Ndriçim Kulla 

Sipas një artikulli të famshëm të “New York Times” me rastin e luftës në Irak, opinioni publik përfaqëson sot një superfuqi botërore, në tërë kuptimin e fjalës. Atëherë ne sot duhet të shtrojmë pyetjen: A ekziston tek ne ky opinion?
Në këtë pikë, do të na shërbente mjaft parashtrimi i qartë dhe i saktë sociologjiko-historik i konceptit të opinionit publik. Studimet tashmë klasike të sociologëve të rangut të tillë si Habermas dhe Koselleck mbi konceptet e “sferës publike” dhe “të opinionit publik” e vendosin lindjen e tij në gjirin e lëvizjes iluministe të viteve ‘700 ose më saktë, në momentin e hapjes së një hapësire për diskutimin kritik të funksioneve publike edhe ndaj “privatëve”, pra ndaj atyre që nuk ishin titullarë të këtyre funksioneve e që tradicionalisht duhet të mënjanonin ndërhyrjet në punët e shtetit. Ja, pse lindja e opinionit publik lidhet historikisht me faktin e afirmimit të një borgjezie të pasur, por pa pushtet politik dhe të një lëvizje kah liberalizmit, që duke grumbulluar rreth shtypit një pasuri të tërë intelektuale,e cila arriti të organizohet e të vijë madje në pushtet në Francën e vitit 1789. Sot tek ne funksioni që i është atribuuar opinionit publik ishte ai i të shprehurit – nëpërmjet gazetave dhe mjeteve të informacionit – të një kapaciteti kritik nga ana e shoqërisë kundrejt institucioneve qeverisëse.
Mirëpo shqyrtimet e ecurisë së këtij nocioni përgjatë shekujve, kanë pohuar qartë se sidomos në shekullin XX, funksioni i tij ka ndryshuar shumë, që me ardhjen në fuqi të opinionit të masave. Shpikja e radios, së pari, provokoi një “revolucion” në sferën e opinionit publik, të bazuar parësisht tek shtypi. Tashmë të gjithë qytetarët mund të shpreheshin e t’i bënin publike idetë e tyre, pavarësisht nëse dinin apo jo të shkruanin e të lexonin. Më pas, triumfi i televizionit dhe i komercializimit të tij e shuguroi dhe konsolidoi përfundimisht metamorfozën e figurës së qytetarit në kategorinë e “njerëzve”. Kjo solli krijimin e atij  konglomerati personash brenda të cilit do të formohej ajo që do të quhet më pas “opinioni i masave”.Kështu, sfera fillestare e opinionit publik - ajo e një borgjezie të iluminuar, racionale dhe me kulturë, e mbledhur rreth gazetave, librave apo revistave – mos vallë duhet menduar sot e përbërë edhe nga ato miliona persona të lidhur me botën e jashtme vetëm nëpërmjet televizionit apo internetit? E më tej, a është vallë kjo zhvendosje, ky ndryshim i strukturës së indit përbërës së opinionit publik dhe opinionit të masave, një rrjedhim vetëm i ndryshimit të përmasës së publikut të cilit ai i referohet? Që në vitin 1922, Walter Lippmann një gazetar i famshëm amerikan, pati shkruar një ese themelore të titulluar “Opinioni publik”, në të cilin ai analizon aktualitetin asokohe të një koncepti të tillë. 40 vjet më vonë, në “Historinë dhe kritikën e opinionit publik”, një vepër kjo monumentale që ka ndihmuar thellësisht në formimin e brezave të politikanëve të viteve 70’ e këtej, Jurgen Habermas shikonte te opinioni publik “jo vetëm – ashtu si mendimi liberal një limit të pushtetit,- apo si mendimi demokratik origjinën e të gjitha pushteteve, por mbi të gjitha “vendin” e shpërbërjes potenciale të pushtetit dhe të sovranitetit të racionalitetit”. Stërnip i debateve letrare nëpër sallonet e viteve ‘700, mes borgjezëve të pasur e të kultivuar, që kalonin më shumë kohë nëpër kafe se sa nëpër dyqanet e tyre, opinioni publik dalëngadalë filloi të rritet e të pretendojë të jetë metri unik i legjitimitetit të akteve të pushtetit politik, që në një analizë të fundme justifikohet vetëm në bazë të “forcës së argumentit më të mirë”. Por ekonomia moderne e themeluar mbi publicitetin, i ka transformuar në komerciale gazetat dhe mediat e tjera, duke transformuar kështu edhe raportin midis individëve dhe objekteve kulturore të komunikimit politik, të plazmuara kësisoj nëpërmjet teknikave publicitare; madje duke ndikuar edhe në natyrën e partive, që janë shndërruar edhe ato vetë në “ndërmarrje publicitare”. Ndjejmë energjikisht me keqardhje për pasojë, se qytetari i sotëm shqiptar është kthyer në konsumatorin e komunikimit dhe në një klient të politikës ,madje edhe te nje komunikimi pa përgjegjësi etike,pa etik publike dhe hera-heres pa etik zanati , ç’ka do sillte fundin e debatit publik racional, të mirë-informuar dhe të prirur kah përballjes së argumentimeve më të mira, karakteristika më thelbësore e opinionit publik në zanafillën e vet.
