magdaNga Magdalena Ramohito


Më jep njerëzit e duhur dhe nuk më intereson se çfarë organizate do më japësh. Gjëra të mira do të ndodhin. Më jep njerëzit e gabuar dhe nuk ka rëndësi se çfarë do të bësh me organizatën. Gjëra të këqija do të ndodhin- Colin Powell


 


Është mirë të mos i heqim asnjë copë së tërës. Le ta fotografojmë ashtu siç është me të gjitha ngyrat që ajo mbart!


Madje e tëra ëshë më e madhe se shuma e copave…


Në Shqipëri kritika dhe nënvlerësimi i së tërës është bërë modë. Këtu gjithkush e gjithshka kritikohet, madje ka raste që sulmohet aq ashpër sa mund ta zëvendësonte plumbin, jo vetëm si akt goditje, por pse jo edhe nga ana ekonomike. Tek ne nuk ka nevojë për armë, edhe në rastet kur shkrehen ndaj personit që e urrejnë (rastet kanë qenë këto 23 vjet baraz me luftë civile) veprimi kryhet thjesht prej instiktit kafshëror për ta parë tjetrin një kadavër, sepse lufta që i bëjmë njëri- tjetrit e vret shumë më shumë se plumbi.


Nëse do përfshihesh në biseda, do të marrësh pultin për të ndezur televizionin, ke marrë riskun për të turbulluar gjakun. Menjëherë vërshon vreri mbi këdo e çfarëdogjëje, secili sipas variantit të tij, një pjesë e madhe sulmojnë pakicën e mirë e të pambrojtur, që ndrin si margaritar i rënë në baltë e shkelur nga këpuca e çdo dallaverexhiu e matrapazi, të cilët janë sot në modë. E nëse një nga ata margaritarët ngre kokën dhe guxon të thotë atë që sheh, të vërtetën mbi veten e tij, thith gjithë baltën ku është zhytur, deri sa të mos i mbetet cep i trupit pa u bërë pis, veçse duhet ta themi se ai nuk është i vetëm…


Të gjithë thonë të vërtetën, të gjithe e kanë pronë të tyren, madje të vrasin në emrin e saj, të thyejnë kockat, betohen se do të të çojnë në ferr, sepse janë të bindur për të vërtetën e tyre.


Imagjinoni këtë mori njerëzish pa drejtim, që secili ka drejtimin e vet, të atashuar në organizata të ndryshme, private apo shtetërore, me çfarëdo drejtimi si mund të arrijnë rezultate pozitive?


Gjithë ditën të gjithë thonë në kor: Shqipëria nuk bëhet!!!


Ai është hajdut, ky është mediokër, filani është fshatar, filania është e poshtër, ky rreh gruan, ajo është e paguar, ai është i korruptuar, filani është mafioz, filania tymos!


Si do na vejë halli???


Panorama nuk është kjo, asaj i mungon edhe një copë. Madje i mungon më e mira që ajo ka, por nuk ka shumë iniciativë, më së shumti ndihet e friksuar dhe ka kohë që mbijeton, sepse piramida jonë shoqërore është me majë poshtë…


Sikur këta të mirët të viheshin në krye të çdo organizate, rezultati do të ishte pozitiv, nuk ka rëndësi organizata, por njeriu që e menaxhon!!!