Rrallë ka në historinë e viktimave të komunizmit një të tillë kaq tragjike si ajo e familjes Sejko. Teme Sejko, një ndër komandantët kryesorë të Luftës Nacionalçlirimtare, drejtues i talentuar i ushtrisë së Shqipërisë, i flotës së saj, tashmë është një hero pa varr. Regjimi që ai luftoi për ta ngritur fshiu çdo gjurmë të qenies së tij fizike. Bashkë me të humbën jetën në një kalvar tragjik thuajse të gjithë pjesëtarët e familjes së tij, gruaja, djali, vëllai dhe mbi bashkësinë çame regjimi ushtroi spastrimin e dytë pas atij grek. Të gjitha këto kanë marrë një shpjegim nga nipi Hektor Sejko, bashkëkohës i Petrit Demit, historiani ushtarak Elmaz Leci, Luan Rama, ish-ministër i Mbrojtjes dhe i Rendit, si dhe historiani Hajredin Isufi.



Teme Sejko lindi në Konispol më 24 mars të vitit 1922. Më 12 dhjetor të vitit 1955 u dërgua për të kryer studimet në akademinë ushtarake "Frunze" në ish-Bashkimin Sovjetik, që i përfundon në nëntor 1957. Më 14 janar të vitit 1958 u emërua komandant i Përgjithshëm i Flotës. Duke qenë një ndër figurat kryesore të asaj kohe, i arsimuar jashtë. Por regjimi i dha goditjen e parë, që u pasua nga shumë vuajtje të tjera në familjen e tij. Më 28 korrik 1960, në orën 10 të paradites u bënë arrestime në të njëjtën kohë. Taho Sejkos (vëllai i Temes) iu tha se duhet të shkojë në Fushë-Arrëz për një problem që kishte Ministria e Brendshme. Në momentin që po bëhej gati, e priste Beqir Balluku dhe Petrit Dume. Pikërisht në atë kohë u arrestua. Po atë ditë, në po të njëjtën orë, në zyrën e Beqir Ballukut në Tiranë u arrestua Teme Sejko, i cili kishte disa kohë që jetonte te shtëpia e vjehrrit në Tiranë, pasi po bëhej gati për të shkuar në Moskë. Në orën 13:00, pasi ishin kryer arrestimet, në shtëpitë e tyre erdhi kryetari i lagjes dhe një nga pjesëtarët e grupit të arrestimit, të cilët morën të gjitha gjërat e tyre. Tri ditë më vonë, bashkëshortja e Taho Sejkos u nis për në Tiranë për të takuar Temen dhe atje u takua me Shpresën, bashkëshorten e Temes. Të dyja nuk dinin gjë për fatin e kunetërve të tyre, por nga vëzhgimi kuptuan që diçka kishte ndodhur dhe shpërthyen në vaj. Në maj të vitit 1961 Teme Sejko u gjykua dhe u dënua me pushkatim. Këtu filloi edhe kalvari i vrasjeve dhe vetëvrasjeve të familjes Sejko. Në nëntor 1962, vëllai i vogël i Teme Sejkos, Suloja, tentoi vetëvrasjen, duke prerë damarët e duarve, pasi ishte thirrur në hetuesi dhe u hap dosje për të. U shpëtua nga shokët e punës. Në shkurt të vitit 1963 Sulo bëri tentativën e dytë për vetëvrasje dhe vdiq i mbytur në pus. U varros nga Komunalja. Ndërsa vëllai tjetër i Temes, Tahoja, në mars të vitit 1962 u dënua si armik dhe u pushkatua, kjo mbahet e fshehtë për 30 vjet.



Në janar të vitit 1974, Sokol Teme Sejko (djali i Temes), 23 vjeç, u dënua me vdekje si armik dhe u pushkatua më pas nga një gjyq i inskenuar. Pas gjithë këtyre peripecive që kishte kaluar familja Sejko, pjesëtarët e tjerë të familjes u internuan në Berat. Në shkurt 1975, Rajmond Sejko (djali i madh) i Temes, u arrestua dhe u dënua për agjitacion e propagandë, me 8 vjet burg në Spaç dhe me 7 vjet të tjera në internim. Shpresa Sejko, bashkëshortja e Temes, disa orë pas arrestimit të djalit, vrau veten, duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit. Edhe në ditët e sotme, viktimat e kësaj familjeje nuk kanë një varr. Me gjithë interesimin e pjesëtarëve të tjerë të mbetur gjallë, nuk ka asnjë dokument, as procesverbal që të tregojë vendin e pushkatimit. Ndërkohë, dokumente pushkatimi të personave të tjerë gjen edhe në vitet ‘44-‘45.