Thirrje - Të nderuar bashkëvuajtës të Dibrës demokrate

Në këto ditë të fushatës zgjedhore për Kryetarin e Bashkis se Dibrës, para syve na dalin ato pamje të tmerrshme të atyre viteve të errëta të kaluara në periudhën e zezë të sundimit komunist. Mbi të gjitha na dalin para syve figurat e ndritura te atyre burrave te shquar, ajkës së kombit shqiptar, që shkuan para plumbit dhe litarit me thirrjen: "Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi". Na dalin figurat e papërsëritura të atyre që më mirë pranuan prangat e rënda të burgut se sa lirinë e dhunuar. Na dalin figurat e atyre mijëra grave heroina dhe fëmijëve të tretura thellë nëpër kampet e tmerrshme të internimit.

Na dalin këto pamje dhe nga zemra na shpërthen një thirrje: "Mos harroni"! Mos harroni të rënët tanë, por mos harroni edhe ata që i vranë, pasi ata dhe pinjollët e tyre sot janë në krye të shtetit për të ringjallur përsëri figurën e diktatorit të përmbysur dhe një nga këta është edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ati i të cilit, Kristaq Rama, ishte ai që firmoste, pa nguruar aspak, dënimin me varje të poetit Havzi Nelaj në gushtin e vitit 1988, në një kohë kur komunizmi në botë kishte filluar të merrte rrokullimën. Mos harroni të burgosurit dhe të internuarit politikë, por mos harroni edhe ata që i burgosën dhe i internuan, pasi ata vetë dhe pinjollët e tyre sot janë mbledhur rreth Partisë Socialiste për t'i bërë gropën demokracisë në vendin tonë, për të restauruar kohën e përmbysur. Mos harroni! Kujtojini dhe votoni për kandidatin e Partisë Demokratike, të nderuarin Sherefedin Shehu, sepse zgjedhja e tij do të jetë fundi i kryetarëve të korruptuar dhe imoralë si ky i fundit i shkarkuar me turp. Kjo do të jetë e ardhmja e Dibrës.

Por mos harroni edhe Partinë Socialiste dhe shikoni se si ka vepruar ajo gjatë këtyre viteve. A nuk ishte ajo që, me urdher të Edi Ramës, i nxorri jashtë nga parlamenti deputetët e saj kur votohej Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të asaj të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, "Mbi ndëshkimin e krimeve të komunizmit"? A nuk ishte ajo që, kur votohej ligji "Për dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë", po me urdhër të Edi Ramës i nxori deputetët nga salla dhe tani hiqet sikur ka dalë në mbrojtje të tyre duke përdorur disa renegatë nga gjiri ynë?

Mos harroni, por votoni kandidatin e Partisë Demokratike, të nderuarin Sherefedin Shehu, sepse ishte kjo parti që e futi Shqipërinë në Këshillin e Europës qysh në legjislacionin e parë të saj, që e futi Shqipërinë në NATO dhe liberalizoi vizat me Bashkimin Europian, në legjislacionin e dytë. Votoni kandidatin e Partisë Demokratike sepse kjo do të sjellë ngritjen e mirëqenies së vendit tonë dhe të qarkut tuaj, për zhvillimin e bujqësisë moderne shqiptare, për rritjen e pagave dhe pensioneve, që do ta çlirojë vendin nga kthetrat e drogës dhe korrupsionit që e kanë mbërthyer Së fundi, votoni kandidatin e Partisë Demokratike se kjo është e vetmja forcë politike në Shqipëri që do të zgjidhë brenda një kohe relativisht të shkurtër problemet e të përndjekurve politikë duke filluar nga dëmshpërblimi deri në kërkesat e tjera të tyre.

Përpara drejt fitores! Përpara!

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë