Mungesa e adresave të sakta ka bërë që disa zarfeve të dërguara me Postë nga Ministria e Drejtësisë në disa familje të të përndjekurve për plotësim dokumentacioni, ka detyruar këtë institucion t’u drejtohet publikisht familjeve dhe 254 emrave përkatës të shkojnë pranë këtij institucioni për t’i tërhequr. Lista dhe informacioni përkatës është publikuar në sitin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë, e cila përmes një njoftimi sqaron se “në vijim të procesit për zbatimin me korrektësi të gjitha hallkave procedurale që ia kërkon ligji “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, i ka dërguar njoftimet për plotësim dokumentesh si dhe kërkesat për plotësim të formularit të vetëdeklarimit nëpërmjet Postës Shqiptare”. Por, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Drejtësisë, një pjesë të këtyre njoftimeve Posta i ka kthyer sërish në Ministrinë e Drejtësisë për shkak të vështirësive që ka hasur në gjetjen e adresave të personave që duhet të njoftohen. Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë njofton të gjithë personat e mëposhtëm që janë të lutur paraqiten në Ministrinë e Drejtësisë, zyra e pritjes me publikun, për të tërhequr zarfet me njoftimet përkatëse. Ndërkohë, dita e sotme ishte përcaktuar si afati i fundit i dorëzimeve të formularëve nga të përndjekurit apo familjarët e tyre. Pas kësaj date, - u shprehën nga ky institucion, - nuk do të pranoheshin më formularë, përveç atyre që vijnë nga të përndjekurit apo të afërm të tyre jashtë territorit të Shqipërisë dhe që kalojnë për në vendin tonë përmes ambasadave shqiptare në vendet ku ata jetojnë. Mirëpo, duke qenë se për shkak të mosdeklarimit të adresave të sakta, dorëzimi i zarfeve për plotësim dokumentacioni nuk është bërë i mundur, duket se nga Ministria e Drejtësisë do të shtyhet afati, të paktën vetëm për këto 254 familje. Procedura e verifikimit zgjat, pasi Ministria e Drejtësisë kontakton me katër ministri të tjera dhe pasi gjithë dokumentacioni rezulton i saktë, atëherë nga punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë, konkretisht sektori që merret me verifikimin e tyre, përpilohet relacioni përkatës për të përndjekurit që duhet të përfitojnë dëmshpërblim. Po të njëjtat burime shtojnë se personat që ende nuk kanë plotësuar formularin dhe nuk kanë dorëzuar dokumentet për të përfituar dëmshpërblim, jo emrat e publikuar nga ministria për mungesë dokumentacioni, u mbeten vetëm disa orë kohë që t’i drejtohen sportelit të hapur për këtë qëllim në Ministrinë e Drejtësisë.