Nga Express më 11 janar 2011 në ora 21:05


Delegacioni i Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KE) me gjasë do të jetë i ndarë rreth raportit të raportuesit Dick Marty.


Përderisa anëtarët shqiptarë të delegacionit, Ermira Mehmeti (BDI) dhe Flora Kadriu (DR), pritet të shfaqin qëndrime kundër raportit të Marty’t, ende nuk ka sqarime se cili do të jetë qëndrimi i përfaqësuesve të partive maqedonase VMRO-DPMNE, LSDM dhe PLD (Partia Liberal-Demokrate). Kryetari i delegacionit të Maqedonisë, Aleksandar Nikolovski (VMRO-DPMNE) nuk ka qartësuar se cili do të jetë qëndrimi i partisë së tij rreth raportit të Marty’t.
Nga ana tjetër, deputetët e Parlamentit të Shqipërisë do të prezantohen me qëndrim të përbashkët kundër projektrezolutës së Dick Marty për të ashtuquajturin “trafikim organesh të serbëve në vitin 1999”.




Projektrezoluta, e cila bazohet në raportin e deputetit zviceran, nga Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe i të Drejtave të Njeriut në Asamblenë Parlamentare të KE u miratua unanimisht më 16 dhjetor. Përfaqësuesi i Shqipërisë në Komision, deputeti Shpëtim Idrizi sqaroi se mungoi në mbledhje për shkak se sekretari e Komisionit nuk e kishte njoftuar për mbajtjen e saj.




Sesioni i Asamblesë Parlamentare për vitin 2011 do të hapet më 24 janar. Projektrezoluta do të diskutohet dhe do të votohet në orën 16. Për rrëzimin e saj deputetëve shqiptarë do t’iu duhet të propozojnë një amendament, miratimi i të cilit mund të arrihet nëse  - përmes lobimit –  amendamenti mbështetet nga përfaqësuesit e 47 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.