisur bisedimet me presidentin e Prishtinës, Remzi Ejupi, për të finalizuar një transferim të mundshëm të lojtarit, por edhe për të siguruar një bashkëpunim afatgjatë mes dy klubeve.
Ky shkrim Të mëdhenjtë e Europës ndjekin Mesin e Kosovës u publikua me pare te Gazeta SHQIP.