Opinioni publik në realitetin e sotëm, përfaqëson për fat të keq një sferë të kufizuar njerëzish, një elitë qytetarësh të përgjegjshëm për statusin e tyre shoqëror, për të drejtat dhe detyrat që u takojnë, të pasuruar nga një ndërgjegjshmëri e fortë civile, e pjesëmarrës - edhe pse vetëm si “spektatorë”nëpër debatet politike. Por në të kundërt me ta, opinioni i masave përfaqëson një sferë pak a shumë të pakufizuar, me një formë të papërcaktuar, qëndrueshmëria e së cilës vjen vetëm falë madhësisë numerike.
Kjo po na sjell siç po shohim përditë jo vetëm shtrembërim, por edhe dëmtim të interpretimit të realitetit, duke shpënë siç po ndodh rëndom në një përplasje të tmerrshme midis këtyre dy sferave (që në rastin e shoqërisë sonë përkeqësohet edhe nga pabarazia sociale, duke arritur në personalizime të vazhdueshme, deri në shfryrje pasionesh interesash personale): arsyeja përballë irracionalitetit, forca dhe hierarkia e vlerave përballë sondazhit të opinioneve, që tek e fundit diktojnë tiraninë e një maxhorance anonime, të ndryshueshme e të papërgjegjshme. Madje kjo përplasje midis opinionit publik dhe një “opinioni të publikuar”, kjo kundërvënie midis sugjestionimit dhe arsyes, midis “vektorit kritik” dhe atij manipulues të shoqërisë civile, midis populizmit dhe demokracisë, konformizmit, utilitarizmit dhe pasurisë shpirtërore, kulturës dhe pakulturës, është shndërruar në ditët e sotme shumë më e fortë dhe kanosëse se sa lufta midis së majtës dhe të djathtës, kategori këto gjithsesi të përfshira në sferën racionale të politikës e të “zgjidhjeve“ të lira e të përgjegjshme.
Megjithatë, mund të themi se opinioni publik në shoqërinë tonë, në sensin tradicional dhe historik të fjalës, ekziston, por nuk është ai që duhej të ishte. Ekziston gjithashtu një thirrje e caktuar në qenësinë e komunitetit publik, që vazhdon të luftojë kundra anës manipuluese dhe se është pikërisht kjo thirrje e brendshme ajo që e mban vital ende dhe sot opinionin publik. “Kemi shumë motive të bazuara e logjike që mund të na shtyjnë të  heqim dorë nga kjo luftë”, shkruan Habermasi në traktatin e tij të famshëm. “Por gabojmë, sepse konflikti midis manipulimit dhe kritikës është gjithmonë aktiv, e mbi të gjitha krejtësisht i mundshëm dhe i aktivizueshëm midis nesh”. E nëse gjatë gjithë strukturimit të kësaj vepre, autori “udhëton” në kuota shumë të larta abstragimi, në përgjigjen e një pyetje të tillë ai shfaqet mjaft konkret, duke na dhënë si pika referimi të pandryshueshme, të thjeshta e krejtësisht logjike; kafetë dhe sallonet e “fëmijërisë” së opinionit publik.
  Dhe ajo që na mungon ne si shoqëri sot në këtë moment në lidhje me këtë problem nuk është as informacioni, as fuqia e argumentimit e as kritika. Lipset që edhe ne të “rindërtojmë” sallonet dhe kafenetë e ngjashme me ato pariziane të viteve ‘700 apo ato berlineze të Potsdamer Platz para Luftës së Dytë Botërore. E këto të jenë më pas shtyllat mbajtëse të një qytetërimi të aftë, i cili të jetë i aftë të shkallmojë nga rrënjët atë lloj religjioziteti totemik që quhet talk-show”. Ja, një aspiratë e tillë do të bënte që mbi hirin e opinionit të vjetër publik të ngrihej edhe tek ne një ndërgjegje e re shoqërore, çka do të sillte një forcim të konsiderueshëm të shoqërisë civile. Aq më tepër që një shoqëri e fortë civile është e aftë të prodhojë komunikim e informacion edhe në forma të ndryshme nga ajo televizive, për të mposhtur kështu nivelin e lartë të manipulimit, që ekziston tek ne dhe për të cilin me keqardhje shikoj se nuk ka atë shqetësim që na duhet.