Traktati për reforma konsiderohet si zëvendësim për Kushtetutën e Europës, kushtetutë që u përpunua në pjesët më të rëndësishme të saj në Konventën e Laeken (Belgjikë 2002-2003) dhe u nënshkrua më 24 tetor të vitit 2004.



Por, qeveritë europiane të asaj kohe e braktisën në mes projektin me gjithë faktin se ai u ratifikua nga 18 prej 27 shteteve anëtare të BE-së. Kushtetuta e përbashkët e Unionit mori goditjen vdekjeprurëse, pas refuzimit të saj nga ana e votuesve francezë dhe holandezë në referendumet që u zhvilluan në vitin 2005.



Traktati i Lisbonës, i cili e zëvendëson Kushtetutën, u nënshkrua në kryeqytetin e Portugalisë më 13 dhjetor të vitit 2007 dhe është paraparë të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2009, pasi që të kryhet procesi i ratifikimit të Traktatit nga ana e shteteve anëtare të BE-së.



Traktati i Lisbonës modifikon Kushtetutën e BE-së, që konstituoi BE-në, e cila është aktualisht në fuqi, por nuk e zëvendëson atë. Traktati i ri i jep BE-së kornizën juridike instrumentet e nevojshme për të përballuar sfidat e së ardhmes.



Traktati mundëson një Europë me demokratike dhe transparente, që forcon rolin e Parlamentit të Europës dhe parlamenteve kombëtare. Dokumenti mundëson të dëgjohet më shumë zëri i qytetarëve të Europës.



Parlamentit Europian, i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët e BE-së, do ti jepen kompetenca më të mëdha sa u përket ligjeve dhe buxhetit të BE-së.



Përveç kësaj, Traktati garanton një përfshirje më të madhe të parlamenteve europiane dhe kombëtare. Parlamentarët kombëtare do të përfshihen në pjesën më të madhe në aktivitetet e BE-së, në mënyrë të veçantë falë një mekanizmi të ri që verifikon qartë se kur duhet të ndërhyjë Unioni.



Falë të ashtuquajturës iniciativë për qytetarët do të dëgjohet më fuqishëm zëri i qytetarëve të BE-së. Kjo nënkupton se nëse mblidhen nënshkrimet e një milion qytetarëve të shteteve anëtare të BE-së, ata mund të paraqesin propozime të reja para Komisionit të Europës.



Për herë të parë, Traktati i Lisbonës do tu njohë shprehimisht shteteve anëtare të drejtën për tu tërhequr nga Bashkimi. Traktati synon thjeshtëzimin e metodave të punës dhe normave për votim të BE-së.



Me Traktatin e Lisbonës krijohet edhe funksioni i presidentit të BE-së, i zgjedhur për një mandat prej dy vitesh e gjysmë dhe prezanton një lidhje të drejtpërdrejtë mes zgjedhjes se Presidentit dhe Komisionit. Parashikon dispozita të reja për përbërjen e Parlamentit dhe për një komision të reduktuar që stabilizon norma më të qarta për bashkëpunimin e forcuar dhe dispozitat financiare.



Traktati i Lisbonës përmirëson kapacitetin e veprimit të BE-së në sektorë të ndryshëm, që kanë prioritet për BE-në dhe qytetarët e Unionit. Kjo vlen në veçanti për fushat e lirisë, sigurisë dhe të drejtësisë për të përballuar problemet si lufta kundër terrorizmit dhe kriminalitetit.



Traktati i Lisbonës saktëson dhe përforcon objektivat mbi të cilat mbështetet BE-ja. Këto vlera shërbejnë si pikë referimi për qytetarët europianë dhe tregojnë atë që Europa mund tu ofrojnë partnerëve të saj në pjesën tjetër të botës.



Traktati garanton lirinë dhe parimet e sanksionuara nga Karta e të Drejtave Themelore, duke i bërë juridikisht detyruese. Traktati parashikon të drejta civile, politike, ekonomike dhe sociale.



Traktati i Lisbonës përcakton se BE-ja dhe shtetet anëtare duhet të veprojnë sipas shpirtit të solidaritetit në rast se një vend i BE-së është objekt i sulmeve terroriste ose viktimë e një fatkeqësie natyrore ose të provokuar nga njeriu. Vendos gjithashtu theksin te solidariteti në sektorin energjetik.



Traktati parasheh një Europë më të fuqishme në skenën ndërkombëtare, roli i së cilës do të jetë rigrupimi i instrumenteve për komunikim në fushën e politikës së jashtme sa i përket, qoftë, përpunimit apo edhe aprovimit të politikave të reja. Traktati i Lisbonës do ti mundësojë Europës të shprehë një pozicion të qartë në lidhje me partnerët në nivel botëror. (Alfonso Sabatino/ Taurin